Përgatiti: Festim Rizanaj
Gjatë javës së kaluar, sipas monitorimit të mediave dhe rrjeteve sociale, kanë dominuar dezinformatat si formë kryesore e çrregullimit informativ.
Gjatë javës së kaluar, dezinformatat janë shpërndarë kryesisht në rrjete sociale si Facebook, TikTok, platformën “X” (ish-Twitter), si dhe në portale online, duke mbuluar tema të ndryshme të ndjeshme politike dhe ndërkombëtare. Më 25 maj, në Facebook u publikua një video ku pretendohej gabimisht se Kina po dërgonte ndihma humanitare në Gaza, ndonëse nuk ka prova për këtë, për shkak të bllokadës izraelite. Më 26 maj, në platformën “X”, u shpërnda një video e një përleshjeje në Itali, e shoqëruar me pretendime të rreme për përfshirjen e shtetasve shqiptarë dhe arabë, ndërsa faktet treguan se të gjithë të përfshirët ishin marokenë. Më 27 maj, një faqe në Facebook publikoi një përmbajtje manipulimi me pretendimin se Prokuroria është tërhequr nga hetimi ndaj ministrit Faton Peci, ndonëse rasti vazhdon të jetë në hetim. Po ashtu, më 27 maj në TikTok, u publikua një video me pretendimin se tanke gjermane po dërgohen në Kosovë për FSK-në, por u vërtetua se pamjet ishin të një tanku turk, pa lidhje me Kosovën. Së fundmi, më 29 maj, portali “Ntv.al” keqinterpretoi një deklaratë të shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, duke pretenduar se ai kishte thënë se afrimi i Kosovës me BE-në pengohet për shkak të sjelljes së Serbisë, gjë që nuk qëndron sipas deklaratës zyrtare të tij.
Krahas dezinformatave, gjatë javës së shkuar, në mediat online dhe rrjete sociale është vërejtur edhe përdorimi i titujve clickbait, të cilët i prezantojnë lajmet në mënyrë të ekzagjeruar apo të pasaktë për të nxitur klikime. Më 25 maj, portali “zyrtare.net” publikoi një artikull me titullin “Tragjedi në kryeqytet/ Vriten 4 persona, arrestohet 41-vjeçari”, i cili u shpërnda edhe në disa faqe në Facebook. Titulli është përgjithësues dhe nuk specifikon se ngjarja ka ndodhur në Londër, duke i lënë lexuesit të mendojnë se bëhet fjalë për ndonjë kryeqytet tjetër, si Prishtina apo Tirana. Vetëm pas hapjes së artikullit bëhet e qartë vendndodhja. Ndërsa më 29 maj, portali “BotaeLajmeve.info” publikoi një artikull me titullin “Janë plotësuar kushtet për lirimin me kusht të Thaçit e të tjerëve”, duke paraqitur si fakt një pohim të bërë nga avokati mbrojtës, pa e sqaruar këtë në titull.
Në javën që lamë pas janë identifikuar edhe raste të lajmeve të rreme, të cilat u shpërndanë kryesisht në rrjete sociale si TikTok dhe Facebook, duke pretenduar ngjarje apo deklarata që nuk mbështeten në asnjë burim zyrtar apo kredibil. Më 25 maj, në TikTok, një llogari me emrin “army_fskkosovo” publikoi një përmbajtje ku pretendohej se Shqipëria do t’i dhurojë Kosovës 40 automjete ushtarake të tipit SHOTA. Pas verifikimit, u konstatua se nuk ekziston asnjë burim i besueshëm që konfirmon këtë pretendim. Po ashtu, në Facebook, një llogari me emrin “Lajme Nga Bota” publikoi një fotografi ku shfaqeshin presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e shoqëruar me një pretendim të rremë se Trump kishte deklaruar që Kosova duhet të ndajë një përqindje të mineraleve të Trepçës me ShBA-në në këmbim të ndihmës së vitit 1999. Pas hulumtimit, rezultoi se nuk ka asnjë deklaratë apo dëshmi që mbështet këtë pretendim, duke e bërë atë një lajm të rremë.
Përmbajtje e paverifikuar është vlerësuar një fotografi e publikuar në rrjete sociale, që pretendohet se paraqet helikopterë luftarakë mbi Kosovë gjatë stërvitjes “Defender Europe 2025”. Pas verifikimit të fakteve u vërtetua se fotografia është realizuar në Gjermani në vitin 2020.
Clickbait
“Tragjedi në kryeqytet/ Vriten 4 persona, arrestohet 41-vjeçari”, mban titullin një artikull i publikuar të dielën (25 maj) nga portali informativ “zyrtare.net”. Ky artikull u gjet i publikuar edhe në disa faqe në Facebook si “Zyrtare+”, “Skupi.tv”, “Shkupichanel.mk” e “Maska.al”. Titulli i këtij artikulli të publikuar në gjuhën shqipe është përgjithësues dhe nuk e specifikon se në cilin kryeqytet ka ndodhur ngjarja. Vetëm pas klikimit në vegëz, ku lexohet përmbajtja e plotë, bëhet e qartë se ngjarja ka ndodhur në Londër, kryeqytetin e Anglisë. (këtu)
“Janë plotësuar kushtet për lirimin me kusht të Thaçit e të tjerëve” është titulli që i është vendosur një artikulli të publikuar. Kjo përmbajtje është publikuar (29 maj) nga një medium në gjuhën shqipe, me emrin “BotaeLajmeve.info”. Pohimi se janë plotësuar kushtet për lirimin me kusht të Thaçit dhe të tjerëve është paraqitur në titull si fakt i konfirmuar, ndonëse në përmbajtjen e artikullit ai buron nga një opinion i avokatit mbrojtës, diçka që nuk bëhet e ditur në mënyrë të qartë në titull. (këtu)
Dezinformatë
Publikohet një video-material ku shihet një aeroplan duke lëshuar pako nga lart. Përmbajtja me pretendimin se bëhet fjalë për ndihma humanitare që Kina po vazhdon të dërgojë në Gaza, u publikua (25 maj) në Facebook nga një faqe me emrin “Atalanta -Shqip”. Për tre muaj me radhë, Izraeli ka ndaluar hyrjen e çdo ndihme humanitare në Gaza, dhe nuk ka prova që Kina e ka thyer këtë bllokadë duke ofruar ndihmë. (këtu)
Publikohet një video-material që shfaq pamje të një momenti të një përleshjeje të disa personave me thika të mëdha (anglisht – machete) në një rrugë të Bolzanos në Itali. Kjo video është publikuar dje (26 maj) në platformën “X” nga llogaria me emrin ”vukfenix”, me pretendimin në gjuhën angleze se personat e përfshirë në incident janë të nacionalitetit arab (i ka bashkangjitur flamurin sirian) dhe shqiptar. Por, cila është e vërteta? Hibrid.info ka gjetur se të gjithë personat e implikuar në përplasjen fizike i përkasin kombësisë marokene. (këtu)
Publikohet një fotografi ku shihet Faton Peci, ministri i Bujqësisë, me mbishkrimin “Tërhiqet Prokuroria, ministri Faton Peci i pastër si loti”. Kjo përmbajtje është publikuar dje (27 maj) në Facebook nga një faqe me emrin “Gazeta Plisi”. Prokuroria Speciale njoftoi se ka përfunduar intervistimin e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, lidhur mbi dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për mbetje shtazore. Mbishkrimi në këtë përmbajtje lë të nënkuptojë se Prokuroria është tërhequr nga hetimet për ministrin Peci dhe se ai është liruar nga dyshimet. Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se rasti është ende në fazën e hetimeve dhe se grumbullimi i informacioneve po vazhdon. (këtu)
Më 27 maj, në rrjetin TikTok, llogaria me emrin “forca.kosovefsk” ka publikuar një video ku shfaqen pamje të një tanku në lëvizje në zona të ndryshme. Në video është vendosur mbishkrimi “Tanks German for Kosove-FSK”, duke pretenduar se ky mjet ushtarak gjerman është duke ardhur në Kosovë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Megjithatë, pas verifikimit të fakteve nga platforma Hibrid.info, është konstatuar se pretendimi është i pavërtetë. Tanku i paraqitur në video është një model turk dhe nuk ka asnjë lidhje me ndonjë dërgesë apo angazhim për FSK-në. (këtu)
Përmes një artikulli pretendohet se shefi i zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se afrimi i Kosovës drejt BE-së nuk mund të ndodh me argumentin se Serbia “është duke vepruar keq me Kosovën”. Ky artikull me këtë pretendim u publikua dje (29 maj) nga portali informativ në gjuhën shqipe “Ntv.al”. Pas verifikimit nga hibrid.info, u vërtetua se Orav nuk ka thënë një deklaratë të tillë. Por, sipas deklaratës së tij të plotë dhe pamjeve nga konferenca, Orav kritikoi përdorimin e krahasimeve nga Kosova me vendet fqinje në procesin e afrimit me BE-në, dhe jo viktimizimin e Kosovës në raport me Serbinë. (këtu)
Lajm i rremë
Përmes një postimi në TikTok pretendohet se Shqipëria do t’i dhurojë Kosovës 40 automjete ushtarake SHOTA. Ky pretendim u publikua të shtunën (25 maj) në TikTok nga llogaria “army_fskkosovo”. Pas hulumtimit të kryer online, nuk është gjetur asnjë informacion i publikuar në burime kredibile që pretendon se është konfirmuar një gjë e tillë. (këtu)
Publikohet një fotografi, ku shfaqen së bashku Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës, dhe Donald Trump, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA-së). Ky imazh me pretendimin se presidenti amerikan ka deklaruar se Kosova do të duhet t’i japë një përqindje të lartë ShBA-së nga mineralet e Trepçës, në këmbim për ndihmën që iu dha Kosovës në vitin 1999 nga ShBA-ja dhe aleatët e saj është publikuar dje nga një llogari në Facebook me emrin “Lajme Nga Bota”. Hibrid.info ka gjetur se nuk ka asnjë provë të dokumentuar se Donald Trump ka bërë një deklaratë të tillë. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Në rrjetet sociale po qarkullon një fotografi që paraqet disa helikopterë duke fluturuar mbi një zonë rurale të papërcaktuar. Pretendimet që shoqërojnë imazhin thonë se bëhet fjalë për helikopterë luftarakë që po fluturojnë mbi territorin e Kosovës, në kuadër të stërvitjes shumëkombëshe “Defender Europe 2025”, me pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ushtrisë amerikane. Pas verifikimit të imazhit përmes burimeve të hapura, është konfirmuar se fotografia nuk është shkrepur në Kosovë – ajo është realizuar në Gjermani në vitin 2020. (këtu)