Është publikuar një video-material, që përmban një imazh me mbishkrimin “GJYKATA HAGËS REZON GJDO AKUZË PËR KRERËT E UÇK-SË – SE SHPEJTI NË LIRI”.
Kjo përmbajtje është publikuar të hënën (21 shtator) në Facebook, nga një faqe me emrin “Diaspora Shqiptare në Francë”.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Pretendimi i paraqitur nuk është i konfirmuar.

Deri në momentin e trajtimit, kjo përmbajtje ka 370 pëlqime dhe afër 20 komente.
Në mbishkrim nuk specifikohet se për cilin rast gjyqësor bëhet fjalë. Megjithatë, përmendja e Gjykatës në Hagë dhe e “krerëve të UÇK-së” nënkupton se pretendimi i referohet rastit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ndaj të cilëve Gjykata Speciale në Hagë shpalli aktgjykimin e shkallës së parë më 16 shtator 2026.
Hibrid.info kontrolloi në uebfaqen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Special (shih këtu).
Njoftimet e fundit zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës nuk konfirmojnë pretendimin në fjalë. Më 16 shtator 2026, Trupi Gjykues shpalli aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke i shpallur të katër fajtorë për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim (shih këtu).
Trupi Gjykues, megjithatë, i shpalli të akuzuarit të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi konstatoi se Prokuroria nuk e kishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të përhapur ose sistematik ndaj popullsisë civile.
Më pas hulumtimi për pretendimin ka vijuar edhe përmes kërkimit në makinën e kërkimit “Google”. Në krye të rezultateve të shfaqura, është hapur blloku e AI Overvieë, që ka vlerësuar pretendimin e kërkuar për rrëzimin e akuzave si plotësisht të pasaktë dhe ka prezantuar aktgjykimin e 16 shtatorit 2026 të Dhomave të Specializuara të Kosovës për ish-krerët e UÇK-së, duke paraqitur detaje mbi dënimet dhe hapat e radhës.
Poshtë tij, rezultatet kanë shfaqur me lajme, të cilat kanë raportuar mbi vendimet e Gjykatës së Hagës dhe akuzat për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Procedura gjyqësore në Dhomat e Specializuara
Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, procedurat gjyqësore parashikojnë tri shkallë. Në shkallën e parë, Trupi Gjykues merr dhe shpall aktgjykimin, si dhe shqipton dënimin ndaj personave të shpallur fajtorë.
Kundër këtij aktgjykimi mund të paraqitet ankesë në Panelin e Gjykatës së Apelit, i cili shqyrton çështje që lidhen me gabime juridike, gabime faktike që kanë shkaktuar dështim të drejtësisë ose gabime në dhënien e dënimit. Procedura e apelit nuk përbën një gjykim të ri.
Në raste të përcaktuara me ligj, aktgjykimi i Apelit mund të ankimohet edhe në Panelin e Gjykatës Supreme, i cili përbën shkallën e tretë. Kjo mundësi parashihet, ndër të tjera, kur Apeli e ndryshon një vendim lirues në vendim dënues ose kur është shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm.
Kjo nënkupton se aktgjykimi i shpallur më 16 shtator 2026 nuk përbën përfundim të të gjitha procedurave gjyqësore. Të dënuarit kanë të drejtë të ankohen ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, ndërsa procedura e apelit mund të çojë në konfirmimin, kthimin ose rishikimin e aktgjykimit, në përputhje me kushtet e përcaktuara në ligj. Megjithatë, ekzistenca e së drejtës për ankesë nuk nënkupton se akuzat janë rrëzuar apo se të dënuarit janë liruar dhe do të dalin së shpejti nga burgu.
Analiza
Pretendimi se Gjykata në Hagë ka rrëzuar të gjitha akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe se ata së shpejti do të jenë në liri, është i pabazë.
Hibrid.info ka kontrolluar njoftimet dhe dokumentet zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës lidhur me aktgjykimin e shpallur më 16 shtator 2026. Trupi Gjykues i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë për disa krime lufte dhe u shqiptoi atyre dënime me burgim.
Ndërkaq, aktgjykimi i 16 shtatorit është aktgjykim i shkallës së parë dhe, sipas ligjit, mund të ankimohet në Panelin e Gjykatës së Apelit.
Megjithatë, mundësia e paraqitjes së ankesës nuk nënkupton se akuzat janë rrëzuar apo se të dënuarit do të lirohen së shpejti.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.