Publikohet një imazh ku shfaqet Rifat Jashari, vëllai i Adem Jasharit, komandantit dhe një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa në imazh pretendohet se ai ka bërë një deklaratë në lidhje me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Në imazh shkruhet: “Rifat Jashari: Edi Rama do e paguash shtrenjtë hapjen e konsulatës serbe në trojet shqiptare në ndërkohë kur Kosova përballet me gjetjen e varrezave massive nga gjenocidi sërb”.
Kjo përmbajtje u publikua më 4 gusht në Facebook nga faqja “Unioni i Shqiptarëve në Evropë – European Union of Albanians”.

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë burim i besueshëm që do ta konfirmonte se Rifat Jashari e ka bërë këtë deklaratë.
FAKTET
Hibrid.info fillimisht ka verifikuar nëse Rifat Jashari ka llogari të identifikueshme në mediat sociale, përmes të cilave do të mund të konfirmohej nëse deklarata ishte publikuar prej tij. Nga kërkimi i kryer, nuk është gjetur ndonjë llogari e tij e verifikuar apo e besueshme në mediat sociale.
Më pas, është bërë kërkim përmes motorit të kërkimit “Google”, duke përdorur tekstin e plotë të deklaratës së pretenduar. Rezultatet e kërkimit nuk kanë treguar se kjo deklaratë është publikuar nga ndonjë media e besueshme apo burim tjetër kredibil (shih këtu).
Bazuar në këto verifikime, nuk ka dëshmi që Rifat Jashari e ka bërë deklaratën e paraqitur në imazh.
Kjo përmbajtje është trajtuar nga hibrid.info për shkak të përhapjes së saj në Facebook. Deri në publikimin e këtij artikulli, postimi kishte marrë mbi 1 mijë e 300 reagime, 135 komente dhe 231 shpërndarje (shih fotografinë më poshtë).

Kjo nuk është hera e parë që figura e Rifat Jasharit keqpërdoret për krijimin dhe përhapjen e përmbajtjeve keqinformuese. Hibrid.info ka trajtuar më herët edhe tetë përmbajtje të tjera keqinformuese që lidhen me të (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Analiza
Një imazh i publikuar në Facebook pretendon se Rifat Jashari ka bërë një deklaratë kërcënuese ndaj Edi Ramës.
Megjithatë, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë burim të besueshëm që e konfirmon këtë deklaratë, ndërsa figura e Jasharit është përdorur edhe më herët në përmbajtje keqinformuese.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.