Shkroi: Etrit Rexhhepi
Publikohet një fotografi që pretendon se paraqet një sondazh për mbështetjen e kandidatëve për kryetar komune në Deçan, para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Kjo përmbajtje është publikuar të mërkurën (17 shtator) në TikTok nga një llogari me emrin “deqanisot”.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Hibrid.info ka gjetur se ky sondazh është i pabazë.

Publikimi ka marrë afër 24 mijë shikime deri në momentin e trajtimit, ndërsa në bio mungon përshkrimi për veprimtarinë e kësaj llogarie.

Në përmbajtjen e publikuar mungon sqarimi se nga kush është realizuar ky sondazh.
Gjithashtu në tekstin e mbishkrimit në fotografi shkruan se sondazhi është realizuar nga më shumë se 1000 veta, por pastaj grafiku shënon 16,000 vota. Kjo e bën tekstin kontradiktor, çka tregon mungesë transparence për metodologjinë e përdorur.
Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinës së kërkimit “Google” me fjalët “sondazh në deçan”. Rezultatet nga kërkimi kanë shfaqur një përmbajtje sondazh në këtë komunë, i realizuara përmes thirrjeve telefonike në programin televiziv “Zyra e Ankesave”, që shfaqet në mediumin “RTV Dukagjini” (shih këtu).
Hibrid.info gjithashtu nuk ka gjetur asnjë përmbajtje që lidhet me këtë sondazh, as nëpërmjet fotografisë me anë të së cilës janë paraqitur rezultatet nga matja e pretenduar (shih këtu).
Në garën për kryetar të Deçanit, sipas listës së verifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë 7 kandidatë – Bashkim Ramosaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shefqet Tolaj nga “Guxo”, Shkumbin Demaliaj nga Iniciativa Demokracia, Faton Selmanaj nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Jeton Mushkolaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Jetmir Prekalla nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate (PSD).
Kryetar aktual është Bashkim Ramosaj nga AAK, i cili në zgjedhjet e kaluara lokale (2021) kishte fituar në raundin e parë (shih këtu).
Rreth sondazheve
Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.
Në rastin konkret nuk dihet sa njerëz janë përgjigjur në pyetjet e sondazhit apo edhe kur është bërë matja.
Analiza:
Sondazhi për mbështetjen e kandidatëve për kryetar komune në Deçani, i paraqitur përmes një fotografie nuk është i kredibil.
Në publikim mungon transparenca mbi autorin dhe metodologjinë, ndërsa shifrat e paraqitura janë kontradiktore dhe të pabazuara.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.