Të fundit | Sa u realizuan pesë vendimet e para të premtuara nga LVV gjatë fushatës së… Të fundit | “Sondazhet” në media sociale: Krijimi i një realiteti të rremë para zgjedhj… Të fundit | Instrumentalizimi ruso-serb i Kosovës në diskursin gjeopolitik dhe ripërsër… Të fundit | Katër milionë mungesa të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës, jo vetëm… Të fundit | Slopaganda: Kur përmbajtja e dobët me IA kthehet në propagandë politike  Të fundit | Pretendohet pa fakte se Rushiti u propozua për presidente pas kërkesës së S… Të fundit | Fotografi e gjeneruar me inteligjencë artificiale paraqitet si “pamje ekskl… Të fundit | Rishikimi i javës: Dominimi i mashtrimeve digjitale (imazhe me IA dhe phish… Të fundit | Me pamje të mëhershme pretendohet pasaktë se Kurti e Gërvalla ishin të prem… Të fundit | Aktgjykimi për sulmin në Banjskë dhe narrativat serbe për “proces politik”…
[ ARTIKULLI ]

Në TikTok qarkullojnë video të gjeneruara nga inteligjenca artificiale si “kronika televizive”

HIBRID

Shkroi: Festim Rizanaj

Nëpërmjet stilit të kronikave televizive, një llogari në TikTok ka publikuar dhjetëra video të gjeneruara nga inteligjenca artificiale duke marrë qindra mijëra shikime.

PaFiltraNews” publikon video në të cilat zakonisht shihet një prezantuese ose prezantues televiziv, zëri i të cilëve më pas shoqërohet me pamje të ndryshme. Videot e fundit kryesisht lidhen me zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.

Nga përmbajtjet e publikuara, vërehet se përmbajtjet favorizojnë subjektin politik, Lëvizjen Vetëvendosje.

Nga 6 deri më 8 dhjetor, llogaria në fjalë ka publikuar 14 video të tilla, që përmendin partitë politike, që garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Gjenerimi nga inteligjenca artificiale

Të gjitha këto publikime në TikTok shfaqen me etiketën “AI-Generated” (Gjeneruar nga AI). Por pavarësisht kësaj, ato kanë marrë qindra komente, që në disa raste vërehet se e kanë marrë si të mirëqenë përmbajtjen. Në përshkrimin që TikTok e bën për këtë etiketë theksohet se ajo u vendoset përmbajtjeve që janë tërësisht ose dukshëm të edituara me inteligjencë artificiale. (shih këtu)

Pos etiketës që qartëson se janë përmbajtje të gjeneruara nga AI, videot kanë edhe logon “Sora”, që është aplikacion për gjenerimin e videove me inteligjencë artificiale.

Përpos këtyre fakteve, hibrid.info ka përdorur edhe platformën për verifikim të përmbajtjeve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, “Hivemoderation” për të konfirmuar se ato janë përmbajtje joorigjinale.

Çka përmbajnë publikimet?

Pos pamjeve në stilin e kronikave zgjedhore, përmbajtjet shoqërohen edhe me tekste si përshkrim. Një pjesë e përmbajtjeve të tyre lidhet me pretendimin për pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndërsa në të tjerat apostrofohen parti të caktuara.

Sa i përket publikimeve për diasporën, një video pretendon se një aeroplan i nisur nga Gjeneva drejt Kosovës ishte i “zbukuruar tërësisht me mbishkrimin LVV”. Një tjetër shfaq qindra vetura në një rrugë, e që sipas pretendimit, janë mërgimtarë që janë nisur në drejtim të Kosovës për të votuar Lëvizjen Vetëvendosje. Për mobilizim të diasporës pro VV-së ka pasur edhe publikime të tjera. (shih këtu


Në përmbajtjet tjera, pretendohet për sondazhe zgjedhore e rezultate që paraqesin LVV-në në rritje në raport me zgjedhjet e kaluara. Në njërin nga publikimet, supozohet se sipas njohësve “koalicioni LVV-GUXO-Alternativa ka gjasa reale që të arrijë mbi 58% të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit”. Ndërkaq një tjetër shfaq pretendimin se “Sipas një sondazhi të realizuar në të gjitha qytetet e Kosovës, rezulton se çdo i treti qytetar shprehet se është për fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE! (LVV)”.


Dy video të tjera shfaqin haptazi mbështetjen për Lëvizjen Vetëvendosje. (shih këtu dhe këtu)


Përmbajtjet tjera janë pretendime të rreme lidhur me parti të tjera. Në dy prej tyre pretendohet rrejshëm se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se “duhet rimenduar skema e shtesave për fëmijët”. (shih këtu dhe këtu)

Publikuesi në një rast ka pretenduar se sipas një sondazhi të fundit, dy partitë politike Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Nisma Socialdemokrate, nuk mund ta kalojnë pragun zgjedhor. Por përderisa Nisma do të hyjë e vetme në zgjedhjet e 28 dhjetori, AKR-ja ka përfshirë kandidatët e saj brenda listës së kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. (Shih këtu)

Përmbajtjen shoqërohen me gabime drejtshkrimore në shumë raste.


Sipas përllogaritjeve, këto përmbajtje të trajtuara kanë marrë më shumë se 200 mijë shikime deri në momentin e trajtimit. Po ashtu ato kanë marrë mbi 7000 pëlqime e afro 500 komente.


Hibrid.info ka verifikuar disa raste kur përmes inteligjencës artificiale po krijohen përmbajtje të rreme për çështjen e zgjedhjeve. (shih këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu)

Konteksti i këtyre videove

Zgjedhjet e vendosura në prag të festave të fundvitit ndezën një debat të fortë politik, pasi një pjesë e diskursit e interpretoi këtë datë si një lëvizje strategjike për të shfrytëzuar praninë e diasporës. Ndërkohë, kundërargumentet theksuan pluralizmin gjithnjë e më të madh të votës së diasporës, duke e kthyer këtë komunitet në qendër të vëmendjes politike. Në këtë kontekst, diaspora filloi të shfaqej vazhdimisht në narrativat digjitale në formë intervistash dhe kronikash televizive të rreme, pamjesh të supozuara nga aeroportet dhe kolonave të gjata me vetura nëpër rrugë – të cilat paraqiteshin si mërgimtarë të nisur masivisht drejt Kosovës për të votuar. Këto përmbajtje synonin të krijonin idenë e një mobilizimi të jashtëzakonshëm dhe të një sentimenti të unifikuar politik brenda diasporës.

Në të njëjtën kohë, rrjetet sociale u mbushën me video dhe imazhe të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale, të dizajnuara me një nivel të lartë imitimi profesional. Personazhet e krijuar me AI intervistohen me mikrofona që mbajnë logot e mediave të njohura kosovare (shpesh me deformime të lehta vizuale), duke i dhënë përmbajtjes një shtresë të rrejshme autenticiteti dhe duke e bërë përdoruesin të supozojë se po sheh materiale televizive reale. Këto deepfake paraqesin intervista të sajuara, sondazhe të rreme dhe deklarata të paekzistente, duke manipuluar perceptimin publik rreth mbështetjes politike dhe duke forcuar narrativën e një mobilizimi masiv të diasporës. Pavarësisht shenjave të manipulimit, ndërveprimi i lartë me këto përmbajtje i amplifikon ato në diskursin publik, duke ushqyer polarizimin dhe duke ndikuar drejtpërdrejt atmosferën politike përpara 28 dhjetorit.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere