Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një artikull i titulluar “Bizneset nisin javën pa energji elektrike, konfirmojnë se kanë nisur procedurat për ikje nga Kosova”.
Artikulli është publikuar të hënën (19 gusht) nga mediumet online “rtv21.tv” dhe “demokracia.com”.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Hibrid.info ka konstatuar se pretendimi i paraqitur në titull dhe në artikull se “bizneset konfirmojnë se kanë nisur procedurat për ikje nga Kosova” është përgjithësues, pasi ky pretendim mbështetet vetëm në deklaratën e një burimi.

Në kreun e lajmit tregohet se disa biznese kanë mbetur pa rrymë kur thuhet se: “Një numër i madh biznesesh nuk e nisën punën si zakonisht, meqë gjatë fundjavës KEDS me urdhër të ZRRE-së dhe me prani të Policisë i la pa rrymë rreth 450 biznese në Kosovë duke shkaktuar telashe të mëdha në operimin e tyre.”
Tutje, thuhet se: “KEDS bëri me dije se ka nisur shkëputjen e energjisë elektrike në të cilën listë janë rreth 450 biznese.”
Në artikull si burime janë përdorur deklarata e Lulzim Rafunës, kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), një organizatë profesionale jofitimprurëse që përfaqëson interesat e bizneseve të anëtarësuara, deklaratat e Agim Shahinit dhe Lumnije Hajdinit, kryetarit dhe drejtoreshës së Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), si dhe deklarata e afaristit Ahmet Kuçi.
Mirëpo, pohimi në artikull se bizneset kanë nisur procedurat për largimin nga Kosova mbështetet në deklarimin e afaristit Kuçi.
Deklarata e afaristit Ahmet Kuçi:
“Unë veç jam në Tiranë e kam një linje atje. Por e kemi gjete edhe një fabrikë në Kukës të cilën po shohim mundësitë që ta marrim meqë punëtorët nuk mund t’i çojë të gjithë në Tiranë. Në Kukës kemi më shumë leverdi por do të detyrohem të blej autobus për t’i bartë punëtorët që është kosto shtesë”
Përveç këtij deklarimi, në artikull nuk konfirmohet pretendimi i njëjtë nga burimet e tjera, në këtë rast nga Rafuna, Shahini dhe Hajdini.
Analiza:
Pretendimi në artikull se “Bizneset që nisën javën pa energji elektrike, kanë konfirmuar se kanë nisur procedurat për ikje nga Kosova” është përgjithësues.
Ky pretendim është mbështetur vetëm në deklaratën e afaristit Ahmet Kuçi dhe nuk reflekton qëndrimet e të gjitha bizneseve apo të organizatave përfaqësuese të tyre.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson si “Përmbajtje të paverifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.



