[email protected]
Pretendim i pabazë i Vuçeviqit për “agjendë për spastrimin etnik të serbëve nga ana e regjimit të Kurtit”
shape
shape
shape

Mediumi në gjuhën serbe “Happytv.rs” (i afërt me pushtetin në Serbi – shih këtu, këtu dhe këtu) ka publikuar një artikull dje (3 gusht) me deklaratën e ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, i cili pretendon se, siç është shprehur, regjimi i Kurtit vazhdon me agjendën për spastrimin etnik të Kosovës nga serbët.

Vuçeviq këtë pretendim e bënë duke interpretuar mungesën e produkteve me origjinë nga Serbia (përfshirë edhe barnat) në veri të Kosovës (shih këtu).

Po ashtu, pretendimin e bërë mundohet ta ndërlidhë me rastin e mungesës së barnave gjatë periudhës së luftës (viti 1992) Banjallukë të Bosnje e Hercegovinës.

Megjithatë, pas verifikimet të fakteve nga hibrid.info rezulton se, pretendimi se mungesa e barnave në pjesën veriore të Kosovës është pjesë e, siç shprehet, një agjende të Kurtit për spastrim etnik të serbe, duke e krahasimi me rastin e Banjallukës, nuk ka fakte të argumentueshme.


Vegëza e artikullit të publikuar në “happytv.rs”:


Pjesë të artikullit të publikuar në “happytv.rs”:

Regjimi i Albin Kurtit vazhdoi me agjendën e spastrimit etnik të Kosovës dhe Metohisë nga serbët. Tani për tani, modeli indirekt “Stuhia” po funksionon, duke krijuar një atmosferë ku njerëzit thonë se nuk mund të mbijetojnë. Kjo na kujton ngjarjet e Banja Lukës në vitin 1992, kur jeta e foshnjave ishte në rrezik, beteja e famshme për korridorin kur ilaçet nuk mund të dërgoheshin. Pas 31 vitesh keni një situatë ku dikush nuk i lejon barnat për qytetarët – tha Vuçeviq.


Pretendimin e tij mbi spastrimin etnik të serbëve në Kosovë, Vuçeviq e ndërlidh me mungesën e produkteve me origjinë prodhimi nga Serbia (përfshirë edhe barnat) në veri të Kosovës.

Siç dihet, mungesa e produkteve serbe në veri të Kosovës është pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës më 14 qershor për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia. Siç është paralajmëruar, një vendim i tillë është marrë për arsye sigurie dhe jo ekonomike, si dhe nuk dihet se sa do të qëndrojë në fuqi.

Autoritetet e Kosovës, nuk është hera e parë që marrin vendim për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, por deri më tani janë përdorur të ashtuquajturat “rrugë alternative” në veri të Kosovës për import (këtu).


Pas disa aksioneve kundër kontrabandës me mallra, Policia e Kosovës në bashkëpunim me doganën kanë vënë nën kontroll të rreptë “rrugët alternative” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Rasti i fundit ishte në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit, kur Policia e Kosovës ndaloi një automjet me targa të Serbisë, të cilin e drejtonte një shtetas serb. (këtu)


Pra, mungesa e barnave në veri është si rezultat i ndërprerjes së kontrabandës me mallra serbe duke përdor rrugë alternative, e jo si rezultat i një agjende për spastrim etnik të serbëve në veri.

Minsitri Vuçeviq këtë situatë e krahason me një ngjarje të vitit 1992 në Banjallukë. Siç dihet, në vitin 1992 në Banjallukë, në situatë lufte, në mungesë të oksigjenit për trajtim kishin vdekur 12 foshnje në repartin e maternitetit. Vendimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) në maj dhe qershor të vitit 1992 ndaloi fluturimet ndërkombëtare, madje edhe ato me shishe oksigjeni, nga Beogradi në Banjallukë, si pasojë e të cilave vdiqën 12 foshnja të porsalindura që ishin në inkubatorë.  (këtu)


Ndërkaq krahasimi është i paqëndrueshëm për faktin se nuk jemi në situatë lufte dhe se mungesa e barnave të prodhuara në Serbi nuk është si pasojë e luftës por si ndërprerje e kontrabandës në veri të Kosovës.

Kjo ndërlidhje e Vuçeviqit me mungesën e produkteve serbe dhe krahasimi me rastin në Banjallukë më 1992, nuk nënkupton ekzistimin e një plani nga “regjimi i Kurtit për një spastrim etnik”.

Vucçviq, përveç pretendimit të tij, nuk ofron fakte konkrete për ekzistimin e një plani për spastrimin e serbëve apo të ndonjë zhvillimi që e vërteton presionin ndaj serbëve për largim.


Analiza:

Faktet tregojnë se vendimi për ndalimin e importit të produkteve serbe është bërë për ndalimin e kontrabandës në veri dhe shtrirjes së sundimit të ligjit në veri, e jo pjesë e një plan për spastrim etnik të serbëve.

Teksa ministri Vuceviq këtë situatë e krahason me ngjarjen e vitin 1992 në Banjallukë në situatë lufte, gjendja në veri nuk nënkupton të njëjtën situatë, pra nuk bëhet fjalë për gjendje lufte.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “dezinformatë”.


Vlerësimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others