Publikohen artikuj me titull “Gjyqi për Hashim Thaçin dhe 4 ish-krerët e UÇK-së në Hagë, seanca shtyhet më 14 prill”.
Të njëjtit janë publikuar të mërkurën (1 prill) dhe të enjten (2 prill) nga mediat si: “Sot.com”, “VizionPlus.tv”, “JavaNews.al”, “GazetaTema.net”, “Shqiptarja.com”, “KosovaPost.net” dhe “360.al”.
Cila është e vërteta?
Rasti gjyqësor i raportuar nga mediat, për të cilin seanca e radhës është caktuar për 14 prill, nuk përfshin krerë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përveç Hashim Thaçit.

Në krerët e këtyre artikujve është sqaruar se në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është mbajtur konferenca përgatitore e mbrojtjes në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit. Në artikuj po ashtu përmendet se ata akuzohen për pengim të drejtësisë.
Hibrid.info ka hulumtuar në uebfaqen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, si burim informacioni zyrtar i këtij institucioni. Në këtë uebfaqe është kontrolluar për të gjetur më shumë informata për të akuzuarit në këtë rast.
Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi akuzohen për pengim të drejtësisë dhe ndikim të paligjshëm mbi procesin gjyqësor, duke përfshirë manipulimin e dëshmitarëve, dhënien e informacionit konfidencial dhe mosbindjen ndaj urdhrave të gjykatës (shih këtu).
Nga informacionet në atë faqe, përshkrimi për Hashim Thaçin është si në vijim “Ai ishte më parë udhëheqës i UÇK-së dhe anëtar themelues i Partisë për Progres Demokratik të Kosovës, e cila në vitin 2000 mori emrin Partia Demokratike e Kosovës (“PDK”). Ai ka qenë edhe Kryeministër dhe President i Kosovës.”. Për Bashkim Smakajn thuhet se ishte më parë drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, kurse Isni Kilaj thuhej se ishte anëtar themelues i UÇK-së në Malishevë dhe ish-komandant i njësitit “Lumi”. Tutje, për Isni Kilaj thuhet se ishte anëtar themelues i UÇK-së në Malishevë dhe ish-komandant i njësitit “Lumi”, Fadil Fazliu përshkruhet si veteran i UÇK-së i cili veproi në Zonën Operative të Llapit, kurse për periudhën që e mbulon aktakuza, Hajredin Kuçi thuhet se ishte anëtar i ekipit të Mbrojtjes së Kadri Veselit (një i akuzuar tjetër në çështjen Thaçi dhe të tjerët), duke u përmendur edhe se ka punuar më parë në qeverinë e Presidentit të atëhershëm Thaçi, si zëvendëskryeministër dhe ministër i Drejtësisë i Kosovës (shih këtu).
Akuzat përfshijnë periudhën midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023.
Nga kjo del se nga të akuzuarit vetëm Hashim Thaçi ishte udhëheqës i lartë në UÇK. Gjithashtu, akuzat për pengim të drejtësisë dhe ndikim të paligjshëm mbi procesin gjyqësor nuk lidhen me veprimet ose aktivitetin e UÇK-së gjatë luftës.
Megjithatë, se seanca për këtë rast është shtyrë më 14 prill është e vërtetë. “Gjatë konferencës përgatitore për Mbrojtjen të mbajtur ditën e sotmë, 1 prill 2026, Gjykatësi i Vetëm, pasi dëgjoi argumentet e palëve, i udhëzoi ato që të paraqiten më 14 dhe 15 prill për dëshminë e mundshme të një dëshmitari të Mbrojtjes, si dhe vuri në dukje se javën e ardhshme nuk do të dëgjohen dëshmitarë. Rrjedhimisht, gjykimi shtyhet deri më 14 prill, varësisht prej njoftimeve të mëtejshme të Gjykatësit, dhe seancat e planifikuara deri në këtë datë anulohen.”, thuhet në njoftimin e gjykatës (shih këtu).
Ndërsa, sa i përket çështjes gjyqësore në rastin ku Thaçi akuzohet bashkë me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, e njëjta është mbyllur më 18 shkurt 2026. Për këtë pritet vetëm shpallja e aktgjykimit (shih këtu).
Analiza:
Me anë të titujve është pretenduar se është shtyrë për 14 prill gjyqi i Thaçit me katër ish-krerë të UÇK-së.
Raportimi për shtyrjen e gjykimit të Thaçit dhe të tjerëve është i saktë, por nuk bëhet fjalë për ish-krerë të tjerë të UÇK-së.
Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi akuzohen për pengim të drejtësisë dhe ndikim të paligjshëm mbi procesin gjyqësor në rastin ku Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, akuzohet për krime gjatë luftës.
Nga pesë të akuzuarit e parë, vetëm Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i UÇK-së.
Andaj, pretendimi se Thaçi po akuzohet me katër ish-krerë të UÇK-së, në bazë të metodologjisë së punës, vlerësohet si “Gabim”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Gabim” e marrin përmbajtjet informative në të cilat, gjatë procesit të përpilimit apo publikimit, paraqiten gabime duke publikuar informacion të pasaktë (sidomos kur kemi të bëjmë me informacione në shifra) ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara mirë, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.