[email protected]
Rishikimi i javës: dezinformata rreth veriut, mashtrime me çmime të banesave, teori konspirative nga mediat serbe, clickbait artikuj me deklarata të vjetra
shape
shape
shape

Dezinformatat dhe clickbait artikujt zunë hapësirën më të madhe në sferën keqinformuese në Kosovë gjatë javës që shkoi.

Dezinformatat ndërlidheshin me temat si, dërgimi i njësive speciale në veri të Kosovës, çmontimin e të gjitha stadiumeve të kampionatit botëror në Katar 2022, si dhe deklarata të vjetra të ri-publikuara në formë dezinformuese.

Clickbait artikujt kryesisht u karakterizuan me deklarata të vjetra e të ri-publikuara si aktuale si dhe artikuj që nuk e bëjnë të qartë vendndodhjen e ngjarjes.

Gjatë javës që shkoi pati artikuj mashtrues që kishin të bënin me shitjen dhe çmimin e banesave, si dhe me fotografi të grave të huaja duke i paraqitur si shqiptare për lidhje dashurie.

Përmbajtje të pa verifikuar kishim lidhur me pretendimin se Erdogan i ka reaguar Borellit gjatë bisedimeve Kosovë-Serbi lidhur me targat në Bruksel.

Si dhe teori konspirative lidhur me pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po synon eliminimin dhe dëbimin e serbëve të Kosovës.

Mashtrim

Faqja në Facebook me emrin “Vajzat shqiptare” publikon fotografi të grave jo shqiptare, të cilat i paraqet se janë nga Shqipëria dhe Kosova. Me anë të këtyre fotografive të personazheve të huaja, kjo faqe i paraqet ato si shqiptare, duke mashtruar se ato janë në kërkim të një lidhje dashurie. (këtu)

Këto portale të dyshimta kanë përdorur një fotografi nga një shpallje e vjetër për shitjen e një banese, të cilën e kanë publikuar me pretendimin ta paraqesin si aktuale, duke mashtruar në titull se gjoja kjo banesë është urgjentisht në shitje me një çmim prej vetëm 28 mijë e 600 euro. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info bazuar në metodologjinë e punës, ky artikull i publikuar nga portale të dyshimta është vlerësuar si “Mashtrim”. (këtu)

Dezinformatë

Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar pretendimin e “Novostit” se janë nisur 40 automjete të Policisë së Kosovës drejt veriut me urdhër të Kurtit dhe se ministrat Sveçla dhe Mehaj kanë qëndruar në kampin “belvederë” në jug të Mitrovicës. Pretendimet e mediumeve serbe i kanë mohuar shefi i kabinetit të presidencës së Kosovës, Blerim Vela, vetë ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla dhe policia e Kosovës. (këtu)

Faqja në Facebook “Pamfleti.com” ka publikuar një deklaratë të vjetër të ish-këshilltarit të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Driton Tali, i cili më 27 shkurt sa ishte pjesë e kabinetit të Konjufcës, ishte shprehur se “Serbia do ta pësonte shumë me keq se Rusia në Ukrainë, nëse do t’ia mësynte Kosovës”. Kjo faqe është munduar që këtë artikull ta paraqesë si aktual, duke i vënë titull të sajuar me pretendimin se “vjen paralajmërimi i fundit nga këshilltari i Glauk Konjufcës për Serbinë”. (këtu)

Portale të dyshimta kanë publikuar një artikull me pretendimin se stadiumet për Kupën e Botës do të çmontohen pas përfundimit të kësaj gare. Mirëpo, ky pretendim nuk është i saktë, pasi vetëm njëri nga këta stadiume pritet të çmontohet, pasi i njëjti është i ndërtuar me kontejnerë transporti. Këtë stadium e ka kërkuar presidenti i FFK-së, Agim Ademi si donacion për Kosovën. (këtu)

Teori konspirative

Disa media serbe duke u nisur nga deklaratat e presidentit serb Vuçiq dhe përfaqësuesit të BE-së, Borell kanë hedhur pretendimin se Kurti po kërkon luftë, po synon eliminim dhe dëbimin e serbëve e jo marrëveshje, kërkon stuhi në Kosovë. Por bazuar në deklaratat e bëra, deklaratat e Vuçiqit nuk lënë hapësirë për pretendime të tilla si dhe Borell i fajëson të dy palët për mos arritjen e një marrëveshjeje për targat. Për më tepër, edhe deklaratat e Kurtit të bëra pas takimit nuk nënkuptojnë një tendencë se nuk po kërkon marrëveshje por luftë, përkundrazi ai shprehet se është i gatshëm të vijë për bisedime në Bruksel. (këtu)

Clickbait

Portali “Botasot.info” ka publikuar një artikull me titull dhe fotografi jo adekuate, me anë të së cilës ka lënë të kuptohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar kryediplomatit evropian Josep Borrell me fjalët “Z. Borrell, turp për ju!”. Mirëpo, lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se këtë reagim e ka bërë kryetari i Republikanëve të Kosovës, Faton Kurti. (këtu)

Faqja në Facebook “Gazeta Rich Shqip” ka publikuar një lajm të vjetër të muajit tetor të vitit 2018, me pretendimin ta paraqesë atë si aktual. Lajmi kishte të bënte me një deklaratë të avokatit të njohur shqiptar, Spartak Ngjela, të bërë lidhur më zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. (këtu)

“Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me një rrahje që ka ndodhur në Universitetin e Stambollit, ndërsa në titull nuk sqaron se për cilin vend bëhet fjalë. Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se kjo ngjarje ka ndodhur në ndonjë universitet në Kosovë. (këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar

Disa faqe në Facebook kanë publikuar përmbajtje me pretendimin se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka reaguar lidhur me deklaratat e përfaqësuesit të BE-së, Josep Borell, i cili e fajësoi Kurtin për mos arritjen e marrëveshjes dhe që BE-ja nuk do të mbajë përgjegjësi nëse eskalon situata në veri të Kosovës. Përkundër faktit që thuhet se ky postim me pretendimin e ekzistimit të një reagimi të tillë nga presidenti turk, dhe se i njëjti reagim i pretenduar është shpërndarë në masë të madhe të madhe në Twitter, hibrid.info pas verifikimi të fakteve nuk arritur ta konfirmojë këtë deklaratë në këtë platformë. (këtu)

Share With Others