[email protected]
Meta nuk e ka shkarkuar Ramën
shape
shape
shape

Portali i dyshimtë “gazetakorrekte.com” ka publikuar një artikull me titull “E fundit! ”Dridhet qeveria”? Ilir Meta shkarkon Edi Ramën, ja çfarë po ndodh”.

Ky artikull përmban titull të ndryshuar dhe tendencioz, i cili nuk përputhet me përmbajtjen. Në tekstin e këtij artikulli pretendohet rrejshëm për shkarkimin e Edi Ramës nga detyra e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Në fakt, lajmi autentik i cili është shtrembëruar nga “gazetakorrekte.com”, ka të bëjë me njoftimin e Presidencës së Shqipërisë rreth dekretimeve nga presidenti Meta të ndryshimeve të fundit në Qeverinë e këtij vendi. Gjithashtu, në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë, organi i vetëm kompetent për ndryshime në kabinetin qeveritar është kryeministri i vendit. Ndërsa institucioni që merr vendim për rrëzimin e kryeministrit, rrjedhimisht Qeverisë, është Kuvendi, përmes mocionit të votëbesimit.

Vegëza e artikullit të publikuar në “gazetakorrekte.com”:


Njoftimi i Institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka dekretuar sot shkarkimin e zotit Edi Rama nga detyra e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme dhe zonjës Olta Xhaçka nga detyra e ministrit të Mbrojtjes.

Po sot, Presidenti Meta ka dekretuar emërimin e zonjës Olta Xhaçka në detyrën e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme dhe zotit Niko Peleshi në detyrën e ministrit të Mbrojtjes.


Më poshtë mund të lexoni artikullin origjinal të publikuar në portalin “top-channel.tv” lidhur me shkarkimin e Ramës si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme.


Analiza:

“Gazetakorrekte.com” ka marrë një pjesë nga përmbajtja e këtij lajmit autentik të publikuar në mediat e Shqipërisë, e më pas atij i ka vënë titull tendencioz. Duke vënë titull “dridhet qeveria”, ky portal i dyshimtë lë të kuptohet se bëhet fjalë për shkarkimin e Ramës. Pas procesit të kontrollit të fakteve, rezulton se titulli nuk përputhet me përmbajtjen artikullit, duke qenë se lajmi ka të bëjë me dekretimin nga ana e presidentit Ilir Meta të ndryshimeve brenda Qeverisë Rama, por jo edhe me shkarkime. Pretendimi i rremë për shkarkime, bije ndeshë edhe me dispozitat e Kushtetutës së Shqipërisë dhe rolin e institucioneve vendimmarrëse. Pra, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, i vetmi institucion përgjegjës për shkarkime dhe emërime të ministrave është ai i Kryeministrit. Ndërsa përgjegjës për shkarkimin e Kryeministrit, rrjedhimisht Qeverisë, është Kuvendi përmes procesit të votëbesimit. Nga kjo analizë e fakteve të kontrolluara të bërë nga hibrid.info, rezulton se ky artikull është “dezinformatë” dhe “clickbait”.


Arsyetimi:

Dezinformata – Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

“Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others