Përgatiti: Festim Rizanaj
Lajmet e rreme janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.
Lajmet e rreme janë publikuar në disa llogari në Tiktok. Më 25 tetor, llogaria “vipalb2024” pretendoi gabimisht se këngëtari Meda kishte vdekur në një aksident, çka u demantua nga hibrid.info. Po ashtu, më 29 tetor, llogaria “tavnikcitypdk” publikoi rezultate të rreme të një sondazhi për partitë politike në prag të zgjedhjeve në Kosovë, duke pretenduar pa bazë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryesonte me 31% të mbështetjes. Më 28 tetor, në një tjetër postim nga llogaria “fskkrenariajone”, u pretendua pa saktë se Kosova kishte siguruar aeroplanë ushtarakë nga Turqia, ndërsa më 31 tetor, llogaria “lëvizja_vetvendosje1” deklaroi gabimisht se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ishte furnizuar me automjete ACV-15 nga Turqia.
Disa raste mashtrimesh të fundit janë publikuar në media sociale dhe përmes mesazheve telefonike, duke synuar mashtrimin e qytetarëve në Kosovë. Më 25 tetor, në Facebook, faqja “𝑲𝐼𝘈-𝐃𝑒𝙖𝑙𝙚𝑟’” pretendoi se për 72-vjetorin e KIA-s do të dhuroheshin tri vetura, por hibrid.info verifikoi se ky ishte një mashtrim, pasi faqja nuk është zyrtare dhe fotografia ishte marrë nga një ngjarje e kompanisë KIA në Kaliforni. Një tjetër mashtrim u bë përmes SMS-ve dërguar qytetarëve, ku thuhej se paketa e tyre ishte në pritje për shkak të informacionit të paplotë të adresës dhe kërkohej përditësimi përmes një vegëze të dyshimtë. Pas verifikimit, u zbulua se mesazhi vinte nga një numër me prefiksin +44 të Mbretërisë së Bashkuar, dhe se qëllimi ishte keqpërdorimi i të dhënave personale.
Dezinfrormatë/Clickbait u vlerësua publikimi i mediumit në gjuhën shqipe “ntv.al” ka publikuar një artikull me titull klikbait “Anulohen raketat ‘Javelin’ për Kosovën/ Ejup Macedonci tregon se çfarë po ndodh me ato”, duke krijuar përshtypjen se është marrë një vendim për anulimin e blerjes së raketave “Javelin” për Kosovën. Pas verifikimeve nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim është i pavërtetë.
Dezinformatat u publikuan në rrjete sociale me pretendime të pabazuara. Më 28 tetor, llogaria “Investiguesi Shkrimor” në Facebook pretendoi gabimisht se Kanadaja do të nisë eutanazimin e miliona qytetarëve të dëmtuar nga vaksina COVID-19. Më 31 tetor, në TikTok u publikua një postim i vjetër nga viti 2021 mbi dronët për ushtrinë e Kosovës, paraqitur si aktual. Më 24 tetor, llogaria “Lule Gjeli” në Facebook pretendoi se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ishte përgëzuar në SHBA për “luftimin e terrorizmit serb në veri”, por ky pretendim u vërtetua si i pavërtetë nga hibrid.info.
Përmbajtje e pa verifikuara janë publikuar në mediat sociale dhe portalet informative. Një video që pretendon të tregojë një fëmijë të mbetur nën rrënoja në Gaza u publikua nga llogari në gjuhën shqipe, por hibrid.info, duke iu referuar kontrollit të fakteve nga “Maldita.es”, konfirmoi se videoja është realizuar në Siri dhe tregon një fëmijë duke luajtur në shtëpinë e saj. Një tjetër pretendim i rremë ishte ai se këngëtari Labinot Tahiri do t’i bashkohej LDK-së për të garuar në zgjedhjet e 9 shkurtit. Artikulli u publikua fillimisht nga portali “Periskopi.com”, por i njëjti më pas është fshirë. Vetë Tahiri e mohoi këtë, duke konfirmuar se nuk ka pasur asnjë takim me LDK-në.
Manipulim i fakteve/Dezinformatë u vlerësua publikimi nga llogaria “tavnikcitypdk” në TikTok ku një imazhi nga portali “indeksonline” që tregonte listën e pagave të liderëve shtetërorë dhe propozimin për rritjen e pagave nga Qeveria, ia shoqëroi imazhin me mbishkrimin “Albin Kurti ia rrit pagën me se shumti vetes!!! TURP”, duke manipuluar informacionin. Sipas propozimit, rritja e pagave do të jetë e njëjtë për të gjithë, me 55 euro bruto që do të hyjnë në fuqi në janar dhe 55 euro të tjera në korrik 2025, duke treguar se pretendimi ishte një dezinformatë.
Clickbait artikujt u publikuan nga portali “Kosova Sot” me tituj të paqartë që nuk specifikojnë vendin e ngjarjeve, çka mund të çojë në keqkuptime. Artikulli “Aksident fatal: Vetura del nga rruga, vdesin 4 të rinj” dhe artikulli “Gjendet një çantë me eksploziv në një stacion” nuk tregojnë vendndodhjen e ngjarjeve, duke lënë hapësirë për interpretim se mund të jenë ndodhur në hapësirat shqipfolëse. Kjo mund të kontribuojë në dezinformim dhe panik në publik.
Mashtrim
U publikua një postim me pretendimin se për nder të 72-vjetorit të KIA-s (markë automobilash), do të dhurohen tri vetura. Ky postim u publikua në Facebook më 25 tetor nga faqja që mban emrin “𝑲𝐼𝘼-𝐃𝑒𝙖𝑙𝙚𝑟’”. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky postim është i rremë. Faqja e lartcekur nuk është zyrtare dhe fotografia e përdorur në këtë postim është marrë nga hapja e kompanisë së autorizuar të KIA-s në qytetin North Augusta në Kaliforni. (këtu)
Një mesazh (SMS) iu është dërguar në telefon qytetarëve të Kosovës në të cilin shkruan “Paketa juaj është vendosur në pritje për shkak të informacionit jo të plotë të adresës”. Për të siguruar që kjo paketë të dorëzohet pa problem, është publikuar një vegëz për klikim, ku mund të përditësohet informacioni i adresës. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se numri që ka dërguar këtë mesazh në telefon, ka prefiksin +44, që i takon shtetit të Mbretërisë së Bashkuar. Ndërsa, vegëza e paraqitur në SMS është e dyshimtë dhe ka për qëllim marrjen dhe keqpërdorimin e të dhënave personale. (këtu)
Lajm i rremë
Është publikuar një imazh me pretendimin se këngëtari Mehdin Përgjecaj, i njohur si Meda, ka vdekur në një aksident trafiku. Kjo përmbajtje është publikuar para tre ditwsh (25 tetor), në TikTok nga një llogari me emrin “vipalb2024”. Hibrid.info ka gjetur se ky pretendim nuk është i vërtetë. (këtu)
Përmes një postimi është pretenduar për një sondazh të kryer lidhur me partitë politike në Kosovë, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Ky postim u publikua dje (29 tetor) në TikTok nga llogaria “tavnikcitypdk”. Në fotografi, që pretendohet të jenë rezultatet e një sondazhi, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) del të jetë e para me 31 për qind, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 28 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 23 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 8 për qind dhe Komunitetet me 10 për qind. Hibrid.info ka përdorur “google.com” dhe ka verifikuar se nuk ka pasur asnjë publikim me pretendimin e tillë në asnjë burim kredibil informacioni. (këtu)
Publikohen pretendimi se Kosova ka siguruar aeroplanw ushtarakw nga Turqia. Pretendimi është publikuar (28 tetor) me anë të një imazhi, ku shfaqen disa aeroplanë, në një llogari në TikTok me emrin “fskkrenariajone”. Gjetjet e hibrid.info tregojnë se pretendimi se Kosova ka siguruar aeroplanët nga Turqia, është i pasaktë. (këtu)
Është pretenduar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është furnizuar me automjete ushtarake ACV-15 nga Turqia. Pretendimi u bë nga llogaria “lëvizja_vetvendosje1” në TikTok më 31 tetor. “FSK-është furnizuar me anti-air ACV-15 nga Turqia”, është mbishkrimi i vendosur në publikimin në fjalë. Hibrid.info ka gjetur se një pretendim i tillë nuk është i konfirmuar nga burimet zyrtare. Duke përdorur motorin online të kërkimit “Google” nëpërmjet fjalëve kyçe, hibrid.info nuk ka gjetur ndonjë burim kredibil për pretendimin në fjalë. (këtu)
Dezinformatë/Clickbait
Portali në gjuhën shqipe “ntv.al” ka publikuar një artikull me titull “Anulohen raketat ‘Javelin’ per Kosoven/ Ejup Macedonci tregon se çfare po ndodh me ato”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka gjetur se nuk ka anulim të blerjes së raketave “Javelin”. Pos që s’është gjetur ndonjë artikull me burim kredibil për anulim, siç u pretendua, këtë nuk e ka thënë as ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në përmbajtjen e vetë artikullit. (këtu)
Dezinformatë
Publikohet një përmbajtje që pretendon se Kanadaja do të fillojë eutanazimin (vdekjen e vullnetshme) të miliona qytetarëve që pretendohet se janë lënduar nga vaksina COVID-19. Pretendimi është dhënë me anë të një imazhi të publikuar (28 tetor) në Facebook, nga llogaria me emrin “Investiguesi Shkrimor”, të cilit ia ka vendosur mbishkrimin me këtë pretendim. Pretendimi se Kanadaja do të fillojë eutanazimin (vdekjen e vullnetshme) të miliona qytetarëve të lënduar nga vaksina kundër COVID-19, është i pasaktë. Hibrid.info ka gjetur se ekzistojnë dyshime mbi zbatueshmërinë e ligjit që e lejon vetëvrasjen e asistuar në Kanada, por nuk ka dëshmi se ky shtet ka nisur zbatimin e ligjit mbi arsyet e pretenduara. (këtu)
Me datë 31 tetor u publikuar një përmbajtje në TikTok me mbishkrimin “11.9 milionë euro për ushtrinë e Kosovë DRONËT NGA AMERIKA”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se kjo përmbajtje është e vjetër, e publikuar në vitin 2021 dhe e njëjta është paraqitur rrejshëm si aktuale. (këtu)
Është pretenduar se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut Veton Elshani është përgëzuar gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “luftimin e terrorizmit serb në veri të Kosovës”. Pretendimi është bërë nga llogaria në Facebook “Lule Gjeli” nëpërmjet një postimi të publikuar të enjten më 24 tetor. Pas verifikimit nga hibrid.info, rezulton se gjatë vizitës të Elshanit në SHBA nuk është përmendur “luftimi i terrorizmit në veri”. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Përmes një videoje që shfaq një fëmijë, pretendohet se ai ka mbetur nën rrënoja në Gaza. Videoja me këtë pretendim është publikuar nga llogari në gjuhën shqipe. Hibrid.info pas hulumtimit të kryer online, ka gjetur se kjo video është verifikuar nga kontrollues faktesh nga Spanja “Maldita.es”, dhe u vërtetua se pretendimi është i rremë. Videoja nuk paraqet fëmijë nën rrënoja në Gaza, por ajo u realizua në Siri, kur fëmija po luante në shtëpinë e saj. (këtu)
U pretendua se këngëtari Labinot Tahiri pritet t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të garuar në listën për deputetë në zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 9 shkurt. Artikulli i publikuar fillimisht nga portali “Periskopi.com”, është fshirë në ndërkohë, mirëpo i njëjti ende figuron në Google. Madje, artikulli në fjalë është publikuar edhe në së paku një portal tjetër informativ në gjuhën shqipe. E vetë Tahiri, në një prononcim për portalin “FrontOnline.net”, ka mohuar zërat se do të garojë për deputet në zgjedhjet e ardhshme. Po ashtu, ai tha se nuk ka pasur asnjë takim me LDK-në. (këtu)
Manipulim i fakteve/Dezinformatë
Llogaria “tavnikcitypdk” në TikTok ka publikuar një imazh të marrë nga portali informativ “indeksonline” e në të cilën shihet një listë me pagat aktuale të liderëve shtetërorë dhe të pagave të propozuara nga Qeveria për vitin e ardhshëm. Kjo llogari në TikTok ia ka shtuar imazhit mbishkrimin “Albin Kurti ia rrit pagen me se shumti vetes!!! TURP”. Megjithatë, sipas propozimit të Qeverisë për rritje pagash në vitin e ardhshëm, por edhe vetë lista e publikuar nga llogaria në fjalë, tregojnë se rritja është propozuar që të jetë e njëjtë për të gjithë (nga 55 euro bruto në janar 2025 dhe nga 55 euro të tjera në korrik 2025). (këtu)
Clickbait
Portali “Kosova Sot” ka publikuar një artikull me titullin “Aksident fatal: Vetura del nga rruga, vdesin 4 të rinj”. Megjithatë, titulli nuk e tregon vendin e ngjarjes. Për shkak se mediumi i ka shumicën e lexuesve shqipfolës mund të ndodhë që audienca ta lexojë lajmin si ngjarje të ndodhur në hapësirat shqipfolëse. (këtu)
Portali “Kosova Sot” ka publikuar një artikull me titullin “Gjendet një çantë me eksploziv në një stacion”. Megjithatë, titulli nuk e tregon vendin e ngjarjes. Për shkak se mediumi i ka shumicën e lexuesve shqipfolës mund të ndodhë që audienca ta lexojë lajmin si ngjarje të ndodhur në hapësirat shqipfolëse. (këtu)