Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh…
[ ARTIKULLI ]

Nga X në Telegram e “Pravda”: Shpërndarja e përmbajtjeve të rreme kundër shqiptarëve

HIBRID

Shkroi: Fatbardh Dema

Në platformën X (ish-Twitter), llogaritë “VukFeNix” dhe “MarioZNA” publikojnë shpesh përmbajtje vizuele të ngjarjeve të ndryshme, me pretendime të rreme se autorët e shumë veprave penale të kryera në vende të ndryshme të Evropës i përkasin kombësisë shqiptare.

Hibrid.info ka trajtuar përmbajtjet e publikuara nga llogaria “VukFeNix”, e cila paraqet raste të veprave penale dhe, pa asnjë provë, pretendon se personat që shfaqen duke i kryer ato janë shqiptarë.

Gjatë hulumtimit online, hibrid.info gjeti se dy nga përmbajtjet e rreme të publikuara nga kjo llogari, u publikuan edhe në grupe në gjuhën serbe e angleze në median sociale Telegram, e më pas edhe në domainin propagandistik rus në shqip “albania.news-pravda.com”.


Me 1 maj, llogaria “VukFeNix” në X publikoi një video-material me pretendimin se një person i kombësisë shqiptare, në Barcelonë të Spanjës, u përpoq t’i vjedhë kamerën një fotografi nga Kina, i cili më pas përdori një teknikë të arteve marciale për ta ndaluar autorin derisa mbërriti policia.

Hibrid.info ka hulumtuar përmes programit të automatizuar të kërkimit “InVID” dhe ka hasur në një artikull të publikuar në një medium në gjuhën spanjolle, për incidentin në fjalë. (shih këtu)

Në këtë artikull sqarohet se bëhet fjalë për një turist kinez në Barcelonë, i cili neutralizoi një person me origjinë nga Afrika e Veriut. (shih këtu artikullin e publikuar nga hibrid.info)

Ndërsa, më 20 korrik, përmbajtja me pretendim të njëjtë u publikua edhe në domainin propagandistik rus “albania.news-pravda.com”. Në fund të këtij artikulli sqarohet se burimi i kësaj përmbajtje është marrë nga llogaria në Telegram e quajtur “The New Ork Times”. Megjithatë, kjo llogari aktualisht nuk është e qasshme. (shih këtu)


Më 25 gusht, llogaritë “VukFeNix” dhe “MarioZNA” kanë publikuar një video ku shfaqen dy gra duke u fjalosur. Sipas përshkrimit të postimit, incidenti ka ndodhur në Venecia të Italisë dhe pretendohet se një turiste amerikane ka kapur për flokësh një vajzë migrante shqiptare, e dyshuar si hajdute.

Pas kërkimeve në media ndërkombëtare dhe burime të tjera të besueshme, nuk është gjetur asnjë informacion që konfirmon identitetin ose kombësinë e vajzës së përfshirë në incident.

Artikuj të publikuar nga media si “Daily Mail” raportojnë rastin duke u fokusuar te veprimet e turistes amerikane, Christina Cadieu Greene, dhe konteksti i gjerë i problemeve me hajdutët e xhepave në Venecia. Megjithatë, këto burime nuk e specifikojnë nacionalitetin e vajzës së dyshuar. (shih këtu artikullin e publikuar nga hibrid.info)

Më 3 shtator, në ora 7:59, kjo përmbajtje me pretendim të njëjtë u publikua edhe në kanalin në gjuhën serbe në Telegram “Милитарист” (Militarist).

Ndërsa, po atë ditë, rreth një orë më vonë (8:40), kjo përmbajtje u publikua edhe në domainin propagandistik rus në shqip “albania.news-pravda.com”.


Pra, përmbajtjet e publikuara nga llogaritë “VukFeNix” dhe “MarioZNA” shërbejnë si shembuj të shpërndarjes së narrativave dezinformuese, që manipulojnë ngjarje reale duke u atribuuar shqiptarëve.

Rastet në fjalë tregojnë se këto pretendime të rreme shpërndahen në gjuhë e platforma të ndryshme, e deri te domaini propagandistik rus, për të përhapur diskurs negativ ndaj shqiptarëve.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere