[email protected]
Konspiracionisti serb – Luçiq pretendon pa fakte se Kurti, Thaçi e Pacolli janë agjentë serbë
shape
shape
shape

lajm i pabazuar përmes së cilit pretendohet rrejshëm se Albin Kurti është agjentë i Serbisë, i infiltruar në skenën politikë të Kosovës, është duke u shpërndarë muajve të fundit në portale të dyshimta.

Ky pretendim, për herë të parë, është bërë nga konspiracionisti serb, Dejan Luçiq, në një intervistë e dhënë për një kanal në YouTube “Ras Televizija”, që transmeton përmbajtje në gjuhën serbe.

Në këtë intervistë të publikuar më 22 prill 2020, ky konspiracionist serb pretendon pa fakte se Kurti, përmes shërbimit sekret serb, ishte infiltruar në edhe në Zyrën Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Prishtinë, të udhëhequr nga Adem Demaçi, gjatë periudhës së luftës, në cilësinë e sekretarit.

Pjesë të intervistës, të përkthyera në shqip:

Adem Demaçi ka pranuar nga shërbimi ynë këtë Kurtin si sekretar të tijin. Ndërsa Kurti është në lidhje me vajzën e Sokoloviqit… Ndërsa Koshtunica e kishte liruar Kurtin në liri… Asgjë e rastësishme, Albin Kurti është agjent i yni.


Ndërsa, duke folur për prejardhjen e familjes Kurti, ai pretendon se paraardhësit e tyre janë romë nga rajoni i Zhupës në Kroaci (siç mund të kuptohet), të cilët njihen për magji dhe janë shumë të zgjuar.


Luçiq shkon edhe më tutje, ku i quan edhe dy politikanë tjerë, agjentë të Serbisë, ish-presidentat, Hashim Thaçin dhe Behgjet Pacollin. Ndërsa, duke folur për etninë e këtyre të dyve, Luçiq thotë se familja e Thaçit ka rrënjë serbe ndërsa për Pacollin thotë se ka prejardhje ruse.

Vegëza e kësaj interviste në gjuhën serbe:


Dejan Luçiq, njihet në botën serbe si një autor i publikimeve të teorive konspirative. Ai gjithashtu njihet si mik i afërt me ish shefin e Shërbimit Sekret të Serbisë, Jovica Stanishiq dhe me ish-udhëheqësin e Njësive Speciale të Sigurimit të Shtetit, Franko Simatoviq – Frenki, me të cilët ishte edhe koleg fakulteti (shih këtu).


Hibrid.info ka arritur deri tek kjo intervistë e këtij konspiracionisti serb, gjatë procesit të hulumtimit të disa artikujve të publikuar në portale të dyshimta që publikojnë përmbajtje në gjuhën shqipe, e të cilët e kishin publikuar pjesërisht këtë intervistë të Luçiqit.(Shih vegëzat e publikimeve këtu, këtu dhe këtu).

https://lajmishqip.net/ish-agjenti-serb-thote-se-kurti-eshte-agjent-i-tyre-dhe-se-sherbimi-serb-e-futi-tek-demaci-per-ta-vezhguar-ate-video/


Edhe pretendimet tjera, ky konspiracionist serb nuk i bazon në asnjë fakt. Si për prejardhjen etnike të Kurtit, por edhe të Pacollit, ai nuk paraqet asnjë provë dëshmuese.

Në këtë intervistë, Luçiq pretendimin se ish-kreu i vendit, Hashim Thaçi, ka rrënjë serbe e bazon në një konspiracion të mëhershëm, të cilin hibrid.info e ka trajtuar më parë, duke e vlerësuar si dezinformatë. (shih këtu analizën e hibrid.info të bërë në korrik 2020)


Rrëfime për prejardhjen e Albin Kurtit janë bërë edhe në reportazhe në media, ku paraqitet familja e tij e gjerë që jetojnë ende në fshatin Katerkollë në rrethinë të Ulqini, nga ku e ka prejardhjen edhe vet ati (këtu).

Ky pretendim i pa bazë i Luçiq, bije poshtë edhe nga studimet shkencore, që trajtojnë prejardhjen e mbiemrave shqiptarë të Kosovës. Një i tillë është i publikuar nga Universiteti i Prishtinës, me autor Ali e Nebi Caka me titull “Mbiemrat e shqiptarëve të Kosovës – prejardhja  dhe shpërndarja rajonale” (vegëza e publikimit).


Analiza:

Konspiracionisti serb, Dejan Luçiq, këto pretendime i ngritë pa u bazuar në asnjë fakt.

Bazuar në kontrollin e fakteve të bërë nga hibrid.info, ky pretendim i transmetuar në këtë emision, por dhe i publikuar në portalet e dyshimta, vlerësohet si “Teori Konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others