Janë publikuar imazhe ku tregohen rezultate të mbështetjes së partive politike në Kosovë, nga matje të opinionit publik, para zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.
Përmbajtja që pretendon se paraqet një sondazh të publikuar nga një qendër për hulumtime, është publikuar të premten (5 qershor) në uebfaqen dhe në faqen në Facebook të mediumit “Kosovapost.com” (shih këtu dhe këtu), ndërsa të shtunën (6 qershor) në uebfaqen dhe në faqen në Facebook të një portali me emrin “Realiteti” (shih këtu dhe këtu) dhe në faqen në Facebook me emrin “Lajmet Aktuale” (shih këtu).
Çka nuk shkon me këto përmbajtje?
Kjo përmbajtje ka paraqitur sondazh jo kredibil.
Për të vlerësuar kredibilitetin e këtij sondazhi të pretenduar, hibrid.info ka verifikuar nëse i përmbush standardet dhe kriteret e kërkuara për një matje të tillë të opinionit publik.
Çka janë sondazhet?
Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.
Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.
Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?
Kush u intervistua?
Si u zhvillua sondazhi?
Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?
Kur u krye sondazhi?
Sa persona u intervistuan?
A u peshua sondazhi? Nëse po, si?
A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta?
Në këtë imazh, të lëshuar në emër të “Qendrës për Hulumtime ALTERNATIVA”, përmbajtjes i mungojnë të gjitha të dhënat teknike thelbësore si mostra (sa persona u intervistuan), mënyra e përzgjedhjes së njerëzve, periudha kohore se kur u krye sondazhi, si dhe metoda e intervistimit. Përveç këtij verifikimi, u pa e nevojshme të verifikohet nëse kompania është e regjistruar zyrtarisht dhe nëse infografika është publikuar në kanalet e tyre zyrtare.
Hibrid.info hulumtoi mbi këtë organizatë për të verifikuar besueshmërinë e tij institucionale. Përveç artikuj të mediave, të cilat në disa raste kanë raportuar duke marrë përbazë publikimet e kësaj organizate (shih këtu), “Qendra për Hulumtime ALTERNATIVA” nuk figuron në asnjë regjistër zyrtar të Organizatave joqeveritare (OJQ-ve) apo tatim paguesve në vend (shih këtu dhe këtu).
Organizata në fjalë është hasur e regjistruar vetëm në Agjencinë e Regjistrimit të Biznseve në Kosovë (ARBK), por të dhënat e shfaqura pas kërkimit për të, e nxjerrin atë si biznes pasiv.

Hibrid.info gjithashtu vërejti ngjashmëri të imazhit të përdorur për paraqitjen e këtij pretendimi, me imazhin nga një përmbajtje tjetër të trajtuar (shih këtu). Hulumtimi tregon se të dyja imazhet e sondazheve të pretenduara janë vizualisht identike, duke përdorur të njëjtin diagram rrethor, të njëjtat fotografi të liderëve dhe të njëjtat përqindje për partitë opozitare madje duke lënë të paprekur termin frëngjisht “AUTRES” (Të tjerët) në fund të të dyja grafikave.
Dallimi kryesor qëndron te shifra e subjektit të partisë në pushtet, e cila në versionin e parë figuron me 61.7% (shifër që plotëson saktë 100%-shin e diagramit), ndërsa në versionin e dytë është ndryshuar në 57.6% [kosovapost.net]. Në këtë ndryshim shifrash vërehet mos zvogëlim i pjesës së kuqe të rrethit grafik .
Për më tepër, në trajtimin e parë, ky imazh kishte rezultuar me mundësi të lartë gjenerimi nga inteligjenca artificiale.
Analiza:
Publikimi që pretendon se “Qendrës për Hulumtime ALTERNATIVA” ka publikuar sondazh për rezultatet e partive politike para zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë, është i rremë.
Nuk ekziston ndonjë organizatë apo qendër kërkimore kredibile me këtë emër e regjistruar zyrtarisht si biznes apo OJQ në vend, dhe e njëjta nuk posedon as adresë fizike apo faqe interneti të identifikueshme.
Gjithashtu, publikimit i mungojnë të gjitha të dhënat teknike thelbësore metodologjike (mostra, periudha kohore dhe metoda e intervistimit).
Hulumtimi tutje tregon se imazhi përmban elemente të ricikluara vizualisht nga një përmbajtje e mëparshme e trajtuar, ku janë ndryshuar vetëm shifrat e njërës parti pa u përshtatur grafikisht.
Bazuar në metodologjinë e vlerësimit, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen në fjalë si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.