Të fundit | Deklaratë e sajuar që i atribuohet Paul Williamsit për ndryshimet në Ligjin… Të fundit | Pretendime pa fakte se Kurti po financon mbështetjen për Listën Studentore… Të fundit | Pretendim i rremë se presidenti i UEFA-s urdhëroi hetim ndaj Lumbardh Dello… Të fundit | Steinbaum nuk tha se Serbia, Rusia, BE-ja dhe Kurti po synojnë ta shkatërro… Të fundit | Narrativa ruse pas zgjedhjes së presidentes së Kosovës: nga ndryshimet në S… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Justina Shiroka-Pula ishte pjesëtare e UÇK-së Të fundit | Pretendime të rreme se aktivistë të VV-së u veshën me uniforma policore gja… Të fundit | Deklarata e Walker për ata që nuk bashkohen rreth mbrojtjes së UÇK-së, ësht… Të fundit | Publikues në rusisht dhe rrjeti propagandistik rus pretendojnë rrejshëm se… Të fundit | Trump nuk është shprehur publikisht për marrëdhëniet me Kurtin
[ ARTIKULLI ]

Pretendime të rreme se aktivistë të VV-së u veshën me uniforma policore gjatë protestës dhe se Sveçla kërcënoi drejtorin e Policisë

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

LAJM I RREMË

Pretendimet për protestën e 5 tetorit dhe për përfshirjen e Sveçlës nuk mbështeten nga burime zyrtare apo raportime mediatike.

Në median sociale Facebook, një llogari ka publikuar dy përmbajtje (shih këtu dhe këtu).

Në njërin postim pretendohet se gjatë protestës së 5 tetorit në Prishtinë, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) janë veshur me uniforma të Policisë së Kosovës dhe kanë vepruar “nën urdhrat e Sveçlës”, ndonëse nuk ishin pjesëtarë të Policisë.

Në postimin tjetër pretendohet se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërcënuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, pasi ky i fundit kishte thënë se nuk mund të përdorej dhunë ndaj “fëmijëve të dëshmorëve”.

Çka nuk shkon me këto pretendime?

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, nuk janë gjetur dëshmi që mbështesin këto dy pretendime.


FAKTET

Fillimisht, lidhur me këto pretendime u kërkua në Google, e që rezultatet nuk shfaqin këto informacione të publikuar në media ose burime kredibile (shih këtu dhe këtu).

Policia e Kosovës, në komunikatën zyrtare për zhvillimet e 5 tetorit, bëri të ditur se në menaxhimin e protestës ishin angazhuar njësitë e saj policore. Sipas Policisë, tre protestues u shoqëruan në stacion, ndërsa gjashtë zyrtarë policorë u lënduan dhe 11 qytetarë/protestues kërkuan ndihmë mjekësore (shih këtu).

Në komunikatë nuk përmenden persona të lidhur me VV-në që janë veshur me uniforma policore apo persona që kanë vepruar si policë pa qenë pjesëtarë të Policisë.

Po ashtu, raportimet e mediave për protestën dokumentojnë praninë e Policisë së Kosovës dhe përplasjet me protestuesit, por nuk raportojnë se pjesëtarë të VV-së kanë marrë uniforma policore (shih këtu).

Sa i përket pretendimit të dytë, gjatë protestës ka pasur akuza publike për përdorim të dhunës nga Policia dhe për ndikim politik mbi të. Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, deklaroi se policët kishin marrë urdhër nga Xhelal Sveçla (shih këtu).

Edhe deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, përmes një postimi në Facebook, i bëri thirrje policisë të mos përdorte dhunë ndaj protestuesve, përfshirë “fëmijët e dëshmorëve e të veteranëve”, dhe tha se “asnjë urdhër politik nuk e justifikon dhunën ndaj protestuesve”. Megjithatë, Reçica nuk pretendoi se drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, i kishte thënë Sveçlës se nuk mund të shpërndante dhunë ndaj fëmijëve të dëshmorëve, dhe nuk raportoi ndonjë kërcënim të Sveçlës ndaj Hoxhës (shih këtu).

Për më tepër, një ditë pas protestës, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) njoftoi se kishte iniciuar hetim preliminar lidhur me veprimet policore gjatë protestës. IPK bëri të ditur se po shqyrtonte përdorimin e forcës dhe pajisjeve policore, pas një ankese për tejkalim të autorizimeve.

Kjo tregon se përdorimi i forcës policore gjatë protestës është duke u shqyrtuar nga organi kompetent, por nuk përbën dëshmi për pretendimin se aktivistë të VV-së janë veshur me uniforma policore apo se Sveçla ka kërcënuar drejtorin e Policisë (shih këtu).


Analiza

Dy pretendime të publikuara në Facebook, lidhur me protestën e 5 tetorit në Prishtinë, pretendojnë se aktivistë të VV-së u veshën me uniforma të Policisë së Kosovës dhe vepruan nën urdhrat e Xhelal Sveçlës, si dhe se Sveçla kërcënoi drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha.

Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, nuk u gjetën dëshmi që i mbështesin këto pretendime.

Burimet zyrtare dhe raportimet nga mediat dokumentojnë përplasjet gjatë protestës dhe përdorimin e forcës nga Policia, por nuk raportojnë për aktivistë të VV-së të veshur si policë apo për kërcënimin e drejtorit të Policisë nga Sveçla.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto përmbajtje si “Lajme të rreme”.

Arsyetimi

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere