Portali informativ “Ntv Televizion” ka publikuar dje (14 shkurt) një imazh në Facebook, më portretin e ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien.
Fotografisë së ndihmës Sekretarit O’Brien i është shtuar edhe mbishkrimi që pretendon se ai është deklaruar se SHBA-të ,“Qeverinë e Kosovës nuk e konsiderojmë si partnere”.
Pas verifikimit nga hibrid.info është vërtetuar se deklarata si e tillë e O’Brien, nuk është publikuar e plotë.
Vegëza e imazhit të publikuar nga “Ntv Televizion” në Facebook:

Këtij postimi i është bashkangjitur edhe vegëza e artikullit të publikuar nga portali i kësaj faqeje, “ntv.al” (shih këtu).
Nga titulli dhe përmbajtja e këtij artikulli, hibrid.info ka gjetur se deklarata e ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, nuk është paraqitur e plotë në imazhin e publikuar në Facebook.
Titulli dhe një pjesë nga përmbajtja e këtij artikulli:
SHBA e egër me Albin Kurtin: Nëse ai nuk na trajton si partner, nuk mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere
Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.
Në një intervistë për shefin e shërbimit shqip të Zërit të Amerikës Arben Xhixho, zoti O’Brien thotë se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara. “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.
Mos publikimi i plotë i deklaratës dhe paraqitja e saj në kohën e tashme (këtu), në këtë rast lë të nënkuptojë se SHBA-të nuk po e trajtojnë Qeverinë e Kosovës, si partner.
Hibrid.info ka hulumtuar edhe më thellë dhe ka gjetur të publikuar në mediat e tjera deklaratën e plotë të O’Brien (shih këtu, këtu dhe këtu).
Analiza:
Është pretenduar se ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien ka deklaruar se SHBA-të nuk e konsiderojnë si partner Qeverinë e Kosovës.
Por, pas verifikimit nga hibrid.info është vërtetuar se deklarata e O’Brien nuk është paraqitur e plotë dhe i është ndërruar konteksti.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.