Përgatiti: Festim Rizanaj
Artikujt që janë cilësuar si “lajm i rremë” janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.
Lajmet e rreme janë publikuar në media sociale, konkretisht në platformat TikTok dhe Facebook. Në Tiktok janë publikuar pretendimet se pamjet shfaqin pajisje ushtarake që janë nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në drejtim të Kosovës; se presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, i ka shpërndarë në median sociale X (ish-Twitter) postimin e gazetarit Berat Buzhala; se Bill Clinton ka bërë vlerësime për Hashim Thaçin dhe Albin Kurtin; se kryeministri Albin Kurti ka thënë që Kosova po planifikon të hapë fabrikën e armatimit e se marrëveshja me Turqinë është shumë afër. Në Faecbook u publikuan pretendime të rreme se është konfirmuar që ushtria e Kosovës do të pajiset me automjetin e parë shqiptar të blinduar “Shota”, i prodhuar nga kompania shqiptare Timak; se Kurti vazhdon ta armatosë ushtrinë me sistemin kundërajror, të blerë nga Turqia.
Përmbajtjet mashtruese u publikuan në media sociale. Në Facebook, përmes një imazhi paraqitet një librezë me fotografinë dhe emrin e zëvendëspresidentes amerikane Kamala Harris, duke pretenduar se ajo ishte anëtare e partisë komuniste të ish-Bashkimit Sovjetik (BRSS). Në Facebook, u publikua imazh i gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku shihen ushtarë pranë njëri tjetrit teksa mbajnë në duar flamurin e Shqipërisë dhe atë të Izraelit. Në rrjete sociale është pretenduar se gjatë vizitës zyrtare të presidentit francez Emmanuel Macron në Serbi, ka pasur një puthje intime midis tij dhe presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq.
Mashtrim/Lajm i rremë u vlerësua publikimi përmes një imazhi që pretendon se Turqia do t’i dhurojë Kosovës helikopter.
Përmbajtjet e paverifikuara janë publikuar në media sociale dhe media. Në X u publikuan disa fotografi në të cilat paraqiten disa kryqe (simbol i të krishterëve) në flakë e që u pretendua se kjo vepër është kryer nga shqiptarët myslimanë, duke shtuar se kjo është bërë si shenjë urrejtje ndaj katolikëve. Nëpërmjet një video-materiali të publikuar në Facebook është pretenduar për vazhdimësi të gjuajtjeve në mes të dy grupeve që janë përfolur ditëve të fundit, pas përleshjes së armatosur që ndodhi në fundjavë në lagjen “Aktash” në Prishtinë. Në media u publikua pretendimi se “Policia tashmë e ka arrestuar personin e dyshuar”, lidhur me ngjarjen e gjuajtjes me armë zjarri në lagjen “Aktash” të Prishtinës.
Artikujt clickbait janë publikuar në media lidhur me tërmete dhe vrasje të nxënësve, për të cilat nuk bëhet e ditur në titull vendndodhja e ngjarjes, duke lënë hapësirë të nënkuptohet se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në hapësira shqipfolëse.
Lajm i rremë
Nëpërmjet një video-publikimi në median sociale TikTok është pretenduar se pamjet shfaqin pajisje ushtarake që janë nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në drejtim të Kosovës. “GATI PER KOSOVEN PO VINE FALIMINDERIT USA” është mbishkrimi që llogaria “fskkosova2024” i ka vënë publikimit të bërë më 1 shtator. Pas verifikimit nga hibrid.info del se pamjet janë bërë nga përgatitjet për paradë ushtarake, e organizuar në Sllovaki në shënimin e 80-vjetorit të kryengritjes ushtarake sllovake gjatë Luftës së Dytë Botërore. (këtu)
Përmes një postimi në Facebook pretendohet se është konfirmuar që ushtria e Kosovës do të pajiset me automjetin e parë shqiptar të blinduar “Shota”, i prodhuar nga kompania shqiptare Timak. Pretendimi u bë nga faqja “Kosova Armed Forces” në Facebook me datë 30 gusht. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë informacion i publikuar në burime kredibile që pretendon se është konfirmuar një gjë e tillë. (këtu)
Nëpërmjet një publikimi në median sociale TikTok është pretenduar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka shpërndarë në median sociale X (ish-Twitter) postimin e gazetarit Berat Buzhala. “Shikone se si Aleksander Vuçiq i bën Share postimet e Berat Buzhales ku ky akuzonte Kryeministrin Albin Kurti” është mbishkrimi i paraqitur në publikimin e bërë nga llogaria “albin.kurti53”. Imazhi i paraqitur është montim. Madje ky pretendim ishte trajtuar nga hibrid.info edhe në qershor të vitit 2023 dhe ishte cilësuar si “Lajm i rremë”. (këtu)
Publikohen përmbajtje në të cilat shfaqen vlerësime të Bill Clinton, ish-presidenti i ShBA-së, për Hashim Thaçin, ish-presidentin e Kosovës dhe për Albin Kurtin, kryeministrin e Kosovës. Këto materiale janë publikuar në TikTok nga llogaria me emrin “universalks”, në formë imazhesh ku shihet portreti i ish-presidentit Clinton, me mbishkrimet, që paraqesin komentet e tij për Thaçin e Kurtin. Hibrid.info ka arritur të gjejë të publikuara nga burime kredibile, vlerësimet e pretenduara të Clinton, për politikanët nga Kosova. (këtu)
Përmes një postimi pretendohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdon ta armatosë ushtrinë me sistemin kundërajror, të blerë nga Turqia. Ky pretendim u bë nga një faqe në Facebook që mban emrin “Diaspora me Albinin”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se një pretendim i tillë nuk është publikuar në asnjë burim kredibil. Gjithashtu, faqja e lartcekur nuk ofron asnjë fakt që do ta mbështeste këtë pretendim. (këtu)
Nëpërmjet një postimi në TikTok është pretenduar se kryeministri Albin Kurti ka thënë që Kosova po planifikon të hapë fabrikën e armatimit e se marrëveshja me Turqinë është shumë afër. Pretendimi është publikuar nga llogaria “gladiatorkosova1” në TikTok më 6 shtator. “Albin Kurti: Jemi duke planifikuar qe ta hapim fabriken e armatimit në Kosovë, mrrëveshja me shtetin Turk shum afër!” është mbishkrimi që kjo llogari i ka vënë një fotografie të kryeministrit Kurti me presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Haluk Gorgun, gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë më 3 shtator. Pretendimi për fabrikën e armatimit del të jetë i rremë. Kurti nuk e ka thënë një fjali të tillë. Kjo vërtetohet duke marrë për bazë të gjitha njoftimet publike lidhur me takimin e Kurtit me Gorgunin. (këtu)
Mashtrim
Përmes një imazhi paraqitet një librezë me fotografinë dhe emrin e zëvendëspresidentes amerikane Kamala Harris, duke pretenduar se ajo ishte anëtare e partisë komuniste të ish-Bashkimit Sovjetik (BRSS). Ky pretendim u publikua në gjuhën shqipe nga faqja “Patriotët E Botës Re” në Facebook. Pas hulumtimit në lidhje me këtë fotografi, hibrid.info ka vërtetuar se kjo librezë nuk i përket Kamala Harris, dhe se e njëjta është krijuar përmes një faqeje interneti që lejon këdo të krijojë karta identifikimi të epokës sovjetike. (këtu)
Publikohet një përmbajtje me fotografi, ku shihen ushtarë pranë njëri tjetrit teksa mbajnë në duar flamurin e Shqipërisë dhe atë të Izraelit. Ky material është publikuar (30 gusht) nga llogaria me emrin “don.gustavo2” në TikTok. Pas verifikimit nga hibrid.info, del të jetë se fotografitë e publikuara nga kjo llogari në TikTok janë të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale. (këtu)
Është pretenduar në rrjete sociale se gjatë vizitës zyrtare të presidentit francez Emmanuel Macron në Serbi, ka pasur një puthje intime midis tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky video-material u publikua edhe nga faqja me emrin “Arianit Sllamniku” në Facebook (31 gusht), ku pretendohet se është kapur puthja intime midis këtyre dy zyrtarëve. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se videoja është e manipuluar. (këtu)
Mashtrim/Lajm i rremë
Përmes një imazhi pretendohet se Turqia do t’i dhurojë Kosovës helikopter. Ky imazh u publikua (5 shtator) në TikTok nga llogaria “cr7shqip”. Në këtë imazh shihen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan. Në sfond të këtyre dy figurave politike shfaqet edhe një helikopter. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se imazhi është i montuar dhe se nuk ka asnjë informacion të publikuar në burime kredibile, që dëshmon se Turqia do t’i dhurojë helikopter Kosovës. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Në median sociale X (ish-Twitter) janë publikuar disa fotografi në të cilat paraqiten disa kryqe (simbol i të krishterëve) në flakë. Përmes këtyre fotografive, llogaria në gjuhën angleze “Global Dissident” ka pretenduar se kjo vepër është kryer nga shqiptarët myslimanë, duke shtuar se kjo është bërë si shenjë urrejtje ndaj katolikëve. Pas hulumtimit të kryer, hibrid.info ka vërtetuar se këto pamje janë të shkrepura nga një shfaqje teatrore në kuadër të festivalit “Ulpiana Fest”, i cili u mbajt për dy ditë (31 gusht – 1 shtator) në Parkun Arkeologjik të Ulpianës, pranë Prishtinës. (këtu)
Më 3 shtator është publikuar një artikull që jepte lajmin për gjuajtje me armë zjarri në lagjen “Aktash” të Prishtinës. Lajmi është publikuar nga mediumi “sinjali.com”, në të cilin pretendohet se “Policia tashmë e ka arrestuar personin e dyshuar”. Hibrid.info ka gjetur se i dyshuari, i cili ka sulmuar një person, ndodhet ende në arrati. (këtu)
Nëpërmjet një video-materiali të publikuar në Facebook është pretenduar për vazhdimësi të gjuajtjeve në mes të dy grupeve që janë përfolur ditëve të fundit, pas përleshjes së armatosur që ndodhi në fundjavë në lagjen “Aktash” në Prishtinë. “EKSKLUZIVE – Sot rreth ores 20:00 raportohet që prap janë gjuajtur Capat me Sekiraqt – Njesia speciale ne vendngjarje”, mban titullin video e publikuar të enjten nga “RTI” në Facebook. Në videon e publikuar shihen njësitet policore në rrugë duke zhvilluar operacionet zyrtare. E në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, të publikuar të premten (6 shtator), nuk janë dhënë informacione se në ndonjë rast ka pasur të shtëna armësh. Publikimi megjithatë është fshirë të premten (vegëza e arkivuar). Deri në momentin kur hibrid.info nisi trajtimin e përmbajtjes, videoja ka pasur rreth 46 mijë klikime. (këtu)
Clickbait
“Nuk po gjen qetësi vendi! Çfarë po ndodh, tre tërmete të njëpasnjëshëm godasin brenda pak minutave”, mban titullin një artikull. Ky artikull u publikua (3 shtator) në Facebook nga faqja me përmbajtje në gjuhën shqipe “Preferenca”. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se lajmi është i vjetër dhe në titull nuk sqarohet se bëhet fjalë për tërmet të ndodhur në Greqi. (këtu)
Është publikuar një lajm për vdekjen e 17 nxënësve, pas një zjarri në një shkollë. Artikullin e kanë publikuar (6 shtator) disa portale në gjuhën shqipe. Hibrid.info ka gjetur se vendndodhja e ngjarjes nuk përmendet në titullin e artikujve të këtyre mediave. Informacioni për vendin e ngjarjes tregohet vetëm në hyrje të tekstit të lajmit. Duke qenë se mediat në fjalë publikojnë përmbajtje në gjuhën shqipe, mungesa e specifikimit në titull se ku ka ndodhur ngjarja krijon mundësinë që audienca të interpretojë se ajo ka ndodhur në hapësirat shqipfolëse. (këtu)