Platforma për verifikimin e fakteve, Hibrid.info, ka vazhduar të jetë në shënjestër të një fushate të koordinuar dezinformuese të njohur si “Matryoshka”, përmes së cilës shpërndahen përmbajtje të rreme dhe manipuluese në adresën zyrtare elektronike të redaksisë. Megjithatë, kësaj radhe, numri më i madh i narrativave të ndryshme dezinformuese, kanë pasur në fokus Francën.
Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, Hibrid.info ka pranuar një numër të konsiderueshëm adresash elektronike (email-e), përmbajtjet e të cilave ndjekin një model të njohur të operacioneve të ndikimit informativ, të lidhura me rrjete pro-ruse. Përveç Francës, një numër i adresave elektronike kanë qenë edhe me përmbajtje të narrativave që prekin vendet e tjera si, Gjermania, Zvicra, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Spanja dhe Ukraina.
Përmbajtja e adresave elektronike
Adresat elektronike të pranuara përmbajnë vegëza që çojnë në platforma si X (ish-Twitter), Telegram dhe TikTok, ku publikohen video dhe postime me pretendime të pabazuara. Një karakteristikë e përbashkët e këtyre përmbajtjeve është imitimi i mediave dhe institucioneve të njohura ndërkombëtare përmes përdorimit të logove dhe elementeve vizuale, me qëllim rritjen e besueshmërisë së rreme.
Narrativat e shpërndara synojnë të paraqesin Francën si një shtet në krizë të thellë politike, sociale dhe të sigurisë. Ato përfshijnë pretendime për rritje të kriminalitetit, destabilizim ekonomik, kërcënime terroriste dhe përfshirje në skandale ndërkombëtare.
Analiza e këtyre përmbajtjeve tregon një model të përsëritur narrativash që ndërtojnë një imazh negativ për Francën. Pretendimet kryesore përfshijnë:
- Akuzat ndaj presidentit Emmanuel Macron për korrupsion, lidhje me skandale ndërkombëtare dhe manipulim politik;
- Pretendime për rritje të kriminalitetit dhe pasigurisë, shpesh të lidhura me emigrantët ose refugjatët ukrainas;
- Narrativa që lidhin mbështetjen e Francës për Ukrainën me pasoja ekonomike negative, përfshirë rrezikimin e pensioneve dhe rënien e standardit të jetesës;
- Pretendime për kërcënime të shtuara terroriste dhe destabilizim të brendshëm;
- Teori konspirative që përfshijnë marrëveshje sekrete ndërkombëtare, ndërhyrje politike dhe manipulim të informacionit.
Këto narrativa janë të dizajnuara për të ndikuar perceptimin publik duke ndërtuar një tablo të ekzagjeruar dhe të pavërtetë të realitetit në Francë.
Modeli “Matryoshka” i dezinformimit
E quajtur Matryoshka (“kukulla fole” ruse), fushata karakterizohet nga përdorimi i përmbajtjeve të shumta dhe të ndërlidhura, të cilat shpërndahen përmes kanaleve të ndryshme për të krijuar një efekt kumulativ në opinionin publik. Ky operacion ishte zbuluar nga grupi anonim vullnetar Antibot4Navalny në bashkëpunim me AFP në janar 2024 (shih këtu).
Hibrid.info ka qenë edhe më parë objekt i fushatave të ngjashme, ku përmbajtje të dyshimta janë dërguar për verifikim, sikurse se përmbajtje që cak kishin paraqitjen e Ukrainës si një shtet që po e destabilizon Evropën (shih këtu), përmbajtje të rreme që lidheshin me Moldavinë dhe presidenten Sandu (shih këtu), dezinformata në lidhje me ngjarjet ndërkombëtare si Olimpiada (shih këtu), etj.
Fushata “Matryoshka” përfaqëson një shembull të avancuar të operacioneve të manipulimit informativ, që përdorin kombinimin e teknologjisë, rrjeteve sociale dhe imitimit të mediave për të ndikuar opinionin publik.
Rasti i fundit i adresave elektronike të dërguara në Hibrid.info tregon se këto përpjekje janë të vazhdueshme dhe synojnë zgjerimin e ndikimit përtej kufijve kombëtarë.
Në këtë kontekst, roli i verifikimit të fakteve dhe edukimit mediatik mbetet thelbësor për të identifikuar dhe kundërshtuar këto narrativa dezinformuese, duke kontribuar në ruajtjen e integritetit të informacionit në hapësirën digjitale.