Të fundit | Mediat serbe për aktgjykimin e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së: nga “dënim… Të fundit | Media ruse e serbe paraqesin rrejshëm protestën në Tiranë si “trazira” për… Të fundit | Pretendohet pabazë se Albin Kurti është vlerësuar pozitivisht në raportimet… Të fundit | Manipulohet fotografia e protestës së vitit 2022, i ndryshohet mbishkrimi n… Të fundit | Deklarata e vjetër e Musliut mundohet të paraqitet si reagim pas vendimit n… Të fundit | Vrasja e Xhemail Mustafës paraqitet rrejshëm si pjesë e aktgjykimit të Hagë… Të fundit | Bosnitch shtrembëron faktet për sulmet e autobusëve në Kosovë më 1999 dhe 2… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se Kurti ka pranuar që Thaçi të bëhet president nëse l… Të fundit | Pretendim i pakonfirmuar se gjashtë futbollistë të tjerë do ta bojkotojnë K… Të fundit | Pretendohet pa bazë se vetëm dy nga ish-krerët e UÇK-së do të lirohen më 16…
[ ARTIKULLI ]

Media ruse e serbe paraqesin rrejshëm protestën në Tiranë si “trazira” për shkak të dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

DEZINFORMATË

Protestat në Tiranë ishin kundër qeverisë, jo trazira të shkaktuara nga dënimi i ish-krerëve të UÇK-së.

Përmes një artikulli të publikuar më 17 shtator nga mediumi rus “Sputnik” në gjuhën serbe, pretendohet se në Tiranë kanë ndodhur “trazira” për shkak të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Artikulli mban titullin Trazira në Tiranë për shkak të aktgjykimit ndaj udhëheqësve të të ashtuquajturës UÇK: Shqipëria doli në krah të Prishtinës”.

Në artikull pretendohet se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë miratuan një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Më tej, pretendohet se “pranë parlamentit” kanë ndodhur përleshje mes policisë dhe protestuesve, të cilët, sipas artikullit, ishin mbledhur në protestë “kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe kundër vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë” ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

I njëjti artikull u publikua më pas edhe nga mediumi në serbisht “Vaseljenska.net”.

Çka nuk shkon me pretendimin?

Pas hulumtimit online të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se raportimet e mediave në Shqipëri tregojnë se protesta e 17 shtatorit në Tiranë ishte pjesë e një serie protestash antiqeveritare që kishte nisur rreth 110 ditë më herët dhe kërkesa kryesore e protestuesve ishte dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.


Raportimi i mediave në Shqipëri

Mediumi online Reporter.al raportoi se qindra qytetarë u mblodhën pranë Kuvendit dhe Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar largimin e Ramës. Sipas këtij raportimi, protestuesit hodhën vezë dhe letra higjienike drejt policisë, ndërsa tensionet u përshkallëzuan kur disa prej tyre tentuan të kalonin kordonin policor dhe gardhin metalik. Më pas, pati përplasje kur një pjesë e protestuesve u nisën drejt Kryeministrisë (shih këtu).

Edhe BalkanWeb raportoi se protestuesit e mbledhur para Kuvendit bënin thirrje kundër klasës politike dhe kërkonin dorëheqjen e Edi Ramës (shih këtu).

Raportimi i Shqiptarja.com përshkruan gjithashtu se protesta e 17 shtatorit nisi para Kuvendit dhe më pas u zhvendos në zona të tjera të Tiranës. Sipas këtij mediumi, tensionet e para me policinë nisën kur protestuesit tentuan të kalonin kordonin e policisë pranë Ministrisë së Brendshme, pas së cilës pati hedhje vezësh dhe shishesh uji drejt efektivëve (shih këtu).

Pra, përplasjet me policinë më 17 shtator lidhen në raportimet e mediave shqiptare me protestën antiqeveritare dhe tentativat e protestuesve për të kaluar barrierat policore, ndërsa nuk gjendet në këto raportime dëshmi se përplasjet u shkaktuan nga kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Hagës.

Po vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së?

Është e vërtetë se më 17 shtator Kuvendi i Shqipërisë miratoi një deklaratë lidhur me aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Në deklaratë Kuvendi shprehu mospajtim me vendimin dhe deklaroi se do të bashkërendojë veprimet me institucionet e Kosovës.

Po ashtu, BalkanWeb raportoi se kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, lexoi deklaratën në mbështetje të UÇK-së dhe ish-pjesëtarëve të saj (shih këtu).

Megjithatë, kjo ishte një ngjarje e ndarë nga protesta antiqeveritare jashtë Kuvendit. Madje, raportimet për protestën e 17 shtatorit tregojnë se ajo ishte paralajmëruar si protestë kundër klasës politike dhe se protestuesit kërkonin dorëheqjen e Ramës.

Ndërsa më 16 shtator, ditën kur u shpall aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, protesta e qytetarëve në Tiranë u solidarizua edhe me ta. Euronews Albania raportoi se protesta e 109-të përkoi me shpalljen e vendimit në Hagë dhe se protestuesit gjatë marshimit drejt Kryeministrisë brohoritën “UÇK, UÇK” (shih këtu).

Faktet tregojnë se më 17 shtator në Tiranë pati përplasje mes protestuesve dhe policisë, por këto përplasje ndodhën gjatë një proteste antiqeveritare që ishte zhvilluar prej rreth 110 ditësh. Pra, burimet nga mediat në Shqipëri nuk e mbështesin pretendimin e mediumit rus se përplasjet me policinë u shkaktuan për shkak të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.


Analiza

Pretendimi për “trazira në Tiranë” u publikua nga Sputnik në gjuhën serbe, ku përplasjet mes protestuesve dhe policisë paraqiten si të lidhura edhe me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Megjithatë, raportimet e mediave shqiptare për protestën e 17 shtatorit japin një kontekst tjetër. Protestuesit kërkonin dorëheqjen e Edi Ramës dhe protestonin kundër qeverisë, ndërsa përplasjet me policinë nisën gjatë tentativave për të kaluar kordonin policor.

Ndërkohë, aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe deklarata e Kuvendit të Shqipërisë ishin zhvillime të së njëjtës periudhë, por mediat në Shqipëri nuk e paraqesin aktgjykimin si shkakun e përplasjeve me policinë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin e “Sputnik” si “Dezinformatë”.

Arsyetimi

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere