Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një imazh ku shihen Albin Kurti, kryeministri i Kosovës dhe Derek Chollet, politikan amerikan që kishte shërbyer në administratat e presidentëve Obama dhe Biden, me mbishkrimin që pretendon se ai ka deklaruar që “Kryeministri Kurti është kyç për të ardhmen”.
Përmbajtja është publikuar të mërkurën (11 mars) në faqen në Facebook me emrin ”Gazeta Minuti”.
E vërteta?
Hibrid.info ka hulumtuar, por nuk ka gjetur burime kredibile që do të mund të konfirmonin pretendimin në fjalë.

Deri në momentin e trajtimit, postimi ka mbi 700 pëlqime dhe mbi 100 komente, nga përmbajtjet e shumicës prej të cilave mund të vlerësohet se audienca ka mundësi që ta përceptojë përmbajtjen si të besueshme.
Në mbishkrimin e postimit në Facebook pretendohet se Derek Chollet mban pozitën e shefit të Stafit të Sekretarit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA-së).
Por, nga kërkimi nëpërmjet makinës së kërkimit “Google”, është gjetur se Chollet aktualisht është drejtor menaxhues dhe drejtues i Qendrës për Gjeopolitikë “JPMorgan Chase” (shih këtu).
Ai kishte shërbyer si këshilltar në Departamentin e Shtetit gjatë presidencës Joe Biden dhe më herët kishte mbajtur postin e Ndihmës Sekretarit të Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare gjatë administratës së presidentit Barack Obama.
Hibrid.info hulumtoi me anë të “Google” me fjalët e deklaratës së pretenduar në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Përveç artikujve që tregojnë për takime e biseda të Kurtit me Cholletin në të kaluarën, rezultatet nuk kanë shfaqur burime kredibile që tregojnë se ish-zyrtari amerikan ka dhënë vlerësime personale për kryeministrin e Kosovës (shih këtu dhe këtu).
Rezultate të ngjashme janë shfaqur edhe pas kërkimit me fjalët në anglisht “derek chollet on albin kurti” (shih këtu).
Në një artikull të publikuar nga “Telegrafi.com”, më 30 prill të 2022, duke iu referuar një postimi të Chollet në llogarinë e tij në “X”, ishte raportuar se ai gjatë një takimi me Kurtin, ka vlerësuar se progresi në dialogun me Serbinë, është çelësi i së ardhmes evropiane të Kosovës (shih këtu).
Gjithashtu, pas kontrollit në llogarinë e Chollet në platformën “X”, nuk është hasur ndonjë postim ku ai të jetë shprehur me tone vlerësuese për kryeministrin Kurti (shih këtu).
Analiza:
Në median sociale Facebook është publikuar një përmbajtje ku pretendohet se Derek Chollet, ish-zyrtar amerikan që ka shërbyer në administratat e presidentëve Obama dhe Biden, ka deklaruar se “Kryeministri Kurti është kyç për të ardhmen”.
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë burim kredibil që konfirmon se një deklaratë e tillë është bërë nga Chollet.
Kërkimet në internet (Google), si dhe kontrolli në llogarinë e tij në platformën “X”, nuk kanë shfaqur ndonjë raportim apo postim që dëshmon se ai ka dhënë një vlerësim të tillë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.