Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh…
[ ARTIKULLI ]

Keqinformimi shfrytëzon polarizimin politik: Rasti i zgjedhjes së presidentit dhe shpërndarjes së Kuvendit

HIBRID

Autorë: Etrit Rexhepi dhe Fatbardh Dema

Dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës ka nxitur debat politik e shoqëror. Bazuar në praktikat e mëhershme, jo të largëta në kohë, me shtimin e përplasjeve në politikë dhe periudhat elektorale, ka vëllim të shtuar edhe të qarkullimit të përmbajtjeve keqinformuese.

Ngjarja fillestare

Më 6 mars, presidentja Osmani nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit, pasi deputetët dështuan ta zgjedhin presidentin e ri deri më 5 mars. Në një konferencë për media, ajo tha se vendimin e merr duke u bazuar në nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës, ndërlidhur me atë 82.

Mediat raportuan me tituj korrektë duke njoftuar se Osmani ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit.

“Njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”

Vëmendje mori edhe një pjesë e deklaratës së Osmanit:

“Natyrisht që qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje. Këtë situatë e ka krijuar dështimi i Kuvendit për ta kryer detyrën e tyre kushtetuese. Askush nuk do të duhej të dëshironte një cikël tjetër politik. Sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet, por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”.

Përderisa Osmani nuk specifikoi emra, disa publikues në media dhe rrjete sociale e interpretuan këtë si qëndrim të Osmanit referuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurtit, dhe partisë së tij, që ishte në pushtet (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu (arkiv)). Publikimet lidhur me deklaratën e Osmanit kanë gjeneruar mijëra komente në media sociale.

Pas këtyre raportimeve, për këtë deklaratë u pyetën në dy konferenca zyrtarët e Vetëvendosjes. Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, kërkoi që Osmani të dalë me emra e mbiemra për këtë pretendim (shih këtu).

Ndërkaq, kryetari i LVV-së kur u pyet për këtë çështje në konferencën për shtyp, disa orë pas vendimit të Osmanit, tha:

“Nëse zonja presidente nuk ka folur me emra, nuk e di pse ju shkon mendja tek unë… Nëse flasim për përshtypje të përgjithshme ajo është një gjë, por nëse flasim për njerëz të përveçëm, unë nuk e di që jemi përmendur aty. Nëse ju keni të drejtë, sërish unë besoj se përgjigjen duhet ta kërkoni tek ata që e thanë dhe jo te hamendësimi se kush mund të jenë ata. Dhe krejt në fund, unë besoj se të papërgjegjshëm mbrëmë kanë qenë ata që kanë munguar”.


Në këtë konferencë, Kurti ka kundërshtuar shpërndarjen e Kuvendit nga Osmani. Ai tha se LVV-ja do ta çojë dekretin në Gjykatën Kushtetuese. Kurti kritikoi opozitën për dështimin e zgjedhjes së presidentit të ri. Ndërkaq tek foli nëse mbahen zgjedhjet e reja, ai tha se ato nuk janë zgjidhje.

Një pjesë e deklaratës së Kurtit nga kjo konferencë megjithatë u interpretua jo saktë nga disa media. Pretendimi se Kurti ka thënë se nëse ka zgjedhje të reja parlamentare do t’i marrë 80 deputetë, ishte i pasaktë dhe hibrid.info i vlerësoi këto përmbajtje si dezinformatë (shih këtu). Edhe këto pretendime kanë marrë mijëra komente në media sociale.


Fajësimi për dështimin në zgjedhjen e presidentit

Pos Kurtit që fajësoi partitë opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), për mosarritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit, të njëjtën e bëri edhe shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci.

Sipas saj, opozita ishte barrikaduar me “jo” në çështjen e propozimit të kandidatëve, të qëndrimit në sallë, të votimit të ndonjërit kandidat apo edhe për mundësinë e ndryshimeve kushtetuese që presidenti të zgjidhet direkt me votë nga populli (shih këtu).

Ndërkaq, udhëheqësit e partive opozitare, pas takimit të thirrur nga Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja, akuzuan Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj Albin Kurti për bllokada lidhur me çështjen e presidentit.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se për dështimin e zgjedhjes së presidentit “përgjegjësia kryesore është mbi partinë fituese, partinë më të madhe”. “Ajo ka mundur t’i japë vendit president”, tha ai (shih këtu).

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha se mungesa e Vetëvendosjes në takimin me Osmanin “është fyerje për vendin, për Kosovën, për institucionet” (shih këtu).

E para takimit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se “apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual” (shih këtu).

Komentuesit “ndjekin” liderët e partive

Në frymën e polarizimit mes partive politike parlamentare, e njëjta po vërehet edhe në mesin e komentuesve nëpër rrjete sociale.

Në videon e deklarimit të shefes së deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavci, komentuesit kanë qenë të ndarë. Një pjesë e 57 komenteve të bëra mbështesin deklarimin e Nagavcit, megjithatë një pjesë e madhe e tyre e kundërshtojnë.

Ka të atillë që thonë “kurrë më me Vjosa Osmanin” e “veç me Albinin kryeministër”, por shumica janë në kundërshtim me qëndrimin e LVV-së, duke thënë “më kurrë nuk do ta votoj Albin Kurtin”, “mos rreni”, “do të merrni shuplakë nga populli”, e të tjera të ngjashme – duke e bërë fajtore këtë parti për bllokadën institucionale.

Te deklarimet e Hamzës dhe Haradinajt, nuk ka shumë komente (5 gjithsej nga e njëjta llogari), ndërsa te postimi i Abdixhikut në profilin e tij në Facebook, komentet kanë qenë të shumta – 337 sosh. Ndonëse një pjesë e tyre janë në përkrahje të partisë që ai e udhëheqë, ka të tjerë që kërkojnë rikthimin e Vjosa Osmanit në LDK, duke vlerësuar se me kthimin e saj do ndodhë “rikthimi i madh” i partisë. Po ashtu, ka komentues që e shohin opozitën si bllokues të proceseve dhe vetë LDK-në si partinë që rrezikon ta kalojë pragun në zgjedhjet e ardhshme.


Çka u parapriu diskutimeve dhe çka thotë Kushtetuta për afatet për zgjedhjen e presidentit?

Më 5 mars, Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri në një seancë të mbajtur në mbrëmje. Në Kuvend nuk pati kuorum të mjaftueshëm prej të paktën 80 deputetësh për të nisur rundin e parë të votimit për zgjedhjen e presidentit (shih këtu)

Presidentes aktuale mandati i përfundon më 4 prill 2026 (shih këtu).


Kushtetuta në nenin 86, paragrafi 2, specifikon: Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

Ndërkaq në nenin 82, paragrafi 3, thotë se Kuvendi mund të shpërndahet: nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës.


Presidentja Osmani ka thënë se fjala “duhet” te neni 86.2 specifikon që në rastin aktual “5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri”.

Ndërkaq Kurti mbështetur në nenin 82.3 ka thënë se “nuk kanë kaluar 60 ditë nga fillimi i procedurës” për zgjedhjen e presidentit dhe se deri në fund të këtij afati “nuk ekziston baza kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit”.


Pas dështimit për zgjedhjen e presidentit në mbrëmjen e 5 marsit, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu njoftoi se ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vlerësim të kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit dhe masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues, deri në publikimin e aktgjykimit.

Pra, për çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe dekretit janë dy lëndë të dërguara ose paralajmëruara për t’u dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Keqinformatat para 5 marsit

Pas certifikimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, i shpejtë ishte konstituimi i Kuvendit dhe më pas formimi i qeverisë më 11 shkurt 2026. Por kjo u hapi rrugë raportimeve, publikimeve dhe pretendimeve të ndryshme që lidheshin me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

Osmani më 29 dhjetor pati thënë për “Radio Evropa e Lirë” se synon të kandidojë sërish për postin e presidentes. Deklarimi i saj për një kandidaturë të mundshme për një mandat të dytë e vendosi çështjen e zgjedhjes së presidentit në qendër të diskutimeve politike dhe mediatike. Në këtë kontekst, tema e Presidencës filloi të diskutohej jo vetëm në nivel institucional, por edhe në hapësirën publike përmes raportimeve, analizave dhe interpretimeve të ndryshme. Krahas diskutimeve legjitime, në hapësirën digjitale nisën të shfaqen edhe keqinformata. Pikërisht disa nga këto raste u bënë objekt trajtimi nga hibrid.info.

Dominanca e çështjes së presidentit konfirmohet në raportin monitorues të keqinformimit për muajin janar, 2026. Pozita e presidentit ishte tema më e përdorur për krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve keqinformuese në muajin në fjalë (shih këtu).

Nga trajtimet e publikuara rezulton se, që nga fillimi i këtij viti, hibrid.info ka trajtuar të paktën 20 artikuj që lidhen direkt me procesin e zgjedhjes së presidentit dhe me figurën e presidentes Vjosa Osmani. Secili prej këtyre artikujve u kategorizua sipas metodologjisë së vlerësimit të hibrid.info. Tetë nga këto përmbajtje u vlerësuan si “Lajm i rremë”, ndërsa kategoritë “Dezinformatë” (këtukëtu dhe këtu) dhe “Manipulim i fakteve” kishin nga tre raste secila (këtukëtu dhe këtu).

Përveç kësaj, dy përmbajtje u klasifikuan si “Clickbait” (shih këtu dhe këtu), ndërsa dy të tjera morën vlerësim të kombinuar si “Lajm i rremë/Mashtrim” (shih këtu dhe këtu).

Vlerësim i kombinuar u dha edhe në dy përmbajtje tjera, si “Manipulim i fakteve/Dezinformatë” dhe “Dezinformatë/Clickbait” (shih këtu dhe këtu).

Përveç presidentes Osmani, në përmbajtjet e trajtuara përmenden shpesh figura të tjera politike si, kryeministri Albin Kurti (këtu dhe këtu), kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku (këtukëtu dhe këtu), kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj (këtu dhe këtu), kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku (këtu), zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa (këtu) dhe zyrtari i LDK-së Lutfi Haziri (këtu).

Në disa raste përfshihen edhe figura ndërkombëtare si presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump. Po ashtu është përmendur Elon Musk në kontekst të një imazhi të gjeneruar me inteligjencë artificiale, që pretendonte një takim të paqenë (shih këtu dhe këtu).

Keqinformimi gjatë vitit 2025: Viti i zgjedhjeve dhe (mos)formimit të Qeverisë

Gjatë vitit 2025, çështja e zgjedhjeve politike dominoi në keqinformimet që u trajtuan nga hibrid.info. Brenda vitit, shteti organizoi tri palë zgjedhjesh, dy parlamentare më 9 shkurt dhe 28 dhjetor, dhe ato lokale të tetorit (dhe balotazhit në nëntor).

Gjatë janarit 2025, keqinformata lidhej kryesisht me zgjedhjet parlamentare në Kosovë, duke përbërë 48% të rasteve të trajtuara nga hibrid.info. Pretendimet përfshinin brohoritje pro Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Hashim Thaçit të lidhura gabimisht me Lëvizjen Vetëvendosje, pretendime të rreme për fushatën e Kurtit në Mitrovicën e Veriut, si dhe rezultate të manipuluara sondazhesh. Për më tepër, u shpërndanë lajme të rreme për figura të njohura si Rifat Jashari, Shefqet Krasniqi dhe Donald Trump, duke iu atribuuar mbështetje të pavërtetë Kurtit.

Në shkurt 2025, temat e zgjedhjeve vazhduan të dominonin me 43% të përmbajtjeve keqinformuese nga fusha e politikës. Lajmet e rreme dhe dezinformatat përfshinin pretendime të pavërteta për Fatmir Limajn, gjeneralë amerikanë, fotografi të vjetra të përdorura si lajme aktuale, video të manipuluara për Trumpin dhe Elon Musk, si dhe pretendime për rezultate të pavërteta zgjedhore dhe takime politike imagjinare.

Gjatë marsit 2025, keqinformata lidhur me formimin e qeverisë u publikuan kryesisht në media sociale dhe përfshinin dezinformata dhe lajme të rreme. Mes rasteve kryesore ishte pretendimi se Marigona Geci kishte thënë se LDK-ja do ta votojë qeverinë e Kurtit, si dhe pati pretendime të rreme për deklarata të Lumir Abdixhikut për postet udhëheqëse.

Në prill 2025, keqinformatat vazhduan si manipulim faktesh, lajme të rreme dhe clickbait, duke shpërndarë pretendime të pasakta për përfshirjen e Listës Serbe në koalicion, deklarata të ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov, si dhe lajme të fabrikuara për një koalicion mes Vetëvendosjes dhe NISMA-s.

Gjatë majit 2025, të gjitha përmbajtjet e trajtuara nga hibrid.info lidheshin me politikën dhe u publikuan në media sociale, duke përfshirë lajme të rreme dhe manipulime faktesh. Rastet më të spikatura përfshinin pretendime të rreme për Millan Radoiçiqin për koordinim me opozitën dhe manipulime të deklaratës së Abdixhikut lidhur me bashkëqeverisjen me PDK-në.

Në korrik 2025, rastet përfshinin keqinterpretime të deklaratave të ministrit atëherë në detyrë të Financave, Hekuran Murati, pretendime të rreme për kërkesat e Fatmir Limajt dhe gabime në raportimin e raporteve Osmani-Kurti.

Gjatë gushtit 2025, keqinformatat për zgjedhjet lokale përfshinin clickbait, pretendime të paprovuara për një veturë të djegur dhe dezinformata të dyfishta lidhur me deklarata të politikanëve për Listën Serbe. Këto përmbajtje synonin të tërhiqnin klikime dhe të krijonin një perceptim të pasaktë mbi sigurinë dhe aktivitetet politike lokale.

Në shtator 2025, keqinformata politike (43%) u publikuan kryesisht në media sociale (37%) dhe online (6%). Kategori të shpeshta përfshinin lajme të rreme, manipulim faktesh dhe dezinformata. Rastet kryesore përfshinin sondazhe jokredibile për kandidatët në komunat Ferizaj, Lipjan, Gjakovë, Podujevë, Deçan, Kaçanik dhe Viti, si dhe deklarata të pavërteta ndaj figurave publike si Alban Hyseni, Agim Veliu dhe Shpejtim Bulliqi.

Gjatë tetorit 2025, përmbajtjet keqinformuese për zgjedhjet lokale përbënin 66% të rasteve, kryesisht lajme të rreme, sondazhe të fabrikuara, raportime të njëanshme dhe manipulime faktesh. Publikimi kryhej kryesisht në media sociale (47.37%) dhe media tradicionale (18.42%). Për temat e veriut të Kosovës, Kurti-Serbia dhe shkarkimi i kryetarit të Kuvendit, përmbajtjet u shpërndanë në përqindje të ngjashme mes mediave sociale dhe tradicionale.

Gjatë nëntorit 2025, keqinformata për zgjedhjet lokale (37%) u shpërndanë ekskluzivisht në media sociale dhe përfshinin lajme të rreme (27%), dezinformata (7%) dhe manipulim faktesh (3%). Përmbajtjet përfshinin imazhe dhe video të kandidatëve për kryetar, rezultate të pretenduara të sondazheve dhe exit poll-eve, si dhe deklarata të fabrikuara për mbështetje ose preferenca elektorale që nuk korresponduan me realitetin.

Gjatë dhjetorit 2025, keqinformata lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit përfshinin përmbajtje të rreme, sondazhe jokredibile dhe video të manipuluara me përdorim të inteligjencës artificiale. Këto përmbajtje u shpërndanë kryesisht në media sociale, duke synuar të ndikojnë në perceptimin publik dhe të krijojnë një imazh të pasaktë mbi procesin zgjedhor dhe kandidatët.

Çka thonë studimet shkencore?

Se polarizimi politik çon në tensione, diskutime e deri në dezinformim, kjo mbështetet edhe në studime të shumta shkencore ndërkombëtare.

Me titullin “Right and left, partisanship predicts (asymmetric) vulnerability to misinformation”, Harvard Kennedy School – Misinformation Review ka publikuar një studim shkurtin e vitit 2021 (këtu)

Studimi ka trajtuar lidhjen midis polarizimit politik, dhomave të jehonës dhe përhapjes së dezinformimit, duke analizuar sjelljen e shpërndarjes së lajmeve nga më shumë se 15,000 përdorues në X (ish-Twitter). Studiuesit matën orientimin politik të përdoruesve bazuar në burimet e lajmeve që ata ndanin dhe e krahasuan këtë me përqindjen e lidhjeve nga burime me besueshmëri të ulët. Rezultatet tregojnë se partizanshipi politik, struktura e komuniteteve online dhe vulnerabiliteti ndaj dezinformimit janë të lidhura ngushtë, duke lënë të kuptohet se mjediset shumë të polarizuara krijojnë kushte më të favorshme për përhapjen e informacionit të rremë.

Një nga gjetjet kryesore është se përdoruesit në rrjete sociale priren të grupohen në komunitete ideologjikisht homogjene, të njohura si dhoma të jehonës. Analiza e rrjetit të ndjekësve dhe shpërndarjeve në X tregoi ndarje të qarta në dy grupe politike të dendura, ku përdoruesit ndërveprojnë kryesisht me persona që ndajnë të njëjtin orientim politik. Kjo strukturë e polarizuar e komunikimit bën që informacioni të qarkullojë kryesisht brenda grupeve ideologjike dhe më pak mes tyre, duke kufizuar ekspozimin ndaj perspektivave të ndryshme.

Studimi gjithashtu tregon se vulnerabiliteti ndaj dezinformimit rritet me rritjen e partizanshipit politik. Analiza statistikore tregoi se përdoruesit më të fortë ideologjikisht kanë më shumë gjasa të ndajnë përmbajtje nga burime me cilësi të ulët krahasuar me përdoruesit më të moderuar. Edhe pse fenomeni vërehet në të dy anët e spektrit politik, studimi konfirmon gjetje të mëparshme se lidhja midis partizanshipit dhe shpërndarjes së dezinformimit është më e fortë tek përdoruesit me orientim të djathtë politik, ndërsa tek përdoruesit me orientim të majtë është më e dobët por gjithsesi e pranishme.

Në analizën përfundimtare, studiuesit zbuluan se partizanshipi është faktori më i fortë që parashikon vulnerabilitetin ndaj dezinformimit, më shumë sesa vetë struktura e dhomes së jehonës. Kjo nënkupton se identifikimi i fortë politik mund të ndikojë në mënyrën se si njerëzit konsumojnë dhe shpërndajnë informacion, duke rritur gjasat që narrativat e rreme të përhapen brenda komuniteteve ideologjike. Autorët thonë se një mënyrë për të reduktuar përhapjen e dezinformimit në platforma sociale është rritja e ekspozimit ndaj përmbajtjes më të larmishme dhe më pak të polarizuar në ekosistemin informativ online.

Studimi tjetër, “Polarization and social media: A systematic review and research agenda” (Arora et al., 2022), është publikuar në “ScienceDirect”.

Ky studim analizon një numër të madh kërkimesh akademike mbi lidhjen mes rrjeteve sociale dhe polarizimit politik, duke treguar se transformimi i ekosistemit informativ nga platformat digjitale ka ndryshuar mënyrën se si njerëzit marrin dhe shpërndajnë informacion. Autorët theksojnë se ndërveprimet në hapësirën publike online shpesh ndikohen nga preferenca emocionale, paragjykime dhe ndërveprime selektive, gjë që mund të çojë në polarizim dhe përhapje të dezinformimit. Në këtë kontekst, rrjetet sociale kanë rritur shpejtësinë dhe shkallën e qarkullimit të informacionit, duke krijuar një mjedis ku narrativat e rreme mund të përhapen më lehtë brenda komuniteteve ideologjike.

Një nga mekanizmat kryesorë të identifikuar nga literatura është homofilia – tendenca e njerëzve për t’u lidhur me individë që ndajnë bindje të ngjashme politike. Në rrjetet sociale kjo krijon komunitete të mbyllura informimi, të njohura si dhoma të jehonës, ku përdoruesit ekspozohen kryesisht ndaj informacionit që përforcon pikëpamjet e tyre ekzistuese. Kjo dinamikë forcon identitetin ideologjik të grupeve dhe zvogëlon kontaktin me perspektiva alternative, duke rritur kështu ndarjet politike dhe tensionet në diskursin publik.

Studimi gjithashtu tregon se algoritmet e rekomandimit dhe seleksionimi i përmbajtjes në rrjete sociale mund të intensifikojnë këto procese. Platformat shpesh u sugjerojnë përdoruesve përmbajtje që përputhet me interesat dhe bindjet e tyre të mëparshme, gjë që mund të thellojë polarizimin ideologjik dhe emocional. Si rezultat, diskutimet politike online shpesh bëhen më konfliktuale dhe më pak deliberative, duke e bërë më të vështirë dialogun konstruktiv mes grupeve me pikëpamje të ndryshme.

Në përfundim, rishikimi sistematik argumenton se marrëdhënia mes rrjeteve sociale dhe polarizimit është komplekse dhe e ndërmjetësuar nga faktorë të shumtë, por evidenca lë të kuptohet se mjediset digjitale mund të kontribuojnë në fragmentimin e debatit publik. Kur komunitetet informative bëhen shumë të ndara ideologjikisht, kjo jo vetëm që rrit tensionet politike dhe konfliktet në diskutim publik, por gjithashtu krijon kushte të favorshme për përhapjen dhe përforcimin e dezinformimit brenda grupeve të polarizuara.


Bazuar në këto studime, raportet e mëhershme të trajtuara nga hibrid.info, ekziston mundësia që edhe në javët e ardhshme të paqartësive politike dhe në prag të zgjedhjeve potenciale parlamentare, të vazhdojnë të shfaqen keqinformimet.

Prandaj, përveç paralajmërimit për kujdes ndaj titujve të nxjerrë jashtë kontekstit, pretendimeve të pabazuara dhe përmbajtjes vizuale të manipuluar, lexuesve u rekomandohet të konsultojnë burime të verifikuara lajmesh dhe platforma për verifikim të fakteve, si hibrid.info; të kontrollojnë informacionin përmes raportimeve të institucioneve zyrtare të Kosovës, të mos e shpërndajnë lajmin pa e verifikuar burimin dhe përmbajtjen, sidomos në rrjetet sociale si dhe të përmbahen nga spekulimet dhe komentet që nuk bazohen në dokumente apo deklarata të verifikuara.

Ky paralajmërim synon të ndihmojë lexuesit të ndjekin procesin e zgjedhjes së presidentit në mënyrë të informuar, duke minimizuar ndikimin e keqinformimit në perceptimin publik.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere