info@hibrid.info
Sondazh i rremë për mbështetjen e kandidatëve për kryetar të Mitrovicës
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një përmbajtje me mbishkrimin se paraqet një sondazh për mbështetjen qytetare për kandidatët për kryetar komune në Mitrovicën e Jugut.

Ky postim është publikuar të hënën (29 shtator) nga një llogari në Facebook me emrin “Qoka-al”.

Pse trajtohet sondazhi i pretenduar?

Hibrid.info ka vërejtur se nuk është e qartë se cili institucion i specializuar për anketime e ka realizuar sondazhin, ndërsa këtij të fundit i mungojnë të dhënat mbi metodologjinë dhe periudhën e zhvillimit të matjeve.

Deri në momentin e trajtimit publikimi ka marrë afër 200 pëlqime afër 100 komente, ndërsa llogaria që e ka publikuar ka më shumë 30 mijë ndjekës (shih këtu).


Sipas asaj që shkruhet në postim, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Faton Peci ka marrë 62% të mbështetjes nga anketimi, Arian Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka 28 %, ndërsa kandidatët e tjerë kanë 10%.

Në mbishkrimin e publikimit vërehen gabime drejtshkrimore, siç është përdorimi i fjalës “sontazh” në vend të “sondazh”.


Përveç Faton Pecit (LVV) dhe Arian Tahirit (PDK) në zgjedhjet lokale për kryetar në Komunën e Mitrovicës së Jugut garojnë Qazim Nimani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Gëzim Plakolli nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Rreth sondazheve

Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.

Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.

Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?

Kush u intervistua?

Si u zhvillua sondazhi? 

Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?

Kur u krye sondazhi? 

Sa persona u intervistuan? 

A u peshua sondazhi? Nëse po, si?

A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta? 

Analiza:

Publikimi që pretendon se paraqet një sondazh në zgjedhjet për kryetar komune në Mitrovicën e Jugut nuk është i besueshëm.

Kjo përmbajtje është publikuar nga një llogari në Facebook dhe jo nga një media e besueshme, nuk e përmend kush e ka kryer sondazhin, i mungojnë informacionet mbi metodologjinë dhe periudhën e matjes, si dhe publikimi përmban gabime drejtshkrimore.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others