*Artikulli është përditësuar me njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.
Shkroi: Etrit Rexhepi
Nëpërmjet artikujve në disa media në Serbi është pretenduar se një grup i “shqiptarëve të maskuar” ka sulmuar pjesëtarë të Policisë së Serbisë, në zonën e sigurisë te rajoni i njohur si “Madljika”.

“Shqiptarët sulmuan policinë serbe në zonën tokësore të sigurisë”, është titulli i mediumit në gjuhën serbe “novosti.rs”, i publikuar më 26 shkurt.
“Sipas informatave jozyrtare, një grup i shqiptarëve të maskuar sulmuan pjesëtarë të MUP-it rreth orës 3:00 pasdite në zonën Madljika, në zonën tokësore të sigurisë, në jug të Serbisë. Nga ajo që dihet, sulmuesit ikën në drejtim të territorit të provincës autonome të Kosovës dhe Metohisë”, thuhet në përmbajtjen e artikullit, të përkthyer në shqip.
Përmbajtja e ngjashme u raportua edhe nga mediat tjera në gjuhën serbe (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Sipas pretendimeve të disa mediave, sulmuesit kanë shtënë rreth 10 herë në drejtim të patrullës policore. Aty është thënë se nuk ka ndonjë polic të lënduar.
Çka dihet zyrtarisht?
Përderisa titujt konstatojnë se bëhet fjalë për “sulmues shqiptarë”, në hyrje të tekstit bëhet e ditur se pretendimi nuk është i bazuar në burime zyrtare.
Në seksionin e njoftimeve apo lajmeve të uebfaqes së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) nuk janë dhënë informacione për një rast të tillë, të paktën deri në momentin e trajtimit nga Hibrid.info.
Disa prej këtyre mediave kanë raportuar se bëhet fjalë për “seri sulmesh ndaj Policisë serbe” duke marrë për bazë edhe një pretendim të disa mediave të para rreth 20 ditësh se disa “shqiptarë kishin shtënë më shumë se 100 herë ndaj Policisë së Serbisë”. Edhe atë përmbajtje, Hibrid.info e pati trajtuar si përmbajtje të paverifikuar. Pas trajtimit, mediumi në gjuhën serbe “kurir.rs” e pati korrigjuar përmbajtjen.
Zona e Sigurisë Tokësore ishte një zonë e krijuar në qershor të 1999-s pas marrëveshjes së Kumanovës për fundin e luftës në Kosovë. Ajo ishte pesë kilometra e gjerë. Atë kohë ishte dizajnuar edhe një zonë ajrore e sigurisë, e gjerë 25 kilometra (Shih këtu).
Të premten, 27 shkurt, Policia e Kosovës nëpërmjet një sqarimi për media ka thënë se nuk ka asnjë dëshmi për një rast të tillë të evidentuar apo të ndodhur në brezin kufitar.
“Policia e Kosovës (PK) sqaron dhe njëherit njofton opinionin publik lidhur me disa dezinformata të publikuara kryesisht në çarqe e media serbe. Pa verifikim paraprak, janë publikuar shkrime se kinse disa persona shqiptarë të maskuar vendosën pengesa në rrugë, pastaj qëlluan me 10 plumba ndaj policisë serbe në zonën Madljika, siç e quajnë në Zonën Tokësore të Sigurisë në Serbinë jugore. Policia e Kosovës sqaron me përgjegjësi të plotë institucionale se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore, duke përdorur të gjitha format verifikuese institucionale, duke rezultuar se nuk ka dëshmi apo të dhëna zyrtare për ndonjë rast të tillë të evidentuar apo të ndodhur në brezin kufitar të asaj zone”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, fakti që lajmi i 26 shkurtit është i ngjashëm me atë të fillimit të shkurtit, “shton dyshimet për orkestrim të qëllimshëm të prodhimit të dezinformatave”.
“Deri më tani, bazuar në të gjitha burimet e mundshme në dispozicion nuk ka asnjë konfirmim se një incident i tillë me të vërtetë ka ndodhur, si ditën e djeshme e po ashtu me datën 05.02.2026. Për të gjitha veprimet është njoftuar edhe KFOR-i”, thuhet në njoftim.
Analiza:
Disa media në gjuhën serbe kanë pretenduar pa burime zyrtare se “shqiptarë të maskuar” sulmuan Policinë e Serbisë në zonën e sigurisë.
Titujt e paraqesin si fakt, por në tekst pranohet se informacioni është jozyrtar. Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka publikuar njoftim për rastin.
Ngjarja lidhet edhe me pretendime të mëparshme të paverifikuara për sulme të ngjashme.
Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto pretendime si “Përmbajtje e paverifikuar”.
Arsyetimi
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.



