[email protected]
Vazhdon përfshirja e platformave online në Kodin e Praktikës për Dezinformimin
shape
shape
shape

Bashkimi Evropian (BE) ka zbuluar planet për të forcuar kodin e tij katërvjeçar të praktikës kundër dezinformatave në internet.

Komisioni Evropian ka njoftuar të enjten se më shumë kompani të teknologjisë – përtej Meta, Google, TikTok, Twitter dhe Microsoft – do të duhet të vendosin masa për të parandaluar këdo që të përfitojë nga pretendimet e rreme në internet.

Organizatat që pajtohen me kushtet u ndalohet të shfaqin reklama pranë çdo përmbajtjeje që përmban dezinformata.

Ata gjithashtu zotohen të jenë më transparentë për reklamat politike, të ndërmarrin veprime kundër “llogarive bot” (llogarive të rreme të automatizuara) dhe t’u japin përdoruesve mjete për të shënuar çdo dezinformatë që shohin.

Më shumë se 30 kompani dhe grupe — duke përfshirë Twitch, Vimeo dhe Clubhouse — janë regjistruar tani në kod, dy herë më shumë se vitin e kaluar.

Udhëheqësit e BE-së kanë shprehur shqetësimin për dezinformimin që “lulëzoi” në internet gjatë pandemisë COVID-19 dhe propagandës ruse në mes të luftës në Ukrainë.

Dezinformimi “është një problem në rritje në BE dhe ne me të vërtetë duhet të marrim masa më të forta”, u tha gazetarëve në Bruksel nënpresidentja e Komisionit – Vera Jourova.

Jourova tha se kodi i përditësuar nuk mbështetet më në vetërregullimin e platformës dhe vjen në një kohë kur “ne shohim rritje të sulmeve ndaj demokracisë”.

Ndërsa nuk prezanton asnjë gjobë, kodi i BE-së mbështetet nga Akti i ardhshëm i Shërbimeve Digjitale, i cili gjithashtu do të detyrojë kompanitë e teknologjisë të trajtojnë përhapjen e dezinformatave në internet ose të përballen me gjoba të rënda prej 6% të qarkullimit të tyre global.

“Dezinformimi është një formë e pushtimit të hapësirës sonë digjitale, me ndikim të prekshëm në jetën tonë të përditshme”, tha Thierry Breton, Komisioneri i BE-së për Tregjet e Brendshme.

“Platformat online duhet të veprojnë shumë më fort, veçanërisht për çështjen e financimit. Përhapja e dezinformatave nuk duhet t’i sjellë askujt asnjë euro”.

Disa kompani — të tilla si Apple dhe Amazon — ende nuk kanë nënshkruar në Kodin e Praktikës së BE-së, si dhe Telegram, ku dezinformimi i qeverisë ruse është i pakontrolluar.

Organizatat që kontrollojnë faktet kanë argumentuar gjithashtu se kodi i ri nuk do të ketë ndryshime thelbësore në mënyrën se si veprojnë kompanitë e mëdha të teknologjisë.

“Ky Kod është i pari global, kryesisht sepse shoqëria civile ndërhyri për të nxitur ambicie më të mëdha”, tha Luca Nicotra, Drejtor i Fushatës në Avaaz.

“Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për monitorim me dhëmbë, nga Komisioni i BE-së, i cili me guxim tregon dështimet e platformës. Përndryshe, ky Kod mund të bëhet thjesht një mënyrë e lirë për të shmangur gjobat me të cilat mund të përballen sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale”.

(Artikull nga Euronews)

Share With Others