[email protected]
Rikthehet pretendimi i paverifikuar për pasuri qindramilionëshe të ish-udhëheqësve të Kosovës
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një publikimi, në TikTok është rikthyer një artikull i vjetër me titull “Pasuria e fshehur e katër liderëve: Kadri Veseli 100 milionë, Thaçi 80, Limaj 82, dhe Ramushi 68 milionë dollarë!”.

Publikimi në TikTok u bë nga llogaria me emrin “shqipe._shqipe._23” dje (25 shtator) dhe deri tash ka marrë mbi 60 mijë shikime e mbi 1400 pëlqime.

Çka nuk shkon me përmbajtjen?

Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, rezulton se përmbajtja e artikullit të “botasot.info”, e rikthyer në TikTok nga llogaria “shqipe._shqipe._23” është e pabazuar në fakte.


Ky artikull në portalin në gjuhën shqipe “botasot.info” mban datën 1 shkurt 2020.

Në përmbajtje, artikulli kishte marrë për bazë “një komentim që një gazetar i kishte bërë një informacioni që mban shenjën si dokument topsekret”. Sipas shkrimit, burimi i informacionit ka qenë “një e re nga Peja, Valentina T. Alijaj, sipas të dhënave në FB, e cila ka postuar vetëm foton pa e komentuar”.

Hibrid.info ka kërkuar në Facebook me emrin Valentina T. Alijaj. Duke verifikuar fotografinë në profilin në Facebook, përmes motorit të kërkimit “Google”, është gjetur se fotografia është e njëjtë sikur e llogarisë “Anna Robosch” në Facebook. Llogaria “Anna Robosch” e kishte publikuar fotografinë më 6 janar 2017, ndërsa llogaria “Valentina T. Alijaj” më 15 shkurt 2018.

Nuk ka pasur asnjë fakt, përpos fotografisë së pretenduar, se udhëheqësit e asaj kohe kanë pasur pasuri qindra milionëshe të fshehur. Hibrid.info ka kërkuar në “Google” me fjalët kyçe “Pasuria e fshehur e Hashim Thacit, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt”. I vetmi artikull i gjetur është ai i “botasot.info”.


Analiza:

Në median sociale TikTok është rikthyer pretendimi për pasuri qindramilionëshe të fshehtë të ish-udhëheqësve të shtetit të Kosovës, Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Fatmir Limaj e Ramush Haradinaj.

Llogaria me emrin “shqipe._shqipe._23” ka kthyer një artikull të “botasot.info” të vitit 2020. Pas kontrollit të fakteve nga hibrid.info, del se përmbajtja ka qenë e paverifikuar.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson publikimet si “Përmbajtje e paverifikuar” dhe “dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »