Përgatiti: Festim Rizanaj
Gjatë javës së kaluar, lajmet e rreme dhe dezinformatat kanë qenë në qendër të vëmendjes sa i përket keqinformatave të shpërndara në media, portale të dyshimta dhe platforma të ndryshme sociale.
Disa lajme të rreme dhe dezinformata janë publikuar në TikTok, duke synuar manipulimin e opinionit publik. Ndër to, përmenden pretendimet e pavërteta për deklaratat e Eliot Engel kundër atyre që janë kundër simboleve të Kosovës, sondazhe të fabrikuara për mbështetjen elektorale të partive politike para zgjedhjeve parlamentare, dhe pohime të rreme për mbështetjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndaj kandidatit të PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza. Po ashtu, qarkulloi një pretendim i pavërtetë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka lavdëruar kryeministrin Albin Kurti dhe ka parashikuar një të ardhme të ndritur për Kosovën në Evropë. Hibrid.info verifikoi se të gjitha këto përmbajtje ishin të fabrikuara dhe të pabazuara në fakte.
Gjatë javës së kaluar, janë shpërndarë disa dezinformata, duke përfshirë pretendime të pavërteta për vendime të Qeverisë së Kosovës, deklarata të vjetra të paraqitura si aktuale për Albin Kurtin dhe Matthew Palmer, sondazhe të fabrikuara ose të ripublikuara jashtë kontekstit, si dhe raportime të rreme për bllokim trafiku gjatë vizitës së Kurtit në Zvicër. Po ashtu, një vlerësim për Kurtin, i pretenduar si nga një gazetë zvicerane, rezultoi të ishte një koment i një qytetari.
Dezinformatë dhe clickbait u vlerësua artikulli me titull “Trump pezullon ndihmat për Kosovën, por që titulli nuk përputhej me përmbajtjen.
Dezinformatë/Përmbajtje e pa verifikuar u vlerësua pretendimi në media se kandidatja e VV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka shfaqur mungesë njohurie për politikën e jashtme kur ka thënë që Kosova ka misione diplomatike në Greqi e Poloni, por sipas Ligjit për Shërbim të Jashtëm të Kosovës, përkufizimi i “misionit diplomatik” përfshin edhe zyrat që përfaqësojnë Kosovën në shtete të tjera.
Teori konspirative u vlerësua një intervistë për Newsmax Balkans, nga Petar Petkoviq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili pretendoi se Albin Kurti po synon krijimin e një Kosove etnikisht të pastër dhe formimin e “Shqipërisë së Madhe”. Por lidhur me këtë pretendim ai nuk ofroi prova për këto akuza. Po ashtu, mediumi rus “Sputnik” dhe ai serb “Politika.rs” kanë publikuar artikuj ku pretendojnë se Kurti po manipulon zgjedhjet dhe përdor fushatën për të shpërndarë një ide të dhunshme për shqiptarizimin e Kosovës dhe spastrimin etnik të serbëve, pa ofruar fakte konkrete. Këto pretendime janë të pabazuara dhe kundërshtohen nga masat e KQZ-së për transparencë dhe mbikëqyrje të procesit zgjedhor, duke përfshirë vëzhgues ndërkombëtarë dhe kamera në vendvotime.
Lajm i rremë
Publikohet një imazh me figurën e Eliot Engelit, ish-kongresist amerikan, në mbishkrimin e së cilës pretendohet se ai ka deklaruar që të mos votohet për ata që ishin kundër simboleve dhe himnit Të Kosovës, pasi që ata janë të rrezikshëm për shtetin e ri të Kosovës. Kjo fotografi është publikuar dje (17 janar) në TikTok nga një llogari me emrin “ardii1381”. Por, hibrid.info ka gjetur se Engel nuk ka dhënë një deklaratë ashtu si pretendohet në mbishkrimin e këtij materiali. (këtu)
Publikohet një imazh që pretendon se paraqet një sondazh, ku tregohet mbështetja elektorale ndaj subjekteve politike në Kosovë, para zgjedhje parlamentare të 9 shkurtit. Përmbajtja e përmendur është publikuar në TikTok më 18 janar nga llogaria me emrin “shqiptelegraf”. Përmbajtja i rendit partitë politike si vijon: Lëvizja Vetëvendosje (LVV): 48.21%, Partia Demokratike e Kosovës (PDK): 17.33%, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK): 13.17% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK): 7.43%. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur se një sondazh i tillë është publikuar nga burime kredibile. (këtu)
Nëpërmjet një publikimi në TikTok është pretenduar se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka folur për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Publikimi është bërë nga llogaria “pograddeccii” më 12 janar. Në publikim është një fotografi në të cilën shihen Trumpi dhe Kurti. Në pretendim është mbishkrimi, sipas të cilit, presidenti Trump tek ka folur për BBC-në ka lavdëruar kryeministrin Kurti të cilin e ka quajtur “partner shumë të mirë” dhe se “Kosova do futet para Shqipërisë në Evropë”, e “brenda 7 vjetëve, Kosova do të jetë lidere në Ballkan”. (këtu)
Llogaria “xixa.05” në TikTok ka publikuar një fotografi të kandidatit të PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, nga një takim për 28 Nëntor. Përmes kësaj fotografie, kjo llogari pa ofruar asnjë fakt ka pretenduar se Rama e mbështet kandidatin e PDK-së për kryeministër të Kosovës. Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë artikull të publikuar në media për mbështetjen e pretenduar nga Rama për Hamzën apo ndonjë kandidat tjetër. (këtu)
Publikohet një imazh që pretendon se paraqet një sondazh, ku tregohet mbështetja elektorale ndaj subjekteve politike në Kosovë, para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Kjo fotografi është publikuar në TikTok nga disa llogari, me mbishkrimin që pretendon se bëhet fjalë për një sondazh të realizuar nga Bashkimi Evropian (BE). Hibrid.info ka gjetur se ky sondazh nuk është realizuar nga organizata kredibile që bëjnë matje të opinionit publik. (këtu)
Dezinformatë
Përmes një postimi në TikTok të bërë më 20 janar, u pretendua se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen nga 100 euro për pensionistët dhe fëmijët deri në moshën 16 vjet. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se lajmi është i vjetër, i cili u ripublikua, si duket, me qëllimin që të paraqitet si vendim aktual nga Qeveria e Kosovës. (këtu)
Është publikuar një imazh me mbishkrimin që pretendon se Matthew Palmer, ish-zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit ka deklaruar se ka respekt të jashtëzakonshëm për Albin Kurtin, kryeministrin aktual të Kosovës dhe mendon se ai vë interesat në të mirë të Kosovës mbi të gjitha. Ky material është publikuar sot (21 janar) në TikTok nga një llogari me emrin “bajrush.k”. Palmer ka dhënë këtë deklaratë për Kurtin, por ajo nuk është aktuale. Mos shënimi i datës kur është bërë ky deklarim mund ta bëjë që audienca ta perceptojë atë si një qëndrim aktual. (këtu)
Është publikuar një imazh që pretendon se paraqet një sondazh, ku tregohet mbështetja elektorale ndaj subjekteve politike në Kosovë, para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Kjo fotografi është publikuar dje (21 janar) në TikTok nga një llogari me emrin “sondazhe.ks”, me mbishkrimin që pretendon se bëhet fjalë për një sondazh të fundit. Hibrid.info ka gjetur se kemi të bëjmë me një sondazh të publikuar në vitin 2021, para zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit. (këtu)
Është publikuar një imazh me anë të cilit pretendohet se takimi i Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës me mërgatën në Zvicër, ka shkaktuar bllokim trafiku atje. Kjo përmbajtje është publikuar në Facebook nga portali “lecanton27.ch”, i vetëquajtur si gazeta e parë shqipe në Zvicër. Fotografia me anë së cilës është paraqitur pretendimi për bllokada në trafik, pas vizitës së kryeministrit Kurti në Zvicër, është e vjetër. (këtu)
Disa portale në gjuhën shqipe pretenduan se një gazetë zvicerane ka dhënë vlerësim për Kurtin se “Një burrë si ky lind vetëm çdo 100 vjet”. Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se ky pretendim është i rremë. Në artikullin e mediumit zviceran “Neue Zürcher Zeitung”, sqarohet se ky vlerësim për Kurtin është dhënë nga një qytetar gjatë takimit me mërgatën që kryeministri kosovar mbajti në Cyrih të Zvicrës më 23 janar. (këtu)
Dezinformatë/Clickbait
“Trump pezullon ndihmat për Kosovën”, mban përshkrimin një postim i publikuar në Facebook nga faqja “Arbëria.tv” me datë 21 janar. Në hapësirën e komenteve të këtij postimi, gjendet vegëza e artikullit të portalit “arberia.tv”, që mban titullin “Trump pezullon ndihmat për Kosovën: Çfarë dihet deri më tani?”. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se titujt janë të pasaktë dhe nuk i përgjigjen përmbajtjes. (këtu)
Dezinformatë/Përmbajtje e paverifikuar
Nëpërmjet një artikulli, mediumi “insajderi.org” ka pretenduar se kandidatja për deputete e VV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka shfaqur mungesë njohurie në fushën e politikës së jashtme kur ka thënë që Kosova ka misione diplomatike në Greqi e Poloni. Sipas raportimit, Kosova ka konsullatë në Poloni dhe zyrë të interesit në Greqi. Por përkufizimi “mision diplomatik” sipas Ligjit për Shërbim të Jashtëm të Kosovës, përfshin ambasada ose çdo zyrë tjetër që përfaqëson Kosovën në një shtet tjetër. (këtu)
Teori konspirative
Petar Petkoviq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, gjatë një interviste për Newsmax Balkans, pretendoi se Albin Kurti po synon krijimin e një Kosove etnikisht të pastër dhe formimin e “Shqipërisë së Madhe.” Megjithatë, prova që lidhin fushatën e Kurtit me këtë ide, zyrtari serb nuk ka ofruar. Krejt çka ka folur në këtë fushatë, së paku publikisht, është për bandat kriminale serbe dhe infiltrimin e Serbisë në Kosovë, pa kërcënuar serbët për spastrim etnik. (këtu)
Mediumi rus “Sputnik” në gjuhën serbe ka publikuar një artikull ku pretendon se Lista Serbe mund të “dëmtohet” në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në Kosovë, duke argumentuar për mungesë të kontrollit adekuat mbi procesin zgjedhor dhe futjen e mundshme të “votuesve fantom”, duke e bazuar këtë në mospërputhjen mes listës së votuesve dhe numrit të banorëve në Kosovë. Faktet tregojnë se listat përfundimtare të votuesve kanë 500 mijë emra më shumë se numri i banorëve të regjistruar, për shkak të mospastrimit pavarësisht përpjekjeve të KQZ-së. Po ashtu, KQZ do të vendosë kamera në çdo vendvotim për mbikëqyrje, ndërsa rreth 100 vëzhgues nga misioni i Bashkimit Evropian do të monitorojnë procesin e votimit më 9 shkurt. (këtu)
Mediumi rus “Sputnik” në gjuhën serbe ka publikuar një artikull më 24 janar, ku pretendon se Albin Kurti synon të falsifikojë zgjedhjet në Kosovë për të vendosur përfaqësues besnikë të tij në Kuvend. Artikulli bazohet në deklaratat e Maria Zaharova, e cila thotë se autoritetet e Prishtinës, me mbështetje nga Uashingtoni dhe BE, po zhvillojnë një fushatë për spastrimin e Kosovës nga serbët dhe shqiptarizimin e dhunshëm të rajonit, duke theksuar se Lista Serbe është pengesa kryesore për këtë plan. Faktet tregojnë se KQZ do të vendosë kamera në çdo vendvotim për mbikëqyrje, ndërsa 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian do të monitorojnë votimin më 9 shkurt. Po ashtu, më 22 janar, KQZ akreditoi 18,163 vëzhgues, përfshirë 290 nga Lista Serbe. Lista Serbe ka paraqitur ankesë ndaj vendimit të KQZ për përbërjen e komisioneve zgjedhore, por PZAP ka vendosur se KQZ ka vepruar sipas ligjit. Pretendimi se Kurti synon një Kosovë etnikisht të pastër nuk ka asnjë bazë. Edhe pse në të kaluarën ai nuk ka folur për bashkim kombëtar apo spastrim të serbëve, përkundrazi, ka përmendur përfshirjen e serbëve të veriut në disa biznese atje. (këtu)
Nëpërmjet një artikulli të publikuar më 24 janar, mediumi në gjuhën serbe “politika.rs” ka pretenduar për ndërlidhje të proceseve gjyqësore në disa raste ndaj serbëve me fushatën elektorale të kryeministrit dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti. Artikulli nis me raportimin se përfaqësues të Listës Serbe po bëjnë fushatë “derë më derë” në Mitrovicë para zgjedhjeve të 9 shkurtit. Për dallim nga Lista Serbe, sipas “politika.rs”, “Albin Kurti vazhdoi fushatën e tij agresive parazgjedhore për t’u përballur me serbët dhe përveç veprimeve brutale në terren dhe retorikës së ashpër, iu drejtua edhe njëherë ndjekjeve gjyqësore”. Pretendimi që ndërlidh Kurtin me proceset gjyqësore të pavarura në Kosovë, nuk është i bazuar në fakte. (këtu)
Mashtrim
Publikohet një postim me dy imazhe, ku shfaqet një objekt i marketit “Viva Fresh Store” dhe disa vetura, me mbishkrimin që thotë: Me rastin e ditëlindjes së 𝚅𝚒𝚟𝚊 𝙵𝚛𝚎𝚜𝚑 𝚂𝚝𝚘𝚛𝚎, vendosëm të dhurojmë 3 makina të reja deri më 25.01.25. Shkruani muajin tuaj të lindjes, për shembull “Nëntor”. Ky postim është bërë sot (22 janar) nga një faqe me emrin “𝚅𝚒𝚟𝚊 𝙵𝚛𝚎𝚜𝚑 𝚂𝚝𝚘𝚛𝚎.𝚏𝚊𝚗𝚜”. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky postim është i rremë pasi që faqja, e cila e ka publikuar përmbajtjen nuk është zyrtare. (këtu)
Është publikuar një postim me katër fotografi, në të cilat shihen pajisje shtëpiake, dhe me mbishkrimin që pretendon se kompania “Neptun” po i dhuron 480 lavatriçe dhe frigoriferë të pashitur për shkak të gërvishtjeve. Publikimi u bë më 22 janar nga një llogari me emrin “Neptun”. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky postim është i rremë e se faqja që e ka publikuar pretendimin nuk është zyrtare. (këtu)