[email protected]
I paverifikuar pretendimi se janë keqtrajtuar serbët e arrestuar në veri
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Mediumet në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull sot (10 shtator) lidhur me arrestimin e 4 personave në veri mesnatën e së martës (10 shtator) për të cilët pretendohet se janë keqtrajtuar gjatë arrestimit.

Sipas mediave në gjuhën serbe, familjarët dhe dëshmitarët okularë kanë bërë të ditur se katër persona të kombësisë serbe janë rrahur rreth 10 minuta nga Policia e Kosovës dhe më pas janë dërguar në stacion të Policisë.

Lidhur me rastin Policia e Kosovës ka bërë të ditur se arrestimi i këtyre katër personave ka ndodhur pasi të njëjtit i kanë sulmuar vetë ata dhe se gjatë arrestimit nuk është ushtruar dhunë në ta.


Vegëza e artikujve të publikuara në media në gjuhën serbe:

https://www.blic.rs/vesti/politika/u-kosovskoj-mitrovici-pretucena-4-srpska-mladica/1bs4fhv

https://informer.rs/vesti/politika/942010/lov-na-srbe-se-nastavlja-kurtijevi-banditi-pretukli-cetiri-srpska-mladica-pa-ih-odveli-u-kazamat-video

https://www.alo.rs/vesti/kim/954000/vukli-su-ih-po-podu-udarali-kolenima-roditelji-uhapsenih-srpskih-mladica-celu-noc-ispred-albanskog-zatvora-nista-nam-ne-govore/vest


Çka dihet për ngjarjen?

Katër persona janë arrestuar në veri mesnatën (10 shtator) e së martës pasi dyshohet se kanë sulmuar zyrtarët policorë.

Familjarët e të arrestuarve pretendojnë se ata janë keqtrajtuar gjatë arrestimit. Veç tyre, të njëjtin pretendim e jep edhe Lideri i Demokracisë Serbe, Alleksandar Arsenijeviq, sipas të cilit, “policia i ka rrahur brutalisht të rinjtë serbë për 10 minuta dhe më pas i ka dërguar në stacion policor”. 

Lidhur me këtë pretendim është publikuar edhe një video-material gjatë arrestimit të katër serbëve, por që nuk është parë keqtrajtim nga ana e Policisë së Kosovës në asnjë sekuencë të videos së publikuar. (këtu)

Ndërsa, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se katër persona kanë ofenduar dhe sulmuar dy zyrtarë policorë në shëtitoren e Mitrovicës së Veriut, duke lënduar njërin prej tyre dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, Veton Elshani ka bërë të ditur se të dyshuarit janë arrestuar në rrugën “Knjaz Millosh” dhe janë dërguar në stacionin policor, ku janë kontrolluar në aspektin mjekësor. (këtu)

“Më datë 10.09.2024 katër persona të moshës madhore kanë ofenduar e më pas sulmuar dy zyrtarë policorë në shëtitore të Mitrovicës Veriore e më pas janë larguar, ku njëri nga policët ka pësuar lëndime. Njësitet policore kanë arritë t’i arrestojnë të dyshuarit në rrugën ’Knjaz Millosh’, të njëjtit janë dërguar në stacion policor e më pas janë dërguar për kontroll mjekësor”.

Elshani për media tha se tre nga të dyshuarit ishin nën ndikimin e alkoolit dhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje.

Shefi i Njësisë Operative të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Petrit Fejza, për media ka thënë se të rinjtë serbë kanë rezistuar gjatë arrestimit, por që ndaj tyre s’ka pasur dhunë. (këtu)

Kanë qenë katër persona që kanë ofenduar dhe sulmuar policët e Kosovës. Ata kanë rezistuar për arrestim dhe është përdorur forcë minimale, siç përdoret për arrestim në rast të refuzimit të urdhrit. Në stacionin policor iu është bërë alkool testi, tre prej tyre kanë rezultuar pozitivë. Aktualisht gjenden në mbajtje”.


Narrativat dezinformuese serbe lidhur me rastin

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka paraqitur arrestimin e këtyre serbëve si reflektim të politikës anti-serbe të kryeministri Albin Kurti, duke pretenduar se serbët në veri të Kosovës përballen çdo ditë me represion, tortura dhe brutalitet nga Policia e Kosovës, ndërsa, sipas kësaj Zyre, komuniteti ndërkombëtar e injoron këtë situatë. (këtu)

Ndërkaq, partia e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, pretendoi për “rrahje brutale” ndaj të rinjve serbë dhe tha se arrestimi i tre prej tyre “është dëshmi e brutalitetit të policisë së Kosovës, të drejtuar nga Albin Kurti, ndaj serbëve”. (këtu)

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, deklaron se arrestimi i tre të rinjve me kombësi serbe “paraqet vazhdimësi të terrorit ndaj popullsisë serbe”. (këtu)

Këto narrativa mbeten në suazën e interpretimit të disa zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, por që nuk e faktojnë narrativën se serbët ballafaqohen me keqtrajtim nga Policia e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti. Narrativa të ngjashme janë bërë edhe për vendimin për ndërrimin e patentë shoferëve, e edhe për diskutimet për hapjen e urës së Ibrit. (këtu, këtu)


Analiza:

Mediumet në gjuhën serbe kanë publikuar sot (10 shtator) një artikull mbi arrestimin e katër personave në veri gjatë natës së të martës (10 shtator), të cilët dyshohet se janë keqtrajtuar gjatë arrestimit.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se arrestimi i katër personave ka ndodhur si pasojë e sulmit ndaj tyre dhe se nuk është përdorur dhunë gjatë arrestimit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Përmbajtje e paverifikuar”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »