[email protected]
“Mirëmëngjesi” i Haradinajt, nuk argumenton kontekstin e përplasjes me Mustafën
shape
shape
shape

Portali “Reporteri.net” ka publikuar një artikull me titull “’Mirëmëngjesi’, reagimi i parë i Haradinajt në Facebook pas paralajmërimit të Isa Mustafës për ndryshime në Qeveri”, duke aluduar se me postimin “Mirëmëngjesi” kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj postimit të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, përmes së cilit paralajmëroi rikonfigurime dhe ndryshime në përbërjen e Qeverisë.

Në këtë artikull është pretenduar që postimi i Haradinajt të paraqitet si reagim ndaj partnerit në koalicion qeverisës.

Teksti i plotë i publikuar në Reporteri.net:


“Mirëmëngjesi”, reagimi i parë i Haradinajt në Facebook pas paralajmërimit të Isa Mustafës për ndryshime në Qeveri

Vetëm pak minuta pasi kreu i LDK-së Isa Mustafa bëri thirrje për më shumë kenë kujdes me strategjinë e brendshme dhe duke e ka lënë të hapur edhe mundësinë e rikonfigurimit të Qeverisë, për ata që sipas Mustafës ndjekin agjenda personale, në facebook me një “mirëmëngjesi” ka reaguar kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj.

Haradinaj, përveç përshëndetjes, ka bashkangjitur edhe një fotografi ku shfaqet i shoqëruar me nënën e tij.

Postimi i Haraidnajt ka rastisur të publikohet vetme pak minuta pasi kryetari i LDK-së në facebook ‘qortoi’ partnerët e tij dhe në përgjithësi akterët politik në vend, por që u pa si kundërpërgjigje ndaj disa deklaratave që mbrëmë i dha kreu i AAK’së, Ramush Haradianaj.

Mustafa në reagimin e tij e ka lënë të hapur mundësinë e rikonfigurimit të Qeverisë, duke thënë se nuk duhet që të ndjekin persona të caktuar agjenda personale.

Ka shkruar se proceset me të cilat po ballafaqohet Kosova kërkojnë bashkëpunim dhe besim reciprok të të gjithë akterëve. /Reporteri.net/.


Përpjekja për të paraqitur situatën si kundërshtuesve mes dy partnerëve në koalicion, është vështirë të bazohet me këtë shkrim meqenëse, sikurse postimi i Haradinajt edhe ai i Mustafës, nuk ka ndonjë adresim të qartë. Ndonëse kreu i partisë së madhe në koalicion (Mustafa), në deklarimin e tij përmes Facebook-ut, ka lënë të kuptohet se kujt po i drejtohet me paralajmërimin për ndryshim, Haradinaj nga ana tjetër, nuk ka lënë fare hapësirë që t’i interpretohet ky postim.

Mustafa në postimin e fundit, kur paralajmëron ndryshimet në Qeveri, tërthorazi ka përmendur edhe përplasjen e brendshme dhe deklaratat në studio televizive.

Postimi i plotë i Isa Mustafës:


Proceset politike me të cilat po ballafaqohet vendi kërkojnë bashkëpunim dhe besim reciprok të të gjithë akterëve.

Dialogu me Serbinë për njohje reciproke, qoftë në Washington apo në Bruksel do të jetë më përmbajtësor dhe më i qëndrueshëm, nëse aksionarë të këtij dialogu janë pozita dhe opozita. Ndërkaq, strategjia e dialogut duhet të jetë çështje që diskutohet dhe formulohet nga Kryeministri dhe kabineti i tij i ngushte me partnerët e koalicionit dhe liderët e opozitës.

Pa marrë parasysh arsyen dhe nevojën e komunikimit me publikun, duhet të kemi kujdes që për strategjinë tonë të mos merr vesh Serbia përmes debateve në studiot tona televizive dhe përplasjeve të brendshme, sepse kjo në start e dëmton pozicionin dialogues të Kryeministrit tonë.

Qeverisja e vendit me prioritete luftimi i Pandemisë, rimëkëmbja ekonomike sikurse edhe dialogu për njohje reciproke, kërkon respekt institucional ndaj Qeverisë por gjithësesi edhe brenda Qeverisë. Një politikë qeverisëse dhe një zë qeverisës i bashkërenditur me Kryeministrin.

LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike.

Kemi premtuar Qeveri që do të jetë efikase në punën e saj, që do ta luftojë krimin dhe korrupsionin, që do të jetë racionale dhe e përgjegjshme ndaj parasë publike. Asnjë temë tjetër s’mund të na zhvendosë nga ky përcaktim. IM

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FIsaMustafaKS%2Fposts%2F3186395501426665&width=500


Me këtë, Mustafa ka mundur të aludojë në deklaratat e Haradinajt të bëra të martën në RTV Dukagjini, në emisionin “Debat Plus”, ku i njëjti ankohet se zyrtarët e partisë së tij në Qeveri, nuk janë të përfshirë në dialog dhe, në të njëjtën kohë, kritikon qasjen përballë dialogut me Serbinë. I pari i AAK-së, gjatë këtij emisioni, ka kërcënuar me prishje të koalicionit në rast se, me futjen e PDK-së në koalicion, nuk do t’i merrnin, sipas tij, njërin nga tre postet kryesore.

Vegëzat ku mund të gjenden deklaratat e Ramush Haradinajt:

Haradinaj: Nëse AAK nuk përfaqësohet me njërin nga tri postet kryesore, shkojmë në zgjedhje

“Kryeministri jo”, Haradinaj tregon kush po e informon për takimin e 4 shtatorit në Shtëpi të Bardhë


Analiza:

Në bazë të analizimit të fakteve të mësipërme, mund të thuhet se është vështirë të argumentohet konteksti i pretenduar të paraqitet nga ky artikull (përplasjet Mustafa-Haradinaj). Gjithashtu, titulli nuk përkon me përmbajtjen e tekstit dhe kjo e përkufizon këtë artikull si dezinformatë, lajm të rremë dhe clickbait.


Arsyetimi:

Lajm i rremë – Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.

Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Dezinformata – Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Clickbait –  “Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others