[email protected]
Shitet online si mjaltë natyrale, produkti që përmban përbërës të padeklaruar të medikamenteve
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Të paktën dy faqe në Facebook janë duke e reklamuar produktin me emër “Etumax” – si produkt natyral për stimulim seksual.

Pas kontrollit të fakteve të kryer nga Hibrid.info, rezulton se sipas Administratës së Ushqimit dhe Barnave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëhet fjalë për një produkt i cili përmban përbërës të padeklaruar të medikamenteve.

Faqja me emrin “Botanika” në një postim të 30 marsit, ka shkruar se  “Etumax Royal Honey” është mjaltë e pastër me pelte mbretërore, polen bletësh dhe përzierje të bimëve të pyjeve të shiut. Në postim thuhet se produkti është pa efekte anësore.


Vegëza e postimit të publikuar në Facebook nga faqja “Botanika”:

https://www.facebook.com/botanika.ks/posts/pfbid0UxEYswhajSLjS3ALAs77opUVARYP3ghrBhz111P2YMrDZiSjynjabjg2GZ7g3tqVl


Produkti ka qenë në shitje online edhe më herët. Faqja me emrin “RonaBio” në dhjetor të 2022-s e pati reklamuar produktin “Etumax” si mënyrë natyrale për të rritur epshin. (shih këtu)


Administrata e Ushqimit dhe Barnave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (FDA) me 25 prill 2022 ka këshilluar njerëzit të mos e blejnë apo përdorin këtë produkt. (shih këtu)

Pjesë e njoftimit të FDA-së, e përkthyer në shqip:

“Analizat laboratorike të FDA-së kanë konfirmuar që ‘ETUMAX VIP Royal Honey for Him’ përmban sildenafil dhe tadalafil, përbërës aktivë të medikamenteve me recetë të miratuara nga FDA-ja, Viagra dhe Cialis, të përdorur për trajtimin e mosfunksionimit erektil. Miratimi i FDA-së për Viagran dhe Cialisin përkufizon që ato të përdoren vetëm nën mbikëqyrjen e profesionistit të licencuar shëndetësor. Këta përbërës të padeklaruar mund të ndërveprojnë me nitratet që gjenden në disa barna me recetë, si nitroglicerina dhe mund ta ulin presionin e gjakut në nivele të rrezikshme. Njerëzit me diabet, presion të lartë të gjakut, kolesterol të lartë ose sëmundje të zemrës shpesh marrin nitrate”


Ndërkaq në një njoftim tjetër në gusht të 2022-s, FDA-ja pati paralajmëruar katër kompani për shitjen ilegale të produktit që mund të ketë rrezik të theksuar për shëndetin. (këtu)


Analiza:

Disa faqe online në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe, kanë hedhur në shitje produktin për stimulim seksual me emrin “Etumax”, të cilin e reklamojnë si mjaltë natyrale.

Në përmbajtje të këtyre postimeve nuk sqarohet se ky produkt përmban përbërësit “sildenafil” dhe “tadalafil”, (të përdorur për trajtimin e mosfunksionimit erektil).

Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA “fda.gov”, ka sqaruar se këta përbërës mund të ndërveprojnë me nitratet që gjenden në disa barna me recetë, si nitroglicerina, e që mund të ulë presionin e gjakut në nivele të rrezikshme.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson si “Mashtrim” përmbajtjen e produktit të hedhur në shitje nga disa faqe në Facebook.


Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others