info@hibrid.info
Përmbajtja nuk e sqaron se Abdixhiku i dha mbështetje Osmanit për Bordin e Paqes
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një imazh që ka mbishkrimin “E KONFIRMUAR – LUMIR ABDIXHIKU I JEP MBËSHTETJE VJOSA OSMANIT”.

Kjo përmbajtje është publikuar të hënën (9 shkurt) në Facebook nga faqja me emrin “Gazeta Minuti”.

Ndërsa këtij postimi i është vënë mbishkrimi “Kreu i LDK-së e ka konfirmuar se i ka dhënë mbështetje të plotë Vjosa Osmanit”.

Çka nuk shkon me përmbajtjen?

Hibrid.info vërejti se përmbajtja nuk sqaron se për çfarë lloj mbështetjeje bëhet fjalë, duke e paraqitur atë në mënyrë të përgjithësuar dhe të paqartë.

Deri në momentin e trajtimit, postimi ka marrë mbi 600 pëlqime e mbi 200 komente. Faqja që ka publikuar atë, ka mbi 234 mijë ndjekës. Nga të dhënat e paraqitura, në faqen në fjalë shkruan se ajo është “Kompani mediatike/lajmesh”. Faqja në fjalë ka të paraqitur një adresë që figuron të jetë në Gjermani dhe gjithashtu duket se është e pranishme edhe në mediat tjera sociale (shih këtu).

Ajo ka të publikuar edhe domainin e portalit me të njëjtin emër (shih këtu).


Hibrid.info hulumtoi me anë të motorit të kërkimit “Google”, me fjalët “lumir abdixhiku”. Rezultatet nga kërkimi për 24 orëshin e fundit, shfaqën artikuj të publikuar nga media kredibile, ku është raportuar se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është takuar me presidenten e vendit Vjosa Osmani me ftesë të kësaj të fundit për ta informuar të njëjtin rreth Bordit të Paqes, ku Kosova është në mesin e shteteve themeluese (shih këtu).

Këto përmbajtje kanë raportuar se Abdixhiku, pasi është informuar nga Osmani për këtë iniciativë, ka shprehur mbështetjen e LDK-së për të njëjtën (shih këtu, këtu dhe këtu.

Mediat që kanë raportuar lajmin janë bazuar në një postim në llogarinë e kreut të LDK-së në Facebook, përmbajtje të cilën edhe hibrid.info e ka hasur pas kontrollit (shih këtu).

Siç shihet nga ky publikim, mbështetja që Abdixhiku ia ka ofruar Osmanit, ka të bëjë me Bordin e Paqes.

Pse publikimi i trajtuar mund të jetë çorientues?

Mandati i presidentes Osmani përfundon në prill të këtij viti. Publikisht ajo ka deklaruar se e synon edhe një mandat si presidente (shih këtu). Neni 4 i Ligjit të Presidentit, specifikon se secili shtetas i Republikës së Kosovës, që plotëson kriteret e parapara në po këtë ligj, mund të nominohet si kandidat për President të Republikës së Kosovës, siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për President të Republikës së Kosovës (shih këtu).

Neni 86 i Kushtetutës së Kosovës përcakton se zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet president i Kosovës (shih këtu).

Ndërsa Rregullorja e Kuvendit, në pikë 5 të Nenit 106, thotë se për të qenë i vlefshëm votimi i parë dhe i dytë, duhet të marrin pjesë në votim të paktën 80 deputetë, ndërsa në votimin e tretë duhet të marrin pjesë të paktën 61 deputetë (shih këtu).

Në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, subjektet politike shqiptare që morën ulëse në Kuvendin e Kosovës janë Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 57 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me gjithsej 6. Rrjedhimisht, zgjedhja e presidentit pas përfundimit të mandatit të Osmanit, do të jetë e vështirë pa bashkëpunimin e subjekteve politike parlamentare shqiptare.

Në këto rrethana kur Osmani ka shprehur synimin edhe për një mandat në këtë pozitë, afër përfundimit të mandatit aktual, mos qartësimi se çfarë mbështetje i dha kryetari i LDK-së Osmanit, mund të keqlexohet si një përkrahje për marrjen e postit të presidentit.

Kjo mundësi mbështetet edhe në përmbajtjen e komenteve në postimin e trajtuar, ku në shumë prej tyre kuptohet se lexuesit e kanë perceptuar përmbajtjen si shprehje të mbështetjes së Abdixhikut për Osmanin në rrugëtimin e saj për herë të dytë, drejt postit të presidentit.


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte njëra prej 19 nënshkruesve të Bordit të Paqes, mekanizëm i themeluar nga presidenti amerikan, Donald Trump për rindërtim të Gazës së shkatërruar nga lufta dyvjeçare (shih këtu).

Analiza:

Në Facebook është publikuar një imazh me mbishkrimin se Lumir Abdixhiku i ka dhënë mbështetje Vjosa Osmanit, pa u sqaruar se për çfarë lloj mbështetjeje bëhet fjalë.

Postimi bazohet në një deklaratë të Abdixhikut, ku ai ka shprehur mbështetjen e LDK-së ndaj iniciativës së Bordit të Paqes, ku Kosova figuron si një nga shtetet themeluese.

Duke qenë se Osmani e ka shprehur edhe publikisht ambicien për një mandat të dytë si Presidente, përmbajtja e trajtuar lë mundësinë që lexuesi ta pranojë atë si përkrahje politike pikërisht për këtë çështje.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others