Shkroi: Etrit Rexhepi
Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) ka publikuar më shumë se tre milionë faqe me dosje që lidhen me Jeffrey Epstein. Këto dokumente përmbajnë referenca për Presidentin amerikan Donald Trump dhe figura të tjera të fuqishme, duke përfshirë Elon Musk, Bill Clinton dhe një ish-këshilltar të ish-presidentit Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë (shih këtu).
Në artikujt e mediave në gjuhën shqipe është raportuar se në këto dokumente janë përmendur edhe dy ish-presidentë të Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli (shih këtu, këtu dhe këtu).
Ky artikull pasqyron se në çfarë konteksti përmenden emrat e Atifete Jahjagës dhe Behgjet Pacollit në këto dokumente, çfarë tregojnë realisht emailat që po qarkullojnë online dhe nëse këto përmendje përbëjnë prova për ndonjë lidhje me rastin Epstein.
Kush ishte Jeffrey Epstein?
Jeffrey Epstein ishte një financier amerikan, i dënuar për abuzim seksual dhe trafikim të të miturve, i njohur për lidhjet e tij shoqërore me figura të fuqishme politike, ekonomike dhe publike. Ai u arrestua në vitin 2019 dhe vdiq në burg në Nju Jork më 10 gusht të po atij viti, ndërsa priste gjyqin për akuza të reja për trafikim seksual. Më herët, në vitin 2008, Epstein kishte shmangur dënimin e rëndë federal përmes një marrëveshjeje me prokurorinë, pavarësisht dhjetëra akuzave nga viktima të mitura. Pas vdekjes së tij, ish-partnerja e tij Ghislaine Maxwell u dënua me 20 vjet burg për rolin e saj në rekrutimin dhe shfrytëzimin seksual të vajzave të mitura. Dokumentet e publikuara nga autoritetet amerikane kanë hedhur dritë mbi rrethin e tij shoqëror, por përmendja e emrave të figurave publike në këto materiale nuk nënkupton automatikisht përfshirje penale (shih këtu).
Politikanët e Kosovës të përmendur në këto dosje
Sipas raportimeve të mediave në gjuhën shqipe në Kosovë, në dosjet e publikuara të financierit të ndjerë amerikan Epstein, përmenden dy ish-presidentët e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.
Në njërin nga e-mail-at të dërguar në adresën e Epsteinit, përmendet presidenti i Kosovës.
Përmbajtja e këtij emaili
“Princesha nga Tajlanda do të jetë në New York te Kombet e Bashkuara me Presidenten e Kosovës, ajo do të dëshironte të të takonte”

Në këtë email nuk përmendet emri i presidentit, por për shkak se ai është dërguar më 16 shtator 2012, në raportimet e mediave është nënkuptuar se bëhet fjalë për Jahjagën, e cila mbante pozitën e presidentes në atë kohë (shih këtu).
Emaili tjetër i dërguar po nga Daniel Siad në adresë të Epsteinit mban titullin “Kush është Behgjet Pacolli?”, të cilit i ishte bashkëngjitur edhe një vegëz e një video-materiali në Youtube.
Aty shkruan “Përshëndetje Jeffrey, princesha do të donte që ti ta shihje këtë video”.

Edhe ky email rezulton të jetë dërguar në shtator të vitit 2012.
Çka thanë Jahjaga e Pacolli?
Të dy ish presidentët e vendit kanë mohuar ta kenë njohur ose takuar Epsteinin. Jahjaga me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook tha se raportimet që e lidhin emrin e saj me dosjen “Epstein” janë të pabaza dhe të pavërteta, duke theksuar se ajo nuk ka pasur asnjëherë njohje, takim apo kontakt me Jeffrey Epstein. Sipas saj, përmendja e emrit lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk dëshmon ndonjë lidhje personale apo institucionale, ndërsa emri i saj nuk figuron në asnjë dokument zyrtar të publikuar (shih këtu).

Ndërsa ish-zëvenës kryeministri i Kosovës, Pacolli i mohoi të ketë dëgjuar për Epstein, me anë të përgjigjes për mediumin “koha.net”, duke thënë se, “asnjëherë nuk jam takuar, as nuk kam komunikuar, as nuk kam qenë asnjëherë në pronat e tij. Unë vetëm tani dëgjoj për ekzistencën e tij” (shih këtu).
Fakte shtesë
Në përmbajtjet e këtyre emailave përmendej një person të cilit i referohen si “princesha”. Nga raportimet e mediave dhe në emalin ku përmendet ish-presidenti Pacolli, rezulton që ajo të jetë Mom Luang Rajadarsri Jayankura, anëtare e familjes mbretërore në Tajlandë.
Në artikullin e “koha.net” tregohet se ajo shpesh në e-maile dhe korrespodenca të tjera me Epsteinin, është prezantuar si konsullja e Nderit të Republikës së Kosovës në Tajlandë (shih kwtu).
Hibrid.info gjeti se edhe në llogarinë e saj zyrtare në median sociale “Instagram”, ajo i referohet vetes si pasardhëse e Mbretit Rama IV, si konsullja e Nderit të Kosovës dhe ka të shkruar “Mabetex”, emrin e kompanisë së themeluar nga Behgjet Pacolli (shih këtu dhe këtu).

Për shkak se të dy këto emaile rezultojnë të jenë dërguar në shtator të vitit 2012, hibrid.info ka hulumtuar në llogaritë e dy ish-presidentëve në Facebook, për aktivitetin e tyre gjatë kësaj periudhe.
Në bazë të postimeve aty është gjetur se të dy, Jahjaga si presidente dhe Pacolli si zëvendës kryeministër, ishin në New York, gjatë javës së punimeve të sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-së), në vitin 2012.
Në postime shihet se gjatë qëndrimit ata kanë zhvilluar ndaras takime me liderë të vendeve të ndryshme. Rasti i vetëm ku është gjetur se ata kanë qëndruar pranë njëri tjetrit, ishte në takimin (24 shtator 2012) e përbashkët të liderëve shtetrorë të Kosovës me Ban Ki Moon, ish-sekretarin e përgjithshëm të OKB-së në atë kohë, fotografi kjo e postuar në llogarinë e ish-zëvendës kryeministrit Pacolli (shih këtu).

Ndërsa në një postim të Behgjet Pacollit, është gjetur se në një takim (22 shtator 2012) me përfaqësuesen e Singaporit në OKB, ai ishte i shoqëruar nga Luang Rajadarasri (princesha) të cilës ai i është referuar si konsullja e nderit të Kosovës në Tajlandë (shih këtu).

Në postimet Jahjagës gjatë kësaj periudhe nuk është hasur ndonjë fotografi që e shfaq atë në prani të Luang Rajadarasrit (shih këtu dhe këtu).
Disa programerë kan krijuar Jmail, nj klon t Gmail-it që lejon njerzit të lexojn email-et e Jeffrey Epstein-it sikur të kishin hyrë drejtpërdrejtë në llogarinë e tij. Ky projekt erdhi pas publikimit të dokumenteve me email-e nga Komiteti i Mbikqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, të cilat ishin të vështira për t’u analizuar në formatin origjinal. Jmail i organizon email-et në një ndërfaqe të ngjashme me Gmail, duke i bërë më të lehta për t’u kërkuar dhe lexuar (shih këtu).
Deri më tani nuk ka raportime për figura tjera politike nga Kosova, që mund të jenë përfshirë në këto komunikime të publikuara, ndërsa në raportimet e mediave në gjuhën angleze është informuar se Bill dhe Hillary Clinton janë pajtuar të dëshmojnë në hetimet e Kongresit për këtë çështje (shih këtu).



