Disa media serbe kanë raportuar se NATO po redukton praninë e saj ushtarake në Kosovë dhe se kjo mund të nënkuptojë “dorëzim të sigurisë Prishtinës”, duke rritur pasigurinë për komunitetin serb në vend.
Në këto raportime sugjerohet gjithashtu se bëhet fjalë për një proces të koordinuar që çon drejt tërheqjes graduale të misionit të KFOR-it.
Çfarë pretendojnë mediat serbe?
Në artikujt e publikuar nga Informer dhe Blic.rs, pretendohet se NATO po e zvogëlon praninë ushtarake në Kosovë me qëllim transferimin e sigurisë tek institucionet e Kosovës dhe se ky proces lidhet me rritjen e kontrollit të Prishtinës zyrtare në terren. Sipas këtyre raportimeve, reduktimi i KFOR-it do të rrisë praninë e Policisë së Kosovës në zonat me shumicë serbe dhe se ekziston një skenar afatgjatë për tërheqjen graduale të misionit ndërkombëtar.
Në të njëjtën kohë, këto media theksojnë se reduktimi i trupave të KFOR-it mund të interpretohet si sinjal për rritje të rolit të Policisë së Kosovës në terren dhe si zhvillim që mund të ndikojë në ndjenjën e sigurisë së komunitetit serb. Po ashtu, citohet se NATO ka deklaruar se situata e sigurisë në Kosovë është “e qëndrueshme”, gjë që ka mundësuar rishikimin e pranisë së misionit, ndërsa ndryshimet do të bëhen gradualisht dhe në përputhje me kushtet në terren.
Megjithatë, në këto raportime nuk ka konfirmim për ndonjë vendim për tërheqje të KFOR-it për transferim të përgjegjësive të sigurisë tek institucionet e Kosovës. Në këto artikuj përfshihen edhe deklarata të ish-gjeneralit serb Mitar Kovaq, i cili e interpreton reduktimin e mundshëm të trupave të NATO-s si pjesë të një strategjie të koordinuar për ndryshim të rolit të misionit të KFOR-it.
Çfarë njoftoi NATO?
Sipas njoftimit të NATO-s, Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali Alexus G. Grynkewich, ka bërë të ditur se aleanca do të përshtatë gradualisht praninë e misionit të KFOR-it gjatë vitit të ardhshëm, për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë. Ai ka theksuar se NATO mbetet e përkushtuar për sigurinë në Kosovë dhe se stabiliteti i përmirësuar ka krijuar mundësi për optimizim të madhësisë dhe pozicionimit të KFOR-it. Sipas tij, ndryshimet do të bëhen gradualisht dhe mund të rikthehen nëse situata përkeqësohet.
Zëdhënës të NATO-s kanë sqaruar se nuk bëhet fjalë për tërheqje të misionit, por për optimizim të pranisë dhe strukturës së tij, bazuar në vlerësimet e sigurisë në terren.
Uljen e numrit të ushtarëve të KFOR-it në Kosovë, sekretari i NATO-s, Mark Rutte, e cilësoi lajm të mirë. Ai tha se kjo ndodh pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë (shih këtu).
Misioni i KFOR-it është vendosur në Kosovë në vitin 1999 në bazë të Rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), pas përfundimit të luftës. Sipas të dhënave të publikuara, në Kosovë aktualisht ndodhen rreth 4,600–4,657 pjesëtarë të KFOR-it nga 31 shtete, krahasuar me rreth 50,000 trupa në vitin 1999. Misioni ka për detyrë të garantojë mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Pretendimet se NATO po dorëzon sigurinë në Kosovë, se KFOR-i po përgatitet për tërheqje të plotë apo se ekziston një plan për rrezikim të komunitetit serb nuk mbështeten me prova të verifikueshme. KFOR-i vazhdon të ketë mandat aktiv ndërkombëtar, çdo ndryshim në numrin e trupave është pjesë e rregullt e rishikimeve të NATO-s dhe nuk ka vendim për tërheqje të misionit. NATO e lidh çdo përshtatje të pranisë së saj me përmirësimin e situatës së sigurisë në terren.
Analiza:
Raportimet nga mediat serbe që pretendojnë se reduktimi i trupave të KFOR-it në Kosovë nënkupton përgatitje për tërheqje të plotë apo “dorëzim të sigurisë” te Prishtina zyrtare dhe kërcënon sigurinë e komunitetit serb, nuk mbështeten me fakte zyrtare.
NATO ka bërë të qartë se misioni i KFOR-it mbetet i pranishëm dhe çdo ndryshim bëhet gradualisht dhe në përputhje me vlerësimet e sigurisë në terren.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtjeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

