Është publikuar një përmbajtje që pretendon se gjithnjë e më shumë shtete në vende të ndryshme të botës po u kërkojnë qytetarëve të sigurojnë rezerva ushqimore, ujë të pijshëm dhe produkte të tjera bazë, për t’u përgatitur për situata të mundshme emergjente.
Në publikim renditen dhjetëra shtete nga kontinente të ndryshme, ndërsa theksohet se edhe Bashkimi Evropian rekomandon që qytetarët të jenë në gjendje të përballojnë të paktën 72 orët e para të një emergjence.
Për më tepër, përmbajtja i lidh këto rekomandime me tensionet ndërkombëtare, rrezikun e konflikteve ushtarake dhe mundësinë e ndërprerjes së shërbimeve jetike.
Përmbajtja është publikuar të shtunën në Facebook nga faqja me emrin “Meteo Kosova”.
Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Përmbajtja paraqet rekomandimet e disa shteteve për përgatitje ndaj emergjencave si zhvillime të ndërlidhura me tensionet ushtarake, pa ofruar dëshmi për një lidhje të tillë.


Deri në momentin e trajtimit, përmbajtja ka marrë mbi 500 reagime, ndërsa faqja që ka publikuar pretendimin ka mbi 148 mijë ndjekës (shih këtu).
Për shkak se përmbajtja trajtonte rekomandimet e autoriteteve të dhjetëra shteteve të huaja, pa pasur ndonjë fokus të veçantë në Kosovë, krijoi përshtypjen se përmbajtja mund të ishte përshtatur nga një publikim i huaj.
Andaj, u hulumtua për të identifikuar artikullin fillestar dhe burimin e informacionit.
Përmes chatbotit të inteligjencës artificiale “ChatGPT”, u gjet se artikulli origjinal është publikuar nga revista javore në gjuhën angleze, Newsweek (shih këtu).
Pas kontrollit dhe verifikimit tw kwtij artikulli, u gjet se teksti me titullin “Map Shows Nations Urging People to Stockpile Food as France Issues Warning”, trajton rekomandimet e qeverive të vendeve të ndryshme për përgatitjen e qytetarëve ndaj situatave emergjente, si luftërat, kushtet ekstreme atmosferike dhe kërcënimet kibernetike.
Në të thuhet se rekomandimet ndryshojnë nga një shtet në tjetrin. Disa vende këshillojnë sigurimin e furnizimeve për 72 orë, të tjera për një javë, ndërsa Gjermania rekomandon rezerva për deri në 10 ditë.
Artikulli përmend gjithashtu Strategjinë e Bashkimit Evropian për Gatishmëri, të prezantuar në mars të vitit 2025, si përgjigje ndaj rritjes së tensioneve gjeopolitike, konflikteve dhe rrezikut nga fatkeqësitë natyrore.
Megjithatë, artikulli origjinal nuk i paraqet këto rekomandime si tregues të një përshkallëzimi të afërt ushtarak apo të një kërcënimi të caktuar ndërkombëtar, por si pjesë të masave të përgjithshme të gatishmërisë ndaj emergjencave.
Aty nuk përmenden lëvizjet e avionëve ushtarakë amerikanë drejt Izraelit dhe vendeve të tjera të Lindjes së Mesme, as nuk pretendohet se rekomandimet për rezervat ushqimore janë pasojë e ndonjë përshkallëzimi të mundshëm ushtarak në këtë rajon.
Hibrid.info gjeti një artikull të publikuar më 29 tetor 2026 nga gazeta The Times of Israel ku raportohej se më shumë se 10 avionë transportues ushtarakë amerikanë kanë ateruar në bazat ajrore izraelite gjatë javës paraprake.
Sipas artikullit, fluturime të tjera janë realizuar edhe drejt bazave amerikane në Jordani, Arabinë Saudite, Katar dhe Kuvajt. Përmbajtja e ngarkesave nuk dihet, ndërsa lidhja e tyre me përforcimin e mbrojtjes ajrore kundër një përshkallëzimi të mundshëm me Iranin paraqitet si vlerësim i analistëve.
Nga gjetjet e mësipërme rezulton se përmbajtja e trajtuar ka ndërthurur dy zhvillime të ndryshme, duke krijuar përshtypjen se ato lidhen me një përshkallëzim të mundshëm ushtarak, ndonëse nuk ofrohen dëshmi që mbështesin një ndërlidhje të tillë.
Pra, fakti që disa shtete rekomandojnë përgatitjen e rezervave për situata emergjente nuk përbën, në vetvete, dëshmi se ekziston një rrezik i afërt për konflikt ushtarak apo ndërprerje të shërbimeve jetike.
Çfarë nënkupton gatishmëria për situata emergjente sipas organizatave ndërkombëtare?
Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Zvogëlimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë (UNDRR), gatishmëria për situata emergjente (Preparedness) përkufizohet si njohuritë dhe kapacitetet që zhvillojnë qeveritë, organizatat përgjegjëse për reagim dhe rimëkëmbje, komunitetet dhe individët, për të parashikuar, përballuar dhe rimarrë veten në mënyrë efektive nga pasojat e fatkeqësive të mundshme ose atyre që janë duke ndodhur. Kjo praktikë përfshin planifikimin për situata emergjente, krijimin e rezervave të pajisjeve dhe furnizimeve të nevojshme, koordinimin e institucioneve, evakuimin, informimin e publikut, si dhe trajnime dhe ushtrime paraprake (shih këtu).
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), në kuadër të qasjeve për forcimin e gatishmërisë dhe reagimit ndaj emergjencave, thekson rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse (All-hazards approach), e cila merr parasysh rreziqet me origjinë të ndryshme, përfshirë ato natyrore, teknologjike dhe shoqërore. Sipas kësaj qasjeje, megjithëse burimet e rreziqeve ndryshojnë, ato mund të paraqesin sfida të ngjashme për sistemet shëndetësore dhe kërkojnë bashkëpunim ndërmjet sektorëve të ndryshëm. Për këtë arsye, përgatitja për emergjenca nuk kufizohet vetëm në një lloj kërcënimi, por synon krijimin e kapaciteteve për të përballuar situata të ndryshme emergjente (shih këtu).
Ndërkaq, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), në kuadër të qasjes për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë, e trajton gatishmërinë (Preparedness) si një nga katër fazat e menaxhimit të rrezikut, krahas zbutjes së rrezikut, reagimit dhe rimëkëmbjes. Sipas UNESCO-s, kjo fazë përfshin planifikimin, trajnimet dhe aktivitetet edukative që u ndihmojnë komuniteteve dhe shteteve të përgatiten për fatkeqësi, duke përcaktuar paraprakisht se si të veprojnë, ku të drejtohen dhe kujt t’i kërkojnë ndihmë kur ato ndodhin. Kjo përgatitje synon që rreziqet e mundshme të mos shndërrohen në fatkeqësi me pasoja të rënda për komunitetet (shih këtu).
Çka thonë raportet ndërkombëtare për gjendjen e sigurisë në botë?
Sipas raportit Global Peace Index 2026, të publikuar nga Instituti për Ekonomi dhe Paqe (IEP), niveli i paqes në botë është përkeqësuar për të dymbëdhjetin vit radhazi. Raporti evidenton 61 konflikte aktive mes shteteve, numri më i lartë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Këto të dhëna tregojnë se shqetësimet për sigurinë ndërkombëtare kanë bazë reale, megjithatë, ato nuk dëshmojnë se rekomandimet për rezerva ushqimore janë paralajmërim për një konflikt të afërt.
Analiza
Publikimi paraqet rekomandimet e disa shteteve për krijimin e rezervave ushqimore dhe furnizimeve bazë si pjesë e përgatitjeve për situata emergjente, por njëkohësisht i vendos ato në kontekstin e tensioneve ndërkombëtare, rrezikut të konflikteve ushtarake dhe ndërprerjes së shërbimeve jetike.
Hulumtimi ka gjetur se artikulli origjinal, i publikuar nga Newsweek, trajton rekomandimet e shteteve për gatishmëri ndaj emergjencave, por nuk i ndërlidh ato me lëvizjet e avionëve ushtarakë amerikanë në Lindjen e Mesme. Këto dy zhvillime trajtohen në artikuj të veçantë dhe nuk ofrohen dëshmi që vërtetojnë se kanë ndërlidhje mes tyre.
Nga ana tjetër, raportet ndërkombëtare tregojnë se shqetësimet për sigurinë globale kanë bazë reale. Të dhënat dëshmojnë për ekzistencën e sfidave serioze të sigurisë ndërkombëtare, por nuk vërtetojnë se rekomandimet për rezerva ushqimore janë dhënë si përgjigje ndaj një konflikti të afërt.
Po ashtu organizatat ndërkombëtare e trajtojnë gatishmërinë emergjente si pjesë të praktikave të menaxhimit të rrezikut, të cilat përfshijnë përgatitjen për lloje të ndryshme emergjencash dhe nuk kufizohen vetëm në konfliktet e armatosura.
Prandaj, problemi i publikimit nuk qëndron te fakti se përmend ekzistencën e tensioneve dhe rreziqeve ndërkombëtare, por te mënyra se si i vendos rekomandimet për përgatitje emergjente në këtë kontekst, duke krijuar përshtypjen e një ndërlidhjeje që nuk mbështetet me dëshmi.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.