Shkroi: Festim Rizanaj
Është pretenduar nëpërmjet publikimeve se shqiptari nga Shkupi, Abdul Jashari, i cili luftoi në luftën civile të Sirisë, ka arritur të bëhet ministër atje.
Ky pretendim u publikua më 17 shkurt në portalin informativ “Gazetaexpress.com” dhe ATV Live në faqen në Facebook.


Ky pretendim është i pabazë, Abdul Jashari ka marrë detyrë ushtarake si kolonel.
Çka u pretendua?
Në artikullin e publikuar thuhet se Abu Qatada Albani ka udhëhequr për vite me radhë grupin xhihadist “Xhemati Alban”, i përbërë kryesisht nga shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë. Sipas raportimeve, ai aktualisht është pjesë e qeverisë siriane si ministër dhe ndodhet nën sanksionet e SHBA-së për lidhje me terrorizmin.
Ky pretendim bazohet në një artikull të publikuar nga portali informativ serb (16/02/2025) “Informer.rs” me titull “Albanski terorista dobio mesto u novoj vladi Sirije: Zbog terorizma bio pod sankcijama SAD, a sada preti Srbiji (Terroristi shqiptar zë vend në qeverinë e re siriane: Ishte nën sanksionet e SHBA-së për terrorizëm dhe tani kërcënon Serbinë)”.
Çka dihet për Abdul Jasharin?
Abdul Samrez Jashari, i lindur në Maqedoninë e Veriut e i njohur si Abu Qatada al-Albani, 48 vjeç, udhëheq grupin militant “Xhemati Albani”, të përbërë kryesisht nga shqiptarë etnikë. Ky grup është aleat me Hayat Tahrir al-Sham (HTS), organizatë islamiste e shpallur terroriste nga SHBA dhe BE, e cila rrëzoi Bashar al-Assadin në dhjetor 2024. Jashari është nën sanksionet e SHBA-së që nga viti 2016.
Ai, nëpërmjet një postimi në një profil në Facebook, që besohet të jetë i tij, ka shkruar se ka marrë gradën e kolonelit. (këtu)
Edhe agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters, në një artikull të publikuar, e përmend Abdul Jasharin, duke raportuar se ai është bërë kolonel. Megjithatë, në asnjë rast nuk përmendet që ai të jetë emëruar ministër apo të ketë spekulime për një emërim të tillë.
Në një intervistë të fundit në emisionin Interaktiv Talks, Abdul Jashari thekson se ai është një nga pesë luftëtarët e huaj të graduar me gradën kolonel nga administrata e Ahmed al-Sharaa. (këtu)
Pra, bazuar në faktet e njohura, Abdul Jashari është graduar si kolonel, e nuk është zgjedhur ministër, siç u pretendua.
Analiza:
Në disa publikime është pretenduar se Abdul Jashari, shqiptari nga Shkupi që mori pjesë në luftën civile në Siri, është emëruar ministër.
Megjithatë, faktet e njohura tregojnë se ai është graduar si kolonel dhe jo si ministër.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “përmbajtje e paverifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.