[email protected]
Federata e Boksit të Serbisë pretendon pa fakte se boksierët kosovarë nuk ishin në listën e pjesëmarrësve në Kampionatin Botore
shape
shape
shape

Kryetari i Federatës së Boksit të Serbisë, Nenad Borovçanin, ka thënë për mediumin në serb “TV Pink” se përfaqësuesja e Kosovës në Boks nuk është fare në listën e pjesëmarrësve në kampionatin botëror të këtij sporti që po mbahet këto ditë në Beograd. Mirëpo ky pretendim i të parit të federatës serbe të boksit del të jetë i pavërtetë.

Përfaqësuesja e Kosovës në sportin e boksit, pas disa tentimeve, nuk është lejuar që të hyjë në Serbi, për të qenë pjesëmarrës në këtë ngjarje sportive. Arsyetimi i palës serbe (policëve kufitarë), sipas asaj që e thonë boksierët kosovarë, ishin rekuizitat sportive me simbole shtetërore të Kosovës. (Shih këtu)

Mirëpo, i pari i federatës serbe të boksit, Nenad Boroviçan, pretendon se përfaqësuesja e Kosovës nuk ka qenë fare në listën e pjesëmarrësve në këtë kampionat.

Vegëza e intervistës së Nenad Boroviçan në TV Pink (1:51):

Deklarata e Nenad Boroviçan e përkthyer në shqip:

Ja u them zyrtarisht se boksierët nga Kosova nuk janë zyrtarisht nuk janë pjesë e garës, nuk janë listën zyrtare dhe as Kosova.


Ky pretendim i Boroviçan rezulton të jetë i pavërtetë për faktin se nuk e mbështetë me asnjë argument. Gjithashtu pretendimi i tij është hedhur poshtë me fakte nga pala kosovare dhe nga vetë Federata Ndërkombëtare e Boksit (AIBA), përmes një reagimin në faqen zyrtare të tyre.

Hibrid.info ka arritur të sigurojë disa fakte nga Federata e Boksit e Kosovës (FBOXK) të cilat dëshmojnë të kundërtën e pretendimit të Boroviçan. Në një video amatore të siguruar nga kjo federatë, shihet prezantimi i shteteve pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror të Boksit në Beograd, ku në mesin e vendeve tjera, shihen edhe inicialet e shtetit të Kosovës.

Fotografia e prezantimit të shteteve pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror të Boksit në Beograd:


Gjithashtu, nga kjo federatë kanë dëshmuar për hibrid.info edhe emailin zyrtar të shkëmbyer me përfaqësues të AIBA-s, përmes së cilët është dërguar lista e boksierëve që është planifikuar të garojnë në këtë garë.

Pretendimi i Boroviçan është hedhur poshtë edhe nga vetë AIBA. Në faqen zyrtare të tyre kanë publikuar një reagim, përmes së cilit shfaqin shqetësimin për moslejimin e pjesëmarrjes së boksierëve kosovarë në Kampionatin Botëror të Boksit dhe ndalesës së tyre për të hyrë në territorin e Serbisë nga organet e këtij shteti.

Vegëza e reagimit të AIBA-s në anglisht:

https://www.aiba.org/blog/update-on-kosovo-boxing-federation-and-the-aiba-world-boxing-championships/?fbclid=IwAR3dH8oCFWcPeeEVBv8-i5PZNulUdYK7CBwkVyphq9i1z-S8wJydAEFSyu0

Pjesë të reagimit të AIBA-s të përkthyera në shqip:

AIBA është e pikëlluar për situatën politike që ka penguar Federatën e Boksit të Kosovës të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit AIBA.

AIBA beson se sporti duhet të kapërcejë politikën dhe të ndihmojë në thyerjen e barrierave. Kampionati ynë Botëror është një ngjarje ku të gjitha vendet ftohen të bashkohen dhe të festojnë unitetin, diversitetin dhe miqësinë.

AIBA kërkon nga Federata nikoqire që të lejojë pjesëmarrjen e të gjitha shteteve pjesëmarrëse, pa pengesë.


Analiza:

Pretendimi i kryetarit të Federatës së Serbisë të Boksit, Nenad Borovçanin, rezulton të jetë i pavërtetë pasi që, i njëjti nuk arrin ta argumentojë atë. Përveç kësaj, ky pretendim hidhet poshtë edhe nga përfaqësuesit e Federatës së Boksit të Kosovës por edhe nga vetë Federata Ndërkombëtare e Boksit (AIBA).

Bazuar në faktet e kontrolluar, hibrid.info e vlerëson këtë deklaratë të Borovçanin si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others