[email protected]
Shqetësimi i “Srbijadanas.com” për përgatitje për sulm ndaj serbëve, i sajuar
shape
shape
shape

Medium me përmbajtje në gjuhën serbe “Srbijadanas.com” dje (15 gusht) ka publikuar një artikull me pretendimin se Policia e Kosovës po përgatitet për t’i goditur serbët. Artikulli në fjalë mbanë titullin “POLICIA E KURTIT PËRGATITET TË SULMUJNË SERBËT: Është ngritur një pikë vrojtuese në afërsi të Jarinjes, duan të vendosin fole snajperësh” dhe ngre shqetësimin e pabazuar se me 1 shtator shqiptarët po përgatisin çdo ditë terrenin për zbatimin e dhunshëm të kësaj mase.

Hibrid.info në bazë të verifikimit të fakteve vlerëson se interpretimi i bërë nga ky medium serb është i pabazuar në fakte, që interpreton në mënyrë të pasaktë një vendim të Qeverisë së Kosovës për mbështetje të njësive policore kufitare në atë zonë (këtu).


Vegëza e artikullit të publikuar në mediumin serb “Srbijadanas.com”:

https://www.srbijadanas.com/vesti/kosovo/kurtijeva-policija-sprema-udar-na-srbe-postavljena-osmatracnica-kod-jarinja-hoce-da-instaliraju-2022-08-15


Artikulli me pretendimin e njëjtë është publikuar edhe nga mediumi në gjuhën serbe “Alo.rs”. (shih këtu)


Pjesë nga artikulli i publikuar në “Srbijadanas.com” i përkthyer në shqip:

Me afrimin e 1 shtatorit, kur autoritetet në Prishtinë njoftuan se do të fillojë zbatimi i vendimit për pezullimin e dokumenteve dhe targave serbe, shqiptarët po përgatisin çdo ditë terrenin për zbatimin e dhunshëm të kësaj mase, e cila mund ta kthejë Kosovën dhe Metohinë në fuçi baruti.

Vetëm tre ditë pasi u bë e ditur se forcat speciale të Kurtit po trajnohen me shpejtësi për thyerjen e barrikadave dhe përdorimin e mitralozave të rëndë, sot herët në mëngjes, sipas burimeve, Policia e Kosovës ka formuar një pikë vëzhgimi në repertin e telekomunikacionit mbi vendkalimin administrativ Jarinje.

Në të njëjtën kohë, të ashtuquajturat Njësia lëvizëse kufitare e PK-së ka filluar të gërmojë depozita me naftë në tokë, për të parandaluar dëmtimet dhe shpërthimet. Është e qartë se e gjithë kjo tregon se Prishtina po përgatitet për një sulm në veri të Republikës së Kosovës dhe se nuk do të hezitojë të përdorë forcën nëse serbët nuk i pranojnë dokumentet e shtetit të rremë. Informacioni se PK-ja po vendos poste vëzhgimi pranë pikave administrative vetëm sa konfirmon se forcat speciale të Kurtit janë duke vëzhguar gjerësisht terrenin dhe duke zgjedhur lartësitë më të përshtatshme për sulm.

Shërbimet tona kanë mësuar se shqiptarët duan të vendosin fole snajperësh dhe objektivi i tyre do të ishin serbët vendas dhe zyrtarët e Listës Serbe. Presidenti Aleksandar Vuçiq zbuloi të premten se Beogradi i di emrat e gjashtë njerëzve tanë, likuidimin e të cilëve qeveria e Kurtit po planifikon t’i likuidojë.


Pretendimet e mediumit serb që Policia e Kosovës ka ngritur poste vrojtuese dhe se do të instalojnë pika snajperistësh për t’i sulmuar serbët është i pabazuar në fakte konkrete. Edhe pretendimi se me 1 shtator masa e reciprocitetit do të zbatohet dhunshëm dhe se kush nuk e pranon një gjë të tillë do të sulmohet nga Policia e Kosovës është tendencioz dhe i pabazë.

Përkundrazi Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, gjatë vizitës së bërë në veri deklaroj se “Qytetarët serb nuk janë palë e dorës së tretë. Ata janë banorë, qytetarë të barabartë sikurse të gjitha komunitetet tjera që jetojnë këtu dhe gëzojnë të njëjtat të drejta. Duke pasur parasysh proceset e përbashkëta që na presin, përgjatë takimeve theksova rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet tona në mënyrë që t’i kalojmë ato më lehtë. Ju bëj thirrje të gjithëve që të bashkëpunojnë me organet e rendit në mbarëvajtjen dhe ofrimin e sigurisë në vendin tonë”. (shih këtu)


Analiza:

Pretendimet e hedhura nga artikulli i publikuar në mediumin serb “Srbijadanas.com” se Policia e Kosovës po përgatitet që me 1 shtator t’i sulmojë serbët që nuk e pranojnë reciprocitetin për dokumentacion, është keqinterpretim i disa zhvillimeve në veri të Kosovës. Për më tepër, ky medium serb, sajon një skenar të pabazuar se, gjoja forcat policore të Kosovës, po përgatiten t’i vrasin serbët lokalë të atij rajoni në rast se, siç thuhet, nuk i pranojnë masat e reciprocitetit, që pritet të zbatohen më 1 shtator.

Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info vlerëson se shqetësimet e ngritura janë të sajuara e jo të bazuara në fakte konkrete, kështu që ky pretendim klasifikohet si “teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others