Misioni rus i OSBE-së, në llogarinë zyrtare në Twitter, ka postuar lidhur me 23 vjetorin e fushatës ajrore të NATO-s.
Në këtë postim ky mission e ka përshkruar ngjarjen e fushatës ajrore të NATO-s të vitit 1999 si agresion ndaj Serbisë, Republikës Federale të atëhershme të Jugosllavisë.
Por, fotografia në këtë postim nuk ka të bëjë me fushatën ajrore të aleancës së NATO-s ndaj ushtrisë serbe (atëherë jugosllave). Ne fakt ky imazh paraqet luftën në Irak, në vitin 2003.
Vegëza e postimit në profilin e Misionit rus në OSBE në Twitter:
Pas hulumtimit përmes makinave të kërkimit, hibrid.info ka gjetur këtë fotografi që tregon imazhe nga shpërthimet në Bagdad (Irak) në vitin 2003, e publikuar në mediumet amerikane si “CNN” (fotografia numër 3) dhe “MSN.com” (fotografia numër 3). (shih këtu dhe këtu)
Nuk është hera e parë që fotografia e njëjtë pretendohet të paraqitet si imazh i fushatës ajrore të NATO-s në vitin 1999.
Njëjtë ka vepruar edhe portali në gjuhën serbe “Kosovo-online.com” (shih këtu), si dhe Ambasada e Rusisë në Afrikën e Jugut (shih këtu), të cilat poashtu janë verifikuar nga stafi i hibrid.info.
Analiza:
Misioni rus në OSBE në llogarinë zyrtare në Twitter ka publikuar një imazh ku shihet moment i disa bombardimeve, të cilin është munduar ta paraqesë se i takon fushatës ajrore të NATO-s në vitin 1999.
Por, pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është arritur të gjendet kjo fotografi e cila i takon vitit 2003 dhe ka ndodhur në Irak.
Kjo fotografi ditë më parë është publikuar edhe në portalin në gjuhën serbe “Kosovo-online.com”, si dhe në llogarinë zyrtare në Twitter të Ambasadës së Rusisë në Afrikën e Jugut, të cilat poashtu janë munduar ta paraqesin atë si imazh i fushatës ajrore të NATO-s.
Pas analizës së kontrollit të fakteve bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë postim të ambasadës ruse si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.