Në disa llogari në Facebook (shih këtu, këtu dhe këtu) është publikuar një deklaratë që i atribuohet ish-diplomatit britanik John Stewart Duncan, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte këshilltar politik i komandantit të NATO-s, gjeneralit Wesley Clark.
Në postime pretendohet se Duncan ka thënë:
“Disa shqiptarë, po ta kishin pasur motivin për të luftuar kundër Serbisë gjatë viteve 1990-1999, ashtu siç e kanë pasur për ta luftuar Thaçin nga viti 1999 e deri më sot, Kosova do të ishte çliruar pa ndihmën e NATO-s”.

Çka tregojnë faktet?
Nga kërkimet në shqip dhe anglisht, përfshirë kërkimet me emrin e plotë të John Stewart Duncan dhe pjesë të ndryshme të deklaratës së pretenduar, nuk është gjetur asnjë burim kredibil si, media, intervistë, dokument, dëshmi gjyqësore apo burim tjetër publik që e dokumenton këtë deklaratë (shih këtu dhe këtu).
Ndërkohë, deklaratat e Duncan-it që janë raportuar gjerësisht nga mediat për dëshminë e tij në Hagë janë të dokumentuara dhe nuk përmbajnë pretendimin se “shqiptarët do ta kishin çliruar Kosovën pa NATO-n po të kishin pasur më shumë motiv për të luftuar Thaçin“.
John Stewart Duncan dëshmoi në shtator 2025 në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve. Në fund të viteve ’90, ai ishte këshilltar politik i Wesley Clark, atëherë komandant suprem i Forcave Aleate të NATO-s. Kjo pjesë e informacionit është e dokumentuar nga disa media që raportuan drejtpërdrejt për dëshminë e tij (shih këtu dhe këtu).
Po ashtu, UNMIK Media Observer, i cili përmblodhi raportimet kryesore mediatike për ditën e parë të dëshmisë së Duncan-it, liston deklaratat kryesore të raportuara nga mediat, por as aty nuk shfaqet pretendimi në fjalë (shih këtu).
Analiza
Në disa llogari në Facebook është publikuar një deklaratë që i atribuohet John Stewart Duncan, sipas së cilës Kosova do të ishte çliruar pa ndihmën e NATO-s nëse shqiptarët do të kishin pasur të njëjtin motiv për të luftuar Serbinë siç kanë pasur për të luftuar Hashim Thaçin pas vitit 1999.
Kërkimet në shqip dhe anglisht, përfshirë kërkime me emrin e Duncan-it dhe pjesë të deklaratës, nuk kanë nxjerrë asnjë burim kredibil që e dokumenton këtë citim.
Ndërkohë, raportimet për dëshminë e Duncan-it në Hagë në vitin 2025 dhe përmbledhja e UNMIK Media Observer nuk e përmbajnë këtë deklaratë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.