[email protected]
Keqinterpretim i deklaratës së Macron-it lidhur me liberalizimin e vizave
shape
shape
shape

Disa media me përmbajtje në gjuhën shqipe, javën e kaluar publikuan artikuj në të cilat pretendohej se Franca pezullonte liberalizimin e vizave për Kosovën.

“E them me shumë qartësi; ne u kemi besuar për çështjen e vizave, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecin përpara në javët e ardhshme. Është kushti i paqes në të gjithë zonën”.

Ky deklarim i Emmanuel Macron, presidentit të Francës, në konferencën për media gjatë vizitës së tij në Tiranë, u interpretua si një vendim i pezullimit të vendimit për viza për Kosovën nga ana e Francës.

Por, pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se deklarimi i presidentit francez, nuk paraqiti një vendim apo kërkesë të Francës për pezullimin e vendimit për viza, ndaj Kosovës.


Vegëzat e disa artikujve të publikuar rreth kësaj deklarate:

https://euronews.al/franca-pezulloi-vizat-per-kosoven-macron-kurti-dhe-vucic-te-jene-te-pergjegjshem/

https://klankosova.tv/macron-franca-e-ka-pezulluar-procesin-e-liberalizimit-te-vizave-per-kosoven5/

Macron: Franca ka pezulluar liberalizimin e vizave për Kosovën


Në titujt dhe në përmbajtjet e këtyre artikujve, pas deklaratës së presidentit Macron, pretendohet se Franca ka marrë vendim për pezullimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Por hibrid.info ka gjetur në disa media me përmbajtje në gjuhen shqipe, sipas të cilave, deklarata e presidentit francez është përkthyer keq, gjë e cila edhe krijoi pa qartësi në interpretimin e deklaratës së tij. (shih këtu dhe këtu)


Ndërkaq sipas mediumit francez “Euractiv.fr” vlerësohet se gjatë konferencës ka ndodhur një gabim në interpretimin e deklaratës së presidentit Macron. (shih këtu)

Në artikullin e “Euractiv” dhe po ashtu në një artikull tjetër të “Radio Evropa e Lirë” (këtu), duke u bazuar në burime pranë presidentit francez, sqarohet se deklarata e Macron shprehte një kërcënim rreth vizave për Kosovën dhe jo një vendim tashmë të marrë për këtë çështje, ashtu siç u raportua fillimisht në mediat në gjuhën shqipe.

Deklarata sqaruese e Zyrës së Presidentit të Francës:

“Presidenti ka folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se cilat ishin kërkesat tona. Në këtë kontekst dhe duke marrë parasysh bllokadën e Prishtinës, presidenti vlerësoi se çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur. Për më tepër, është një proces teknik dhe një diskutim që duhet bërë me partnerët tanë evropianë”

Në bazë të kësaj deklarate sqarohet se çështja e vizave është problem teknik dhe ekzistojnë disa rregulla se në cilat raste mund të kërkohet pezullimi për ndonjë vend.


Hibrid.info ka gjetur artikullin e “REL” (këtu) dhe informata nga faqja zyrtare e “Komisionit Evropian” ku sqarohet se në çfarë rrethanash mund të aktivizohet mekanizmi i pezullimit të liberalizimit të vizave për një vend. (shih këtu)

Skenarët kur Mekanizmi i pezullimit të vizave mund të aktivizohet:

  1. Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të migrimit të parregullt.
  2. Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të kërkesave për azil me shkallë të ulët pranimi, rreth 3-4%.
  3. Në rast të rënies së bashkëpunimit për riatdhesimin e shtetasve që përjashtohen nga BE-ja, si rezultat i qëndrimit të parregullt.
  4. Në rast të rrezikut të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht për vepra penale të rënda.

Në bazë të këtyre gjetjeve, kuptohet se jo vetëm që nuk ka kërkese zyrtare nga ndonjë prej anëtarëve të Bashkimit Evropian për pezullimin e vendimit për viza, si dhe po ashtu rrethanat aktuale të Kosovës, nuk përputhen me skenarët e paraparë nga Komisioni Evropian për aktivizimin e mekanizmit të pezullimit të vizave për Kosovën.


Analiza:

Disa media në gjuhën shqipe kanë publikuar artikuj në të cilat pretendohej se Franca do ta pezullojë vendimin për viza në raport me Kosovën, duke u bazuar në një deklarim të presidentit francez, Emmanuel Macron.

Hibrid.info ka verifikuar dhe ka gjetur fakte se interpretimi i deklaratës së Macron nga ana e këtyre mediave, ishte i gabuar.

Nga gjetjet sqarohet se pezullimi nuk mund të realizohet pa pasur kërkesë zyrtare nga një ose më shumë prej anëtarëve të BE-së si dhe është kuptuar dhe sqaruar se Franca nuk ka bërë kërkesë zyrtare në lidhje me këtë çështje.

Andaj edhe bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Përmbajtje e pa verifikuar”.


Arsyetimi

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Share With Others