Përmbajtjet clickbait kanë dominuar ekosistemin keqinformues gjatë javës që shkoi.
Artikujt që janë vlerësuar si clickbait ishin lidhur me ngjarje të ndryshme kryesisht të publikuara në portale të dyshimta (ulja e çmimeve të produkteve ushqimore, vrasja e një gazetari etj.) që nuk kishin ndodhur në hapësirën shqipfolëse dhe nuk ishte bërë e ditur në titull vendndodhja e ngjarjes. Clickbait u vlerësuan edhe lajmi i vjetër për kërkim të punëtorëve nga ana e Zvicrës, si dhe një artikull me titull përgjithësues se Gjermania thotë se presidentit serb Aleksandër Vuçiq nuk mund t’i besohet, edhe pse bëhet fjalë për media gjermane dhe jo qëndrim zyrtar të Gjermanisë.
Dezinformata rreth snajperistit gjerman me pretendimin se është i njësisë speciale të Kosovës ka vazhduar të publikohet nga portale informative, si dhe në Facebook është publikuar një deklaratë e pa thënë e Naim Abazit lidhur me ezanin.
Dezinformatë dhe përmbajtje e paverifikuar është vlerësuar një artikull ku pretendohet rrejshëm nga mediat serbe se futbollisti Andi Zeqiri ka deklaruar se flet pak serbisht edhe pse ka deklaruar që babai i tij flet serbisht, e cila pa u verifikuar është publikuar edhe në mediat shqipe.
Disa portale në gjuhën shqipe në faqet e tyre në Facebook kanë vazhduar të publikojnë fotografi të paverifikuara të njësisë speciale të Policisë së Kosovës duke u ndërlidh me ngjarje të fundit në Banjskë, si dhe një fotografit të të Ismail Morinës “Ballisti”, tifoz i Kombëtares shqiptare të futbollit, i cili shihet së bashku me një pjesëtar të Policisë së Kosovës (PK). Po ashtu është publikuar edhe një fotografi në llogari në Facebook me anë të së cilës është pretenduar se pamjet tregojnë përmbytjet e shtatorit në Libi.
Lajme të rremë janë publikuar nga llogari në Facebook se presidenti i Turqisë, Erdogan ka bërë të ditur se do t’i jap Kosovës Aeroplana MMU TFX, si dhe se Turqia i ka dërguar edhe 6 dronë Bayraktar. Po ashtu në një portal informativ është publikuar një deklarata e rreme e Rifat Jasharit me pretendim të paraqitet si reagim ndaj deklaratave të Edi Ramës.
Faqja në Facebook me emrin “Kredi personale” ka publikuar një postim mashtrues ku pretendohet se ofrohet mundësi për kredi deri në 18 mijë euro.
Dezinformatë
Portalet informative “Kosovapost.net” dhe “Gazeta Mejdani” kanë vazhduar ta publikojnë në rrjetet sociale fotografinë e snajperistit të ushtrisë gjermane me pretendimin se është i njësisë speciale të Kosovës, i cili ka marrë pjesë gjatë aksionit të armatosur ndaj sulmuesve serbë më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit. (këtu)
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se faqja në Facebook me emrin “Albagraph7” ka shpërndarë një pretendim të rremë ku thuhet se këngëtari Naim Abazi është deklaruar kundër ezanit. Një deklaratë e tillë nuk është gjetur e publikuar në asnjë nga mediat kredibile. (këtu)
Dezinformatë / Përmbajtje e paverifikuar
Mediumi serb “telegraf.rs” ka publikuar një artikull ku pretendohet se futbollisti Andi Zeqiri ka deklaruar se flet pak serbisht. Të njëjtin artikull referuar mediumit serb e kanë publikuar edhe disa nga mediat në gjuhën shqipe. Por që “hibrid.info” ka vërtetuar se Zeqiri është deklaruar se është babai i tij, ai që e flet serbishten. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Disa portale informative në gjuhën shqipe kanë publikuar në faqet e tyre zyrtare në Facebook një fotografi në të cilën shihen pjesëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Kësaj fotografie, këto portale i kanë vënë mbishkrimin “E diela e djemve tanë”, duke nënkuptuar imazhi paraqet ushtarët e FSK-së gjatë ditës së 24 shtatorit. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo fotografi është e vjetër dhe se e njëjta është gjetur e publikuar në tetor të vitit 2019. (këtu)
Disa portale informative në gjuhën shqipe në faqet e tyre zyrtare në Facebook kanë publikuar me datë 30 shtator dhe 1 tetor një fotografi të Ismail Morinës “Ballisti”, tifoz i Kombëtares shqiptare të futbollit, i cili shihet së bashku me një pjesëtar të Policisë së Kosovës (PK). Këtij imazhi faqet në Facebook “Jepi Zë”, “Monitor.mk” dhe “Politiko”, i kanë vënë mbishkrimet “Fotolajm: Ballist Morina bën xhiro nëpër veri, fotografohet me një polic”, “Foto/ Ballist Morina shihet në veri të Kosovës!” dhe “Ballist Morina ia jep një xhiro në veri të Kosovës”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se fotografia nuk është shkrepur në muajin shtator të këtij viti, por në korrik. (këtu)
Një llogari në Facebook ka publikuar me datë 12 shtator një fotografi, me anë të së cilës është pretenduar se pamjet tregojnë përmbytjet e shtatorit në Libi. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se fotografia nuk është realizuar në Libi, por paraqet përmbytjet në Gjenova të Italisë, në vitin 2014. (këtu)
Clickbait
Portali informativ “Kosova Sot” ka publikuar një artikull në lidhje me nismë të Qeverisë së Italisë për uljen e çmimit të produkteve në markete dhe farmaci, por që në titull nuk sqarohet se cili shtet ka marr këtë vendim. Mediumi online “kosova-sot.info”, i cili është portal, që vepron në Kosovë duke u bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook, numrin më të madh të lexuesve i ka nga Kosova. Prandaj, mos qartësimi në titull se për ish-presidentin e cilit shtet bëhet fjalë, shumë lehtë mund të rezultojë me dezinformim të lexuesve, duke i bërë të mendojnë se lajmi ka të bëjë me ndonjë nismë të marrë nga Qeveria e Kosovës. (këtu)
Portali informativ “sot.com.al” ka publikuar një artikull në lidhje me vrasjen e një gazetari në Filadelfia, por që në titull nuk sqarohet se për kë bëhet fjalë. Duke u bazuar në seksionin “Kontakt” në ueb-faqen e këtij portali informativ, ku adresa e tij shfaqet të jetë në Tiranë, kjo bën që titulli përgjithësues të lë vend për keqinformim te lexuesit se bëhet fjalë për gazetar nga ndonjë vend shqipfolës. (këtu)
Portali informativ “Reporteri.net” ka publikuar një artikull me titull përgjithësues “Gjermania thotë se Vuçiqit nuk mund t’i besohet”, duke lënë të nënkuptohet se bëhet fjalë për qëndrim zyrtar të shtetit gjerman, ndërsa lajmi qartësohet në përmbajtje duke sqaruar së bëhet fjalë për mediat gjermane. Titulli përgjithësues i artikullit lë vend për keqinformim te lexuesit duke lënë hapësirë të nënkuptohet se bëhet fjalë për qëndrim zyrtar të shtetit të Gjermanisë. (këtu)
Faqja në Facebook “Atdheu Lajm” ka publikuar një artikull me titull “Zvicra kërkon punëtor, 250.000 vende të lira pune”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se lajmi është i vjetër, i publikuar në prill të vitit 2022. Pra, kjo faqe është munduar që këtë artikull janë munduar ta paraqes si aktual. (këtu)
Portali informativ “gazeta-shqip.com” ka publikuar një artikull në lidhje me një ngjarje të ndodhur në Xhamajka, por që në titull nuk sqarohet se për cilin shtet bëhet fjalë. Fakti që portali informativ është i regjistruar në Shqipëri dhe përmbajtja e ofruar nga ky portal është në gjuhën shqipe, titulli lë hapësirë për interpretim se ngjarja ka ndodhur në hapësirat shqip-folëse. (këtu)
Portali informativ “gazeta-shqip” ka publikuar një artikull në lidhje me një tentim dhunimi në Greqi, në titullin e të cilës nuk është sqaruar vendndodhja e ngjarjes. Portali informativ “Gazeta Shqip” është i regjistruar në Shqipëri dhe përmbajtja e ofruar nga ky portal është në gjuhën shqipe, prandaj edhe titulli i lartcekur lë hapësirë për interpretim se ngjarja ka ndodhur në hapësirat shqip-folëse. (këtu)
Mediumi në gjuhën shqipe “sot.com.al” ka publikuar një artikull në lidhje me një tërmet në Meksikë, pa treguar në titull se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Mos qartësimi i vendndodhjes së ngjarjes në titull nga medium në fjalë i shkruar në gjuhën shqipe dhe i regjistruar në Shqipëri, mund të qojë deri te dezinformimi i lexuesve, duke lënë hapësirë të nënkuptohet se ngjarja ka ndodhur në një nga hapësirat shqip-folëse. (këtu)
Lajm i rremë
Faqja në Facebook me emrin “The Reis” me datë 4 tetor ka publikuar një përmbajtje me pretendimin se “Erdogan sapo ka shpall bisedat në Parlamentin e Turqis për me i dhuru Kosovës këta Aeroplana MMU TFX”. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve bazuar në hulumtimin e kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur se një pretendim i tillë nuk ekziston. (këtu)
Portali informativ “Le Canton27.ch” në Facebook ka publikuar imazhin e përfaqësuesit të familjes Jashari, Rifat Jasharit me mbishkrimin që pretendon se ky i fundit ka bërë një deklarim si reagim ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Por që pas hulumtimit nga “hibrid.info” nuk eshtë gjetur asnjë fakt apo dëshmi nga burime të besueshme që konfirmojnë deklaratën e pretenduar. (këtu)
Faqja në Facebook “The Reis” ka publikuar një postim duke pretenduar se “Turqia dërgon edhe 6 UCAV Bayraktar TB2 në Kosovë”. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve bazuar në hulumtimin e kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info nuk ka gjetur një njoftim të tillë të publikuar në asnjë medium kredibil. Përveç kësaj, as institucioni relevant si Ministria e Mbrojtjes në Kosovë, nuk ka bërë ndonjë njoftim për ardhjen e këtyre dronëve nga Turqia, siç pretendohet nga faqja e lartcekur. (këtu)
Mashtrim
Faqja në Facebook me emrin “Kredi personale” ka publikuar më datë 5 tetor një postim ku pretendohet se ofrohet mundësi për kredi deri në 18 mijë euro. Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se postimi paraqet njoftim të rremë nga kjo faqe. Hibrid.info ka gjetur se postimi është marrë nga njoftimi i “Intesa Sanpaolo Bank Albania”, bankë në Shqipëri, të cilin faqja e lartcekur është munduar ta paraqesë si kampanjë të saj. (këtu)