[email protected]
Përgatitjet për parakalimin ushtarak në Sllovaki paraqiten rrejshëm si pajisje që po vijnë nga Amerika në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një video-publikimi në median sociale TikTok është pretenduar se pamjet shfaqin pajisje ushtarake që janë nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në drejtim të Kosovës.

“GATI PER KOSOVEN PO VINE FALIMINDERIT USA” është mbishkrimi që llogaria “fskkosova2024” i ka vënë publikimit të bërë më 1 shtator.

Çka nuk shkon me këtë publikim?

Pas verifikimit nga hibrid.info del se pamjet janë bërë nga përgatitjet për paradë ushtarake, e organizuar në Sllovaki në shënimin e 80-vjetorit të kryengritjes ushtarake sllovake gjatë Luftës së Dytë Botërore.


Vegëza e publikimit të “fskkosova2024” në TikTok:

https://archive.is/ISEvZ


Si u gjet se s’bëhet fjalë për pajisje drejt Kosovës?

Video në TikTok në fund të saj shfaq një pajisje që ka flamurin e Sllovakisë. Mbi këtë dyshim, nëpërmjet disa sekuencave të videos në fjalë, hibrid.info në makinat online të kërkimit ka arritur të gjejë materiale (shih këtu dhe këtu) që dëshmojnë se bëhet fjalë për përgatitjet për parakalim ushtarak në Sllovaki.

Për më shumë, hibrid.info ka vërtetuar se më 29 gusht në Banska Bystrica është organizuar ceremoni për shënimin e 80-vjetorit të kryengritjes ushtarake (shih këtu dhe këtu). Edhe kryeministri sllovak, Robert Fico, më 29 gusht ka publikuar fjalimin e tij të mbajtur në këtë ceremoni (shih këtu). “Në Banska Bystrica nderuam dhe kujtuam heronjtë e SNP-së (kryengritjes kombëtare sllovake). Ruajmë përherë në mendjen tonë mesazhin e fitores…”, ka shkruar ai në Facebook.

Hibrid.info po ashtu nuk ka arritur të gjejë asnjë lajm në burime kredibile të informacionit se në Kosovë janë duke ardhur pajisje ushtarake nga Amerika. (Kërkimi me fjalët: “Pajisje nga Amerika drejt Kosoves”)

Kryengritja kombëtare sllovake e njohur edhe si SNP kishte ndodhur në vitin 1944. Atëkohë ushtria ishte kryengritur kundër Gjermanisë dhe regjimit kolaboracionist. Kryengritja kishte nisur më 29 gusht 1944 dhe konsiderohet një prej kryengritjeve më të mëdha kundër nazizmit dhe aleatëve të vet në Evropë (Detajet Wikipedia).


Analiza:

Llogaria me emrin “fskkosova2024” në TikTok ka publikuar një video me 1 shtator nëpërmjet të cilës ka pretenduar se pajisje ushtarake po vijnë në Kosovë nga Amerika.

Pas verifikimit nga hibrid.info del se pamjet janë marrë nga përgatitjet e Ushtrisë së Sllovakisë për parakalim me rastin e shënimit të 80-vjetorit të kryengritjes ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »