Përgatiti: Festim Rizanaj
Gjatë javës 16–21 shkurt, hapësira informative në Kosovë u karakterizua nga një përhapje e përmbajtjeve keqinformuese në rrjete sociale dhe media online, të cilat përfshinë manipulime vizuale, tituj çorientues, shtrembërim faktesh dhe riciklim të narrativave të pavërtetuara. Këto raste dëshmojnë për vazhdimësinë e praktikave që synojnë të ndikojnë perceptimin publik për çështje politike dhe tematika të ndjeshme.
Gjatë kësaj jave u evidentuan raste të mashtrimit vizual dhe titujve çorientues. Në një publikim në Facebook u pretendua rrejshëm se deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, kishte veshur një bluzë me mbishkrim politik gjatë një konference për shtyp, por verifikimi dhe analiza digjitale dëshmuan se fotografia ishte e manipuluar, ndërsa ajo e cilësoi rastin si i montuar. Në një tjetër rast, titulli “Rriten shtesat dhe pensionet, Kurti flet edhe për pagën e 13-të” krijoi përshtypjen e një vendimi të ri për rritje, ndonëse përmbajtja fliste vetëm për deklarata të kryeministrit gjatë diskutimeve për Projektbuxhetin 2026, pa ndonjë vendim të miratuar, duke ilustruar praktikën e clickbait-it që shtrembëron perceptimin publik.
Gjatë javës u evidentuan edhe raste të manipulimit të fakteve dhe riciklimit të teorive konspirative. Një video në TikTok pretendoi se gjatë qeverisjes së Albin Kurtit janë investuar 1 miliard euro në armatim, por verifikimet tregojnë se buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për periudhën 2021–2025 kap shifrën mbi 650 milionë euro, ndërsa rreth 450 milionë euro janë shpenzuar për armatim. Nuk ka asnjë dokument zyrtar që konfirmon shifrën prej 1 miliard eurosh si investim të realizuar; kjo shumë lidhet me plane të ardhshme dhe jo me shpenzime faktike. Në të njëjtën kohë, në një intervistë për “RIA Novosti”, Velko Odalloviq, kryetar i Komisionit për Personat e Zhdukur në Qeverinë e Serbisë, riktheu pretendimet për të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë” dhe trafikim organesh, ndonëse hetimet e deritanishme nuk kanë vërtetuar ekzistencën e një skeme të tillë, duke e bërë këtë rast vazhdim të një narrative të pavërtetuar e konspirative.
Mashtrim
Nëpërmjet një publikimi në Facebook është pretenduar se deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, në një konferencë për shtyp, ka mbajtur të veshur një bluzë në të cilën shkruan “LIRIA KA EMËR, KRIMINELT DHE HAJNAT DUHET ME I DENUË”. Gjetjet kanë treguar se asaj i është manipuluar pjesa e veshjes, duke ia montuar një bluzë me mesazh. Edhe analiza digjitale evidentoi ndërhyrje. Ymeri reagoi duke e quajtur montazh dhe sqaroi qëndrimin e saj lidhur me proceset në Hagë. (këtu)
Clickbait
Nëpërmjet titullit të një artikulli është pretenduar për rritje të shtesave dhe pensioneve në Kosovë. Titulli “Rriten shtesat dhe pensionet, Kurti flet edhe për pagën e 13-të” ka lënë hapësirë të keqinterpretohet, sikur bëhet fjalë për vendim të ri për rritje të shtesave dhe pensioneve në Kosovë. Megjithatë, përmbajtja e artikullit tregon se bëhet fjalë për deklarata nga kryeministri Albin Kurti gjatë diskutimeve në seancën për Projektbuxhetin e vitit 2026. Pa miratim të projektligjit dhe pa vendim të ri të Qeverisë, pretendimi për rritje është i pabazuar dhe krijon perceptim të gabuar te lexuesit. (këtu)
Manipulim i fakteve
Një video e publikuar në TikTok paraqet pamje të kryeministrit Albin Kurti pranë automjeteve ushtarake dhe aktivitete të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me mbishkrimin që pretendon se gjatë qeverisjes së tij janë investuar 1 miliard euro në armatim, duke shënuar rritje prej 400% krahasuar me qeveritë e kaluara. Pas verifikimit të raportimeve mediatike dhe deklarimeve publike të zyrtarëve shtetërorë, hibrid.info ka gjetur se buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes ka shënuar rritje graduale nga viti 2021 deri në vitin 2025, me një total që kap shifrën mbi 650 milionë euro për këtë periudhë. Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se rreth 450 milionë euro janë shpenzuar vetëm për armatim gjatë mandatit të kaluar qeverisës. Megjithatë, nuk është gjetur asnjë dokument zyrtar apo raport financiar që të konfirmojë pretendimin se 1 miliard euro janë investuar në armatim gjatë qeverisjes së kaluar. Kjo shifër përmendet në kontekst të një premtimi për investime në katër vitet e ardhshme dhe jo si shumë e realizuar deri më tani. (këtu)
Teori konspirative
Kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur në Qeverinë e Serbisë, Velko Odalloviq, në një intervistë për mediumin rus “RIA Novosti”, ka folur për “shtëpinë e verdhë”, duke thënë se organet e viktimave të Kosovës u janë shitur individëve të pasur jashtë vendit. Pretendimi se ka ekzistuar “shtëpia e verdhë” dhe se janë kryer operacione për trafikim të organeve nuk është vërtetuar asnjëherë. Hetimet e deritanishme nuk kanë vërtetuar një gjë të tillë. Pretendimet e Odalloviq se organet e viktimave të Kosovës u janë shitur individëve të pasur jashtë vendit nuk bazohen në asnjë fakt. (këtu)