Autorë: Fatbardh Dema dhe Etrit Rexhepi
Pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente e Kosovës, në një kanal rus në Telegram “БАЛКАНАРЬ” (Balkanar) dhe në rrjetin propagandistic rus “Pravda” u publikua një narrativë që e lidh këtë zhvillim me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Narrativa paraqet ndryshimet ligjore si një marrëveshje mes qeverisë dhe opozitës për të kufizuar kompetencat e Gjykatës Speciale dhe më tej, i përdor këto ndryshime për të nxjerrë përfundime më të gjera për institucionet e Kosovës.
“Vdekja e drejtësisë”
Në publikimin rus pretendohet se Kosova ishte në prag të zgjedhjeve të parakohshme, por se në momentin e fundit qeveria dhe opozita arritën një “marrëveshje cinike” që “sfidon hapur drejtësinë ndërkombëtare”.
Fakti që zgjedhja e presidentes dhe ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara u zhvilluan në të njëjtën periudhë është i dokumentuar. Më 6 tetor, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në ligj me 88 vota, ndërsa Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente me 81 vota, sipas Kuvendit të Kosovës (shih këtu). Zgjedhja e saj shmangu mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërsa edhe media britanike Reuters raportoi se marrëveshja politike mes Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) lidhej edhe me ndryshimet në kompetencat e gjykatës për krimet e luftës (shih këtu).
Megjithatë, përshkrimi i këtyre zhvillimeve si “vdekja e drejtësisë” është një vlerësim politik nga publikuesit në rusisht dhe jo një përfundim juridik. Ndryshimet në kompetencat e një gjykate nuk nënkuptojnë në vetvete përfundimin e drejtësisë apo të përgjegjësisë penale.
“Gjykata nuk ka më të drejtë të merret me krimet e luftës”
Një pjesë tjetër e narrativës pretendon se Dhomave të Specializuara u është hequr mundësia për të shqyrtuar krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, se juridiksioni është kufizuar në periudhën 1 korrik 1999-31 dhjetor 2000 dhe se ka mbetur vetëm çështja e trafikimit të organeve.
Këtu ka një ndryshim real në juridiksion, por mënyra se si paraqitet ai në narrativë është më e gjerë. Sipas Dhomave të Specializuara të Kosovës, mandati fillestar i gjykatës përfshinte krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe vepra të tjera sipas ligjit të Kosovës, për periudhën nga janari 1998 deri në dhjetor 2000 (shih këtu). Vetë institucioni shpjegon se juridiksioni i tij lidhet me pretendimet e përfshira në raportin e vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi e ngushtojnë këtë juridiksion dhe parashikojnë që rastet që nuk përfshihen në juridiksionin e ri të trajtohen nga institucionet e drejtësisë në Kosovë. Pra, pretendimi se krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit janë “hequr” në kuptimin se ato nuk mund të ndiqen më penalisht, nuk e përshkruan të gjithë ndryshimin.
Edhe pretendimi për dënimin maksimal prej 15 vjetësh bazohet në një ndryshim real. Reuters raportoi se ndryshimet përfshijnë kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet, mundësinë që dënimet të vuhet në Kosovë dhe mundësinë e faljes presidenciale (shih këtu).
Por në narrativën ruse këto masa paraqiten sikur të dënuarit tashmë janë falur dhe se të gjitha dënimet janë reduktuar automatikisht. Në fakt, bëhet fjalë për mundësi të faljes presidenciale, ndërsa kufiri prej 15 vjetësh është pjesë e ndryshimeve ligjore. Kjo nuk është e njëjtë me pretendimin se të dënuarit tashmë janë liruar ose falur.
“Natyrë terroriste e regjimit të Kosovës”
Në fund, narrativa ruse e çon interpretimin edhe më tej, duke pretenduar se miratimi i ndryshimeve “dëshmon natyrën terroriste të regjimit të Kosovës” dhe se autoritetet në Prishtinë kanë vendosur mbrojtjen e “trashëgimisë së militantëve të UÇK-së” mbi drejtësinë ndërkombëtare.
Ky përfundim nuk mbështetet nga faktet e paraqitura në publikim. Ndryshimet ligjore dhe marrëveshja politike për votimin e tyre janë zhvillime konkrete, por prej tyre nuk del vetvetiu përfundimi se institucionet e Kosovës kanë shpallur se UÇK-ja është mbi të drejtën ndërkombëtare.
Për më tepër, vetë Dhomat e Specializuara theksojnë se janë institucion i pavarur nga institucionet e Kosovës dhe se mandati i tyre lidhet me përgjegjësinë penale individuale, jo me gjykimin e një grupi apo organizate si të tillë. Dhomat e Specializuara e përshkruajnë qartë këtë mandat (shih këtu).
Kështu, narrativa ruse nis nga zhvillime reale, marrëveshja politike për zgjedhjen e presidentes dhe ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara. Por, më pas i jep atyre një kuptim shumë më të gjerë. Ndryshimet paraqiten si “vdekje e drejtësisë”, ndërsa prej tyre nxirret përfundimi se institucionet e Kosovës po mbrojnë trashëgiminë e UÇK-së mbi drejtësinë ndërkombëtare.
BE-ja i lidh ndryshimet me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës
BE-ja ka reaguar ndaj ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke shprehur shqetësim se ato mund të bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Në reagimin e saj, BE-ja ka theksuar rëndësinë e respektimit të mandatit dhe pavarësisë së Dhomave të Specializuara, si dhe vazhdimit të punës së tyre për sigurimin e llogaridhënies dhe drejtësisë për viktimat.
BE-ja ka rikujtuar gjithashtu se Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por me bazë ndërkombëtare, të përcaktuar përmes shkëmbimit të letrave të vitit 2014. Megjithatë, në këtë reagim, BE-ja nuk është shprehur në mënyrë specifike për juridiksionin apo kompetencat konkrete të Dhomave, por është fokusuar në respektimin e mandatit, pavarësisë dhe detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës. Kërkesa e BE-së për respektimin e mandatit dhe pavarësisë së Dhomave të Specializuara, e hap edhe çështjen e mundësisë së kontestimit të ndryshimeve të miratuara.
Ndryshimet në Ligjin për Specialen mund të kontestohen
Më 6 tetor 2026, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ndryshimet prekin, ndër të tjera, juridiksionin kohor, territorial dhe lëndor të Dhomave të Specializuara, dënimet, si dhe trajtimin e rasteve që nuk do të përfshiheshin në juridiksionin e tyre. Sipas ndryshimeve, këto raste mund të transferohen në sistemin e drejtësisë në Kosovë, ndërsa parashihet edhe mundësia që dënimet të mbahen në Kosovë.
Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) janë deklaruar se ndryshimet parashohin që kontrolli i kushtetutshmërisë së Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe ndryshimeve të tij t’i takojë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ndërsa Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë të mos ketë këtë juridiksion.
Megjithëse është e paqartë se në cilën instancë dhe përmes cilës procedurë do të mund të kontestohen, këto ndryshime në ligj pritet të ngrenë edhe çështje kushtetuese dhe mund të kontestohen. Për rrjedhojë, miratimi i tyre nga Kuvendi nuk nënkupton se çështja është përfundimisht e mbyllur.