Në intervistën me Mathias Döpfner, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paraqet një sërë pretendimesh lidhur me Kosovën, Marrëveshjen e Brukselit, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian (BE) dhe luftën në Ukrainë. Disa prej këtyre deklaratave paraqiten në mënyrë selektive, duke lënë jashtë kontekstin e rëndësishëm historik, juridik dhe politik. Në disa raste, përmes këtyre deklaratave ndërtohet narrativa se Serbia është viktimë e standardeve të dyfishta të Perëndimit, ndërsa përgjegjësia për moszbatimin e marrëveshjeve i atribuohet kryesisht Kosovës.
Relativizimi i agresionit rus në Ukrainë dhe krahasimi me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999
Në një pjesë të intervistës, Vuçiq e krahason ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 me luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Duke folur për luftën dhe nevojën për një marrëveshje paqeje, ai thotë:
“What was the justification of invasion against Serbia? And it was better to reach that arrangement after 78 days of war with NATO from our side and from NATO side as well in 1999 than to continue that war.” (Në shqip: “Cili ishte justifikimi për invazionin ndaj Serbisë? Dhe ishte më mirë që pas 78 ditësh lufte me NATO-n, nga ana jonë dhe nga ana e NATO-s, në vitin 1999, të arrihej një marrëveshje sesa të vazhdohej ajo luftë.”)
Në këtë mënyrë, Vuçiq e vendos ndërhyrjen e NATO-s në të njëjtin kornizim me pushtimin rus të Ukrainës, duke e paraqitur atë si një konflikt ku të dyja palët ishin pjesë e një lufte që duhej të përfundonte përmes negociatave. Në pjesë të tjera të diskursit të tij publik, ky argument shoqërohet me pretendimin se Serbia nuk kishte sulmuar një shtet tjetër dhe se NATO kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare duke ndërhyrë ushtarakisht.
Ky krahasim barazon dy situata me kontekste të ndryshme historike dhe juridike. Në rastin e Kosovës, ndërhyrja e NATO-s erdhi pas një periudhe të gjatë konflikti të armatosur, represioni sistematik, dëbimeve masive dhe krimeve të kryera ndaj popullsisë civile shqiptare të Kosovës nga forcat serbe dhe jugosllave. Dokumentimi ndërkombëtar i këtyre krimeve përfshin raportet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-së), Human Right Watch, OSBE-së dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Paraqitja e ndërhyrjes së NATO-s vetëm si një “sulm ndaj Serbisë” dhe krahasimi i saj drejtpërdrejt me pushtimin rus të Ukrainës lë jashtë kontekstin e krimeve dhe krizës humanitare në Kosovë.
Kjo narrativë është përdorur dhe përsëritur nga zyrtarë serbë, rusë dhe media të afërta me ta, të cilët e paraqesin ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe pavarësinë e saj si një “precedent” për veprimet e Rusisë në Ukrainë.
Zyrtarët e Beogradit e kanë përdorur luftën në Ukrainë për të rikthyer argumentin se, sipas tyre, Serbia ishte viktimë e një shkeljeje të ngjashme të integritetit territorial në rastin e Kosovës. Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se “të gjithë tani po flasin për shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës, dhe kjo është pikërisht ajo që i ndodhi Serbisë në çështjen e Kosovës dhe Metohisë”. Përmes këtij krahasimi, rasti i Kosovës paraqitet si i barasvlershëm me pushtimin dhe shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.
Nga ana tjetër, zyrtarët e Kremlinit, veçanërisht Vladimir Putin dhe Sergej Lavrov, e kanë përdorur Kosovën si argument për të justifikuar veprimet ushtarake të Rusisë. Krahasimi më i përsëritur është ai mes Kosovës dhe Krimesë: sipas këtij pretendimi, nëse Perëndimi e mbështeti pavarësinë e Kosovës pas ndërhyrjes së NATO-s, atëherë Rusia kishte të drejtë të mbështeste shkëputjen dhe më pas aneksimin e Krimesë. Lavrov ka argumentuar gjithashtu se Perëndimi zbaton “standarde të dyfishta” duke pranuar vetëvendosjen në Kosovë, por duke kundërshtuar referendumin e organizuar nga Rusia në Krime.
Këto narrativa janë amplifikuar më tej nga mediat ruse në gjuhën serbe, si Sputnik dhe RT, si dhe nga një pjesë e mediave serbe, të cilat kanë ripublikuar dhe përhapur deklaratat e zyrtarëve rusë e serbë. Përveç krahasimit Kosovë – Krime, në këto përmbajtje janë promovuar edhe paralele të tjera, si ajo mes Reçakut dhe Buchas, duke pretenduar se krimet në Ukrainë janë “inskenuar” në mënyrë të ngjashme me atë që Beogradi pretendon për Reçakun.
Pretendimi se Kosova nuk e zbatoi Marrëveshjen e Brukselit
Duke folur për procesin e integrimit evropian të Serbisë, Vuçiq deklaron:
“…only one thing that had to be done by Albanian authorities in Kosovo which was formation of Serb Municipal Association was not delivered at all…” (Në shqip: “…vetëm një gjë duhej të bëhej nga autoritetet shqiptare në Kosovë, që ishte formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, dhe kjo nuk u zbatua fare…”)
Ai pretendon se pas marrëveshjes, i vetmi detyrim që duhej të përmbushnin autoritetet e Kosovës ishte formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia kishte përmbushur detyrimet e saj.
Është fakt se Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe nuk është themeluar. Megjithatë, pretendimi se ky ishte “i vetmi” detyrim i Kosovës është i pasaktë. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 përmbante 15 pika dhe parashikonte një sërë detyrimesh për të dyja palët.
Po ashtu, Vuçiq nuk përmend vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2015, e cila konstatoi se disa nga parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishin plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe kërkoi harmonizimin e tyre me standardet kushtetuese. Kështu, paraqitja e çështjes vetëm si refuzim i Kosovës për të zbatuar një detyrim e lë jashtë një pjesë thelbësore të kontekstit juridik.
Vuçiq gjithashtu pretendon se Serbia ka përmbushur detyrimet e saj:
“…we had at the same time delivered on dismantling some of our institutions and everything else.” (Në shqip: “…ndërkohë, ne kishim përmbushur edhe çmontimin e disa prej institucioneve tona dhe gjithçka tjetër.”)
Ky formulim është i njëanshëm. Serbia ka ndërmarrë hapa në drejtim të integrimit të disa strukturave në sistemin e Kosovës, por pretendimi se Serbia ka përmbushur të gjitha detyrimet ndërsa Kosova jo, nuk pasqyron zbatimin kompleks dhe të pjesshëm të marrëveshjeve të dialogut.
Në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, si Serbia ashtu edhe Kosova kanë përmbushur disa detyrime, por kanë dështuar në të tjera. Serbia ka pranuar lëvizjen me targa RKS dhe letërnjoftimet e Kosovës, si dhe ka lejuar më herët integrimin e strukturave të policisë dhe gjyqësorit në veri, ndërsa Kosova ka zbatuar disa marrëveshje teknike, përfshirë kodin telefonik +383, licencimin e Elektroseverit, zbatimin e vendimit për pronat e Manastirit të Deçanit, si dhe marrëveshjet për dokumentet, targat dhe personat e pagjetur. Megjithatë, Serbia nuk ka përmbushur plotësisht detyrimin për të mos penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, ka vazhduar kundërshtimin diplomatik ndaj Kosovës dhe nuk ka avancuar drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve. Në anën tjetër, Kosova nuk ka themeluar Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, që përbën një nga detyrimet kryesore të Marrëveshjes së Brukselit, ndërsa integrimi i plotë institucional dhe politik i veriut ka mbetur i brishtë për shkak të bojkotit dhe tensioneve politike. Prandaj, pretendimi se Serbia i ka përmbushur të gjitha detyrimet, ndërsa Kosova nuk ka zbatuar marrëveshjen, është i pasaktë dhe nuk pasqyron tërësisht procesin e zbatimit të marrëveshjeve nga të dyja palët.
Pretendimi se BE-ja e bashkënënshkroi Marrëveshjen e Brukselit
Vuçiq thotë gjithashtu:
“…it was co-signed by European Union.” (Në shqip: “…ajo ishte bashkënënshkruar nga Bashkimi Evropian.”)
Ky formulim është i pasaktë. Marrëveshja e Brukselit u arrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Bashkimi Evropian kishte rolin e ndërmjetësuesit dhe lehtësuesit të dialogut, por nuk ishte palë bashkënënshkruese në të njëjtin kuptim si Kosova dhe Serbia.
Në këtë mënyrë, Vuçiq ndërton një narrativë ku Serbia paraqitet si pala që ka bërë kompromiset dhe ka përmbushur detyrimet, ndërsa Kosova si pala kryesisht përgjegjëse për moszbatimin e marrëveshjeve. Paralelisht, krahasimi i NATO-s me Rusinë në Ukrainë shërben për të relativizuar përgjegjësinë për agresionin dhe për të vendosur në të njëjtin kornizim dy konflikte me kontekste historike dhe juridike të ndryshme.