[email protected]
Saga e Manastirit të Deçanit
shape
shape
shape

Sagës së Manastirit të Deçanit mbi pronësinë e 24 hektarëve tokë përreth objekteve të veta kishtare u erdhi fundi. Më 20 mars, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë konfirmoi se Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 24 hektarë tokë në Kadastrën qendrore të Kosovës, në Prishtinë.

Më 13 mars, kryeministri Albin Kurti kërkoi nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që atë pronë ta regjistrojë në emër të manastirit. Kërkesa e qeverisë erdhi me rreth 8 vjet vonesë, pasi më 26 maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur në favor të Manastirit për 24 hektarët e kontestuar.

Por, çka çoi në këtë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese?

Nisma Evropiane për Stabilitet (ESI), organizatë ndërkombëtare, para pak ditësh publikoi një raport në lidhje me çështjen e pronave të kontestuara të Manastirit të Deçanit, ku i kërkonte qeverisë së Kosovës të zbatonte aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në atë raport u dhanë edhe detaje në lidhje me 24 hektarët e pretenduar nga klerikët ortodoksë.

“Pjesa më e madhe e kësaj toke është regjistruar për një kohë të gjatë në kadastër si pronë e Manastirit të Deçanit. Por 24 parcela – ato që përfshijnë fushën (A) dhe pyllin (B), si dhe katër parcela të vogla toke në mes të qytetit të Deçanit – u regjistruan në kadastër në emër të manastirit në fillim të vitit 1998, pasi iu dhuruan nga shteti serb në fund të vitit 1997”, thotë ndër të tjera ky raport.

(si ta lexojmë foton më sipër, sipas ESI: Vija e kuqe tregon tokën që manastiri e konsideron pronë të veten, që rrethon kishën dhe ndërtesat kryesore. Kjo tokë është e gjitha pjesë e një zone të veçantë të mbrojtur (ZVM), e përcaktuar dhe e vendosur në legjislacionin e Kosovës për mbrojtjen e monumenteve dhe vendeve me rëndësi të veçantë për pakicat. Zona shtrihet përtej vijës së kuqe. Brenda vijës së kuqe, vijat e verdha shënojnë dy pjesë të diskutueshme të pronës. Njëra është një fushë (A). Tjetra është një pyll (B). Këto përbëjnë 24 hektarë. Ka edhe parcela të vogla toke (të shënuara me të kuqe dhe të verdhë në këndin e poshtëm djathtas) në mes të qytetit të Deçanit).

24 parcelat që iu dhuruan manastirit në vitin 1997, sipas ESI, që të gjitha kishin numrat përkatës të parcelave. Kjo pronë, në atë kohë kishte qenë në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore “APIKO” dhe “Iliria”, njëra hotel e tjetra fabrikë e mjaltit.

Prandaj, pas përfundimit të luftës, në vitin 2000, dy ndërmarrjet në fjalë argumentonin para Gjykatës Komunale se këto parcela duhet t’u kthehen atyre, ashtu siç kanë qenë në kadastër si prona të tyre.

Gjykata Komunale e Deçanit, në qershor të vitit 2002, pati nxjerrë vendimin se dhurimi i 24 parcelave nga shteti serb për manastirin ishte shkelje e të drejtave pronësore. Pati urdhëruar që këto parcela të riregjistrohen në kadastër në emër të ndërmarrjeve shoqërore. Ashtu edhe pati ndodhur.

Mirëpo, ky vendim ishte vetëm fillimi i një beteje të gjatë ligjore.

Më 2005, një gjykatë në Pejë e kishte rrëzuar vendimin e vitit 2002. Me gjithë vendimet ekzekutive të UNMIK-ut në vitin 2008, i cili kërkonte që 24 parcelat e kontestuara t’i regjistroheshin në emër të Manastirit të Deçanit, situata në terren nuk ndryshoi.

Pastaj në maj të vitit 2009, UNMIK-u, i përfaqësuar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), përgjegjëse për të gjitha ndërmarrjet shoqërore dhe pronat e tyre, propozoi në Gjykatën Supreme të Kosovës një zgjidhje për manastirin e Deçanit.

Ideja ishte që UNMIK/AKM do t’i transferonte, në emër të dy ndërmarrjeve shoqërore të cilat i përfaqësonte ligjërisht, 20 nga këto 24 parcela të kontestuara të tokës në manastir (fusha A dhe pylli B). Në këmbim, manastiri do të hiqte dorë nga të drejtat e tij për katër parcelat në qytetin e Deçanit.

Ati Sava Janiq, igumeni i Manastirit të Deçanit, ishte deklaruar pro kësaj marrëveshjeje.

Megjithatë, ky nuk ishte fundi i betejës ligjore. Gjatë viteve në vijim, avokatët që përfaqësonin kompanitë shoqërore, Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe Komunën e Deçanit, e kundërshtuan këtë, duke argumentuar se UNMIK/AKM nuk kishte të drejtë të lidhte një marrëveshje të tillë.

Mirëpo, në marsin e vitit 2009, Gjykata Supreme vendosi se UNMIK/AKM kishte “të drejtën e vetme për të përfaqësuar interesat e ndërmarrjeve [në pronësi shoqërore]”.

Në korrik 2010, trupi gjykues i ankesave i Gjykatës Supreme të Kosovës ripohoi se UNMIK/AKM kishte “qëndrimin e vetëm ligjor” në këtë çështje.

Në dhjetor 2011, Gjykata Supreme deklaroi edhe një herë se vendimi për pozitën juridike të UNMIK/AKM-së ishte “përfundimtar dhe rrjedhimisht detyrues dhe jo më i diskutueshëm”.

Më 27 dhjetor 2012, Gjykata Supreme vendosi edhe një herë se kjo çështje tani ishte zgjidhur dhe nuk mund të kundërshtohej më. Parashikueshmëria dhe siguria ligjore kërkonin që vendimet përfundimtare të mos kundërshtoheshin më, pavarësisht nëse “janë të sakta apo jo”.

Më 2015, në Gjykatën Supreme u sfidua sërish ky vendim, duke bërë që çështja të rihapet dhe të marrë një kthesë të jashtëzakonshme, duke rrëzuar gjykimet e veta të mëparshme. Pikërisht atëherë çështja e Deçanit arriti në Gjykatën Kushtetuese, nga e cila u kërkua që ta zgjidhte përfundimisht çështjen në vitin 2016.

Por, ndryshe nga ç’pretendohet në diskursin publik, nuk ishte Gjykata Kushtetuese ajo që vendosi se 24 hektarët i takonin Manastirit të Deçanit. Në vazhdimësi, si kryeministri Kurti, si kundërshtuesit tjerë të njohjes së pronësisë së Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë, ia atribuuan Gjykatës Kushtetuese këtë vendim. Gjyqtarë të kësaj gjykate ishin caqe të sulmeve online e të gjuhës së urrejtjes ndër vite.

Por, Gjykata Kushtetuese nuk ishte e thirrur të vendoste nëse ato 24 hektarë i takojnë Manastirit të Deçanit, por për ta shqyrtuar vendimin e Gjykatës Supreme.

Rrjedhmisht, Gjykata Kushtetuese konfirmoi se vendimi i Gjykatës Supreme të dhjetorit 2012 ishte “përfundimtar dhe detyrues dhe si i tillë si res judicata”, por nuk dha opinion nëse vendimi ishte i drejtë apo jo. Për pasojë, nga ky aktgjykim, nuk mbeti më asnjë hapësirë ligjore për t’u kontestuar kjo çështje.

Asnjë qeveri, e as Komuna e Deçanit, s’e kishte vullnetin ta çonte tutje aktgjykimin e Kushtetueses

Që nga aktgjykimi i kushtetueses për pronat e Manastirit të Deçanit, bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht ka kërkuar që të zbatohet ai vendim.

Më 2016, presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi, pati thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese rreth pronës kishtare në Deçan është i bazuar në Kushtetutën e Shtetit dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Kosova është shtet ligjor ku vendimet gjyqësore respektohen. Prona është e patjetërsueshme, e kujtdoqoftë ajo”, ishte shprehur Thaçi asokohe.

Edhe kryeministri i asaj kohe, Isa Mustafa, ishte deklaruar pro zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.

“Ne deri tash nuk kemi pasur rast që është kundërshtuar një vendim i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse nganjëherë nuk na kanë pëlqyer këto vendime. Vendimi i gjykatës duhet të respektohet, sepse është fjala për një vendim nga organi më i lartë që e interpreton Kushtetutën e vendit dhe ne nuk duhet të vëmë në pikëpyetje realizimin e Gjykatës Kushtetuese”, pati deklaruar Mustafa.

Mirëpo, kundër ishte komuna e Deçanit. Kryetari i saj, Bashkim Ramosaj, më 2019 deklaronte se “nuk do ta zbatojë këtë vendim” edhe nëse kjo do t’i kushtonte me postin e kryetarit. Madje, për këtë këmbëngulje, Ramosaj thoshte se e ka edhe mbështetjen e shefit të partisë së tij, AAK-së, pra kryeministrit të asokohshëm Ramush Haradinaj.

Të njëzëshëm me Komunën e Deçanit ishin edhe në Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo parti vlerësonte se vendimi i Gjykatës Kushtetuese legjitimon “politikat fashiste, kolonizuese e gjenocidale” të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Është e habitshme se si institucione të larta si Gjykata Kushtetuese marrin një vendim për të legjitimuar vendimet e një regjimi që u cilësua si regjim kriminal e gjenocidal nga e gjithë bota në atë kohë”, thoshte LVV-ja në atë kohë.

Madje kreu i saj, tash kryeministri Albin Kurti, thoshte se 24 hektarët, Manastirit të Deçanit i ishin dhuruar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Ai thoshte se priftërinjve të këtij manastiri s’kanë çka u duhen kaq shumë hektarë.

“Manastiri i Deçanit e ka oborrin e vet dhe unë jam dakord që duhet të ketë sa tokë që ju nevojitet për jetesë dhe punë priftërinjve aty, mirëpo jo kjo të jetë në llogari të popullsisë lokale. Ata priftërinj kanë nevojë për 3 hektarë, 4 e kështu me radhë, por pse iu duhen 1 mijë hektarë, çfarë do të bëjnë ata priftërinj aty? Ajo është tepër shumë për ata tepër pak njerëz që jetojnë dhe banojnë aty”.

“Unë iu bëj thirrje priftërinjve të Deçanit të heqin dorë nga kërkesat për tokë e pasuri. Kjo nuk është aspak një kërkesë fetare dhe që konsiston në hyjnoren. Problemi i këtyre 24 hektarëve ka histori. Së pari me vendimet e regjimit të Millosheviqit në vitin 1993 dhe 97 dhe së dyti me vendimet ekzekutive të UNMIK-ut. Ne kemi besuar që pas shpalljes së pavarësisë do të kemi ndërprerje të kësaj padrejtësie dhe çrrënjosje të saj, e jo sforcim të saj, siç ishte rasti në Gjykatën Supreme, por mbase ky është dallimi i pavarësisë me vetëvendosje dhe pa vetëvendosje”, thoshte Kurti në vitin 2013 në Kuvendin e Kosovës.

Kurti duket se e kuptoi më në fund se ajo pronë, megjithatë, u duhet priftërinjve të këtij manastiri.

Kjo pasi më 13 mars 2024, kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e rregullt të kabinetit të tij qeveritar, deklaroi se i ka kërkuar Agjencionit Kadastral të Kosovës “që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

“Pas një procesi masiv të takimeve, vizitave e të komunikimeve, na është bërë e qartë që nga shumë kushte që i kemi pasur për anëtarësim në Këshillin e Evropës, disa janë konstatuar që janë plotësuar e disa janë listuar si çështje jo-urgjente, por njëri mbetet dhe nuk do të hiqet: zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit”.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës nuk na pëlqen ai vendim i çuditshëm e i padrejtë, e ndërkohë ka edhe procese tjera gjyqësore pezull për këtë çështje, teksa ne si qeveri nuk kemi më mjete legale e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk do e ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë”.

Ndonëse nga opozita, veprimi i kryeministrit Kurti u kritikua, sidomos duke pasur parasysh kundërshtinë që i njëjti derisa ishte në opozitë ia bënte këtij aktgjykimi, bashkësia ndërkombëtare e vlerësoi pozitivisht.

Artikull analitik nga Agon Osmani

Share With Others