[email protected]
Rishikimi i javës: Përmbajtje të paverifikuara dhe dezinformata në media sociale rreth konfliktit Hamas-Izrael, dezinformatë se Hamasi ka blerë armë nga UÇK-ja, clickbait artikull rreth pagesave të policëve
shape
shape
shape

Java që shkoi u karakterizua me dominimin e përmbajtjeve të paverifikuara dhe dezinformatave në ekosferën keqinformuese në përmbajtjet në gjuhën shqipe.

Përmbajtje të paverifikuara, që në vete përmbajnë fotografi, video materiale me pretendimin se ndërlidhen me konfliktin Hamas-Izrael, janë publikuar nga faqe të ndryshme në mediat sociale.

Fotografi dhe video dezinformuese të publikuara në mediat sociale ndërlidhur me konfliktin Hamas-Izrael, ndërsa nga mediat serbe u dezinformua se Hamasi ka blerë armë nga UÇK-ja.

Lajme të rreme në media sociale me pretendimin se FSK-ja është armatosur me tanke, një fotografi me një imazh të fabrikuar të një flamuri palestinez, të shpalosur në tribunat e një stadiumi.

Përmbajtje mashtruese në TikTok me një video-material në të cilën shfaqet momenti i shpalosjes së një pikture me portretin e Adem Jasharit.

Clickbait artikuj në media për një vdekje që nuk ka ndodhur në Kosovë dhe nuk i bëhet e ditur vendndodhja e ngjarjes në titull, si dhe rreth një deklarimi të Egzon Azemit, një zyrtari të LVV-së mbi pagesat e policëve.

Premtim i pa mbajtur nga deputeti Enver Dugolli, për ekzekutimin e shtesave të rrezikshmërisë për policët, për mënyrën e trajtimit dhe premtimit se kjo çështje do të zgjidhet për dy-tre ditë.

Përmbajtje e paverifikuar

Disa portale informative në gjuhën shqipe kanë publikuar me datë 8 tetor një artikull me titull “’Dërgoni ushtarë turq në Gaza’, protesta në Stamboll në mbështetje të palestinezëve”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se video-materiali që paraqet protestuesit në Turqi duke brohoritur “dërgoni ushtarët tanë në Gaza”, është e vjetër, e realizuar në maj të vitit 2021. (këtu)

Faqja në Facebook “Rruga Drejt Islamit” ka publikuar një video-material të shkurtër me pamjet që paraqesin disa persona duke u lutur në momentin që bie një bombë afër shtëpisë së tyre. Kjo faqe pretendon se pamjet janë aktuale dhe paraqesin bombardimet gjatë konfliktit që po ndodh ndërmjet Hamasit dhe Izraelit. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se video-materiali është realizuar në vitin 2021. (këtu)

Faqja në Facebook me emrin “Gazeta Selam” ka publikuar me datë 10 tetor një imazh në të cilën paraqitet një fëmijë me një kukull në dorë, e ulur në rrënojat e një ndërtese të shkatërruar. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo fotografi është e vjetër. Duke e ditur se kjo faqe, e cila gjatë ditëve të fundit ka publikuar materiale në lidhje me konfliktin aktual ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, është munduar që edhe këtë imazh ta paraqesë si aktual. (këtu)

Faqja në Facebook me emrin “Rruga Drejt Islamit” ka publikuar një video-material në pamjet e së cilës shfaqen rrënoja të shumta të objekteve të shkatërruara. Duke u bazuar në publikimet e kësaj faqeje dhe nga komentet në po këtë publikim, nënkuptohet se video-materiali shfaq pamjet e shkatrrimeve të konfliktit në Gaza. Por që pas verifikimit nga hibrid.info, është vërtetuar se video-materiali është i vjetër dhe shfaq pamje nga Turqia, pas tërmetit në fillim të këtij viti. (këtu)

Një faqe në Facebook ka publikuar një video-material të vjetër (shtator 2023) ku shihen pamje të një parade ushtarake në Jemen. Bazuar në aktivitetin e faqes, video-materiali është munduar të paraqitet si aktual, me pretendimin të ndërlidhet me situatën aktuale në Gaza. (këtu)

Llogaria në Facebook me emrin “Al Khattab” ka publikuar një video-material që shfaq momente të lansimit të një rakete. Kjo llogari me anë të mbishkrimit pretendon se pamjet tregojnë lansimin e raketës, e cila ka cak Izraelin. Por pas hulumtimit të fakteve nga hibrid.info, është kuptuar se video-materiali është i vjetër dhe në fakt, nuk ka të bëjë me konfliktin ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. (këtu)

Dezinformatë

Disa portale informative në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me pretendimin se shtëpia evropiane e futbollit “UEFA” ka përzgjedhur dy futbollistë shqiptarë në formacionin më të mirë në kualifikimet për kampionatin evropian “EURO 2024”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se UEFA nuk ka përzgjedhur formacionin më të mirë në këto eliminatore, por që kjo përzgjedhje është bërë nga një platformë e specializuar për rezultatet sportive në kohë reale “SofaScore.com”. (këtu)

Faqja në Facebook “The Reis” ka publikuar me datë 15 tetor një video-material të vitit 2021 me pretendimin se pamjet paraqesin automjetet egjiptiane të ndihmave, duke pritur para kufirit Rafah për të shkuar në Gaza. Pra, faqja e lartcekur është munduar që këtë video të vjetër ta paraqesë si aktuale, duke e ndërlidhur me konfliktin aktual ndërmjet Hamasit dhe Izraelit. (këtu)

Medium në gjuhën serbe “Alo.rs’ ka publikuar një artikull me pretendimin se “Një pjesë e madhe e armëve ilegale nga Kosova që ishin në duart e UÇK-së përfunduan te Hamasi!”. Gazeta në fjalë, duke iu referuar një deklarate të ish-kolonelit amerikan, Douglas Macgregor të bërë gjatë një analize lidhur me konfliktin Hamas-Izrael, pretendon se UÇK-ja po e armatos grupin palestinez Hamas. Macgregor pretendon se “disa nga këto armë në fakt gjetën rrugën e tyre nga tregu ilegal i Kosovës në Ukrainë dhe Gaza”. Pretendimi i Macgregor nuk bazohet në fakte por në, siç i quan ai vet, informacione të pakonfirmuara. Njëkohësisht, ai, në deklaratën e tij nuk e përmend Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) apo ndonjë organizim tjetër lidhur me pretendimin. (këtu)

Disa faqe në Facebook kanë publikuar me datë 14 dhe 15 tetor një video-material të shkurtër me pretendimin se pamjet paraqesin qytetarët nga Egjipti, duke kaluar kufirin për t’iu dërguar ndihma qytetarëve në Gaza. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se video-materiali është i vjetër dhe nuk ka të bëjë me dërgimin e ndihmave nga qytetarët e Egjiptit për në Gaza. (këtu)

Faqja në Facebook “The Reis” ka publikuar një video-material me pretendimin se pamjet paraqesin një tjetër raketë të Brigadave “Izzettin Qassam” e cila kaloi mbi Kupolën e Hekurt dhe u rrëzua në Tel Aviv. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se video-materiali është i vitit 2021 dhe nuk paraqet konfliktin aktual ndërmjet Hamasit dhe Izraelit. (këtu)

Lajm i rremë

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një postim me imazhin ku shfaqet një tank për të cilin pretendohet se do t’i përket Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK). Mirëpo pas hulumtimit dhe verifikimeve të fakteve, hibrid.info ka gjetur se imazhet janë marrë nga faqja zyrtare e FSK-së në Facebook me emrin “Forca e Sigurisë së Kosovës”. Hibrid.info ka vërtetuar se nuk bëhet fjalë për pajisje me tank për FSK-në. Imazhet shfaqin pamje nga Konferenca dhe Panairi vjetor “AUSA 2023” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), në të cilën ishte pjesëmarrës shefi i stafit të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së, Gjeneral Brigade Ilir Qeriqi. (këtu)

Faqja në Facebook me emrin “Bota Islame” ka publikuar një video-material (14 tetor) pjesë nga një fjalim i emirit te Katarit. Në mbishkrimin e postit pretendohet se ai është deklaruar se në rast të mos ndalimit të bombardimit të Gazës, Katari do të ndalojë furnizimin me gaz në botë. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është vërtëtuar se video-materiali në fjalë, shfaq pamje nga fjalimi i Emirit të Katarit në vitin 2017 dhe ka të bëjë me çështjen e refugjatëve. (këtu)

Disa faqe në Facebook me postime që kanë përmbajtje në gjuhën shqipe, kanë publikuar një fotografi me një imazh të fabrikuar të një flamuri palestinez, të shpalosur në tribunat e një stadiumi. Nëpërmjet kësaj fotografie me imazh të fabrikuar, ngritët edhe një pretendim i rremë se gjoja flamuri i Palestinës është shpalosur nga tifozët e klubit futbollistik spanjoll, Atletico Madrit. Megjithatë, pavërtetësia e këtij imazhi u konstatua pas verifikimit të fakteve të kryera nga hibrid.info, që rezultuan me konstatimin se imazhi është krijuar në mënyrë digjitale, përmes aplikacioneve me Inteligjencë Artificiale (IA), pra nuk është autentik. (këtu)

Mashtrim

Llogaria në TikTok me emrin “shqip51” ka publikuar një video-material në të cilën shfaqet momenti i shpalosjes së një pikture me portretin e Adem Jasharit. Autori i publikimit i ka shtuar edhe mbishkrimin që vlerëson se kjo ekspozitë nuk i ka pëlqyer Edi Ramës, kryeministrit shqiptar dhe Ana Bërnabiqit, kryeministres serbe. Por që hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka gjetur se në video-material është ndërhyrë, duke gjetur se piktura e cila ishte shpalosur, nuk shfaqte portretin e Adem Jasharit. (këtu)

Clickbait

Portali informativ “Kosova ” ka publikuar një artikull me titull “Gjendet e vdekur në dhomën e saj të hotelit këngëtarja e njohur”. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është vërtetuar se titulli është përgjithësues që nuk sqaron se për cilën këngëtare bëhet fjalë dhe se ku ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtjen e artikullit, ku thuhet “Trupi i një gruaje është gjetur, mbrëmjen e djeshme, në një hotel në Trstenik të Serbisë”. (këtu)

Disa media në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull, në titullin e së cilit pretendohet se një deklarim i Egzon Azemit, një zyrtari të LVV-së mbi pagat e policëve, është hedhur poshtë nga kreu i Sindikatës së Policisë. Por që, pas verifikimit nga hibrid.info, është vërtetuar se Azemi nuk është deklaruar mbi rrogën e policëve dhe se kreu i policisë nuk e ka hedhur poshtë deklarimin e Azemit,  duke e konfirmuar dhe sqaruar edhe më tej. (këtu)

Kontrolli dhe vlerësimi i deklaratave

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i ftuar në emisionin “Debat Plus” në televizionin Dukagjini, të datës 27 shtator, pyetjes së njërit nga panelistët në raport me mos ekzekutimin e shtesave të rrezikshmërisë për policët, u ishte përgjigjur me arsyetimin se ende nuk ka dakordancë nga ministritë (Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme) për mënyrën e trajtimit dhe se kjo çështje do të zgjidhet për dy-tre ditë. Bazuar në faktin që në Kuvendin e Kosovës është hedhur në votim rezoluta që do të obligonte Qeverinë e Kosovës, që brenda disa afateve t’i ndante shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës si dhe po ashtu, bazuar në deklarimin e sotshëm të kryeministrit Kurti, i cili ka kërkuar kohë në plotësimin e kushteve për policët e Kosovës, hibrid.info vlerëson se premtimi i 27 shtatorit i deputetit, Enver Dugolli mbi realizimin e shtesave të rrezikshmërisë për policët, brenda dy-tre ditësh, nuk është realizuar. (këtu)

Share With Others

Translate »