Media në gjuhën serbe “kurir.rs” në shkurt dhe mars 2026 ka korrigjuar tre artikuj që lidhen me Kosovën dhe figura kyçe politike në Kosovë, pas trajtimit që u ka bërë platforma për verifikim të fakteve hibrid.info përmbajtjeve të dyshimta.
Nëpërmjet e-mailit, redaksia e “kurir.rs” ka njoftuar hibrid.info se ka korrigjuar artikujt që lidhen me pretendimet e pabaza se “shqiptarët përdhosën varrezat ortodokse në fshatin Skullan të Lipjanit”, se “shqiptarë të maskuar sulmuan Policinë e Serbisë” dhe për “lidhjen e Albin Kurtit me Lidija Sokoloviqin”. Në korrigjim të këtyre artikujve, “kurir.rs” ka theksuar gjetjet e hibrid.info dhe u ka kërkuar falje lexuesve.
Të tre artikujt e “kurir.rs” tani kanë tituj që sqarojnë se përmbajtjet janë korrigjuar.
Artikujt e korrigjuar:
Më 9 shkurt 2026, hibrid.info trajtoi pretendimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë se shqiptarët kanë përdhosur varrezat në fshatin Skullan. Pas verifikimit të fakteve, rezultoi se pretendimi nuk ishte i mbështetur në asnjë fakt. Deri në momentin e trajtimit, nuk diheshin kryerësit e veprës dhe për më shumë fshati Skullan nuk i takonte Lipjanit siç pretendohej, por Komunës së Graçanicës. Pretendimi i njëjtë si i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë u publikua nga disa media në gjuhën serbe, përfshirë “kurir.rs”, e cila më pas ka korrigjuar artikullin.

Në rastin e dytë, më 27 shkurt 2026, hibrid.info e pati vlerësuar si përmbajtje të paverifikuar pretendimin në mediat në gjuhën serbe se “shqiptarë të maskuar sulmuan Policinë e Serbisë”. Mediat që kishin raportuar mbi këtë pretendim nuk kishin përmendur asnjë fakt. Autoritetet e Kosovës patën mohuar pretendimet, e ato të Serbisë nuk kishin bërë publikim deri në momentin e trajtimit. “Kurir.rs” ka korrigjuar artikullin pas trajtimit të hibrid.info.

Më 12 mars, hibrid.info trajtoi pretendimin që qarkulloi në Facebook në gjuhën shqipe, se një imazh me disa persona shfaq takimin e “Albin Kurtit me të bijën e ish ministrit serb të Millosheviqit, Zoran Sokoloviq”. Në trajtim, hibrid.info e vlerësoi pretendimin si të pakonfirmuar. Aty u theksua edhe se për pretendimin e mëhershëm për lidhjen e Kurtit me vajzën e ish-ministrit serb, nuk ka pasur fakte. Mbi këtë trajtim, “kurir.rs” ka korrigjuar një artikull të vitit 2019.

Nuk është hera e parë që media në gjuhën serbe korrigjojnë artikujt pas trajtimeve që u ka bërë hibrid.info. Edhe në të kaluarën “kurir.rs” dhe media të tjera kanë përmirësuar përmbajtjet pas ankesave për rënie të trafikut online si shkak i trajtimit të fakteve nga hibrid.info (shih këtu).