[email protected]
Nuk paraqiten fakte që dëshmojnë arsyen e vendosjes së kamerave në Ranillug e Partesh
shape
shape
shape

E përditshmja serbe ka publikuar sot (22 tetor) në versionin online “Informer.rs” një artikull me pretendimin për spiunimin e serbëve me qëllim të frikësimit të tyre. Artikulli mbanë titullin “Shqiptarët spiunojnë serbët në jug të KiM: Vazhdim i frikësimit apo diçka po përgatitet”.

Artikulli është i bazuar në një lajm për kamera vëzhguese të vendosura në vendbanimet në Ranillug dhe Partesh, për të cilat nuk dihet se kush i ka vendosur, por që gazeta serbe pretendon se janë vendosur nga shqiptarët për të vëzhguar çdo hap të serbëve.

Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se artikulli në fjalë është i bazuar në një lajm të publikuar nga REL (Radio Evropa e lirë) për kamera “pa pronar” të vendosura në Ranillug dhe Partesh.

Vegëza e artikullit të publikuar në “Informer.rs”:

https://informer.rs/vesti/politika/744004/kim-srbi-siptari-kamere-ranilug-partes

Pjesë të artikullit të publikuar në “Informer.rs”:

Të paktën njëzet kamera vëzhgimi janë instaluar gjatë natës në Partesh dhe Ranillug, dy komuna në jug të Ibrit ku jetojnë shumica e serbëve, dhe askush zyrtarisht nuk e di se kujt i shkojnë këto regjistrime!?

Kamerat vendosen në shtiza flamujsh, kryqëzime dhe hapësira të tjera publike, madje edhe afër shtëpive private ku jetojnë serbët. Banorët e këtyre dy komunave në jug të Kosovës dhe Metohisë thonë se nuk e dinë se kush i ka vendosur kamerat, as kush i kontrollon dhe ku janë të arkivuara regjistrimet, ndërsa Prishtina vetëm pjesërisht ka paralajmëruar ‘inspektimin’. Ekspertët, bashkëbisedues të Informer, janë të bindur se pas këtyre kamerave ‘fantom’ qëndrojnë shqiptarët dhe se synimi i tyre është të ndjekin çdo hap të serbëve në këtë pjesë të krahinës!


Përkundër faktit që mediumi serb “Informer.rs” bazohet në lajmin e përgatitur nga REL, në të cilin nuk ceket se kush i ka vendosur këto kamera, kjo e përditshme pretendon se këto janë bërë nga shqiptarët me qëllim të ndjekjes së çdo hapi të serbëve me synim frikësimin e tyre.

Artikulli i publikuar në REL, në të cilin qytetarët shprehen jo të shqetësuar për këto kamera dhe se nuk e kanë idenë se kush i kontrollon ato: (këtu)

“Disa qytetarë të kësaj zone, që nuk deshën të flasin publikisht, u shprehën jo të shqetësuar nga prania e këtyre kamerave. Ata thanë se nuk kanë ide se kush i kontrollon ato.”


Analiza:

E përditshmja serbe “Informer.rs” ka publikuar një artikull me pretendimin se shqiptarët po i spiunojnë serbët në jug të Kosovës me qëllim të frikësimit të tyre, bazuar në një lajm për vendosjen e disa kamerave vëzhguese “pa pronar” në Ranillug dhe Partesh.

Gazeta serbe bazohet në lajmin e përgatitur nga REL në të cilën nuk bëhet e ditur se kush qëndron prapa vendosjes së këtyre kamerave dhe se qytetarët aty nuk ndihen të shqetësuar. Përkundër kësaj gazeta serbe pretendon pa fakte se kamerat janë vendosur nga shqiptarët për, siç shkruan, t’i ndjekë serbët në çdo hap.

Në bazë të metodologjisë së punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “përmbajtje e pa verifikuar”.


Vlerësimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Share With Others