Shkroi: Fatbardh Dema
Nëpërmjet një publikimi në Facebook, është pretenduar se kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është duke kërkuar votë për t’u bërë president.
“Ramush Haradinaj lyp voten per PRESIDENT”, është përshkrimi i videos së publikuar nga llogari “Ndryshimi Vazhdon” (arkivë) më 28 janar.

Çka përmban videoja dhe cila është e vërteta?
Në video, Haradinaj dëgjohet tek kërkon votë nga qytetarët e Kosovës. Por e vërteta është se videoja është e vjetër dhe se këtë kërkim vote Haradinaj e kishte bërë si i propozuar i AAK-së për kryeministër në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025, e jo për post të presidentit.
“Unë u them qytetarëve të Kosovës – votomëni. Unë nuk jam perfekt, as s’jam i përkryer, por jam njeri që punët e Kosovës i kryej. Jam njeri që ato punë që i ka Kosova me rëndësi, mi besojnë edhe aleatët tanë të sigurisë. Pra mi besojnë punët e Kosovës, përfshirë përmbylljen e rendit dhe ligjit, por jo vetëm rendit në veri, por edhe integrimin e veriut në Kosovë”, dëgjohet tek thotë Haradinaj në videon e shkëputur.
Hibrid.info ka verifikuar videon dhe ka gjetur se ajo është pjesë nga emisioni “Paradoks”, i publikuar në kanalin e “Paparaci” në YouTube më 4 tetor 2024. Në këtë intervistë, Haradinaj fliste si kandidat i AAK-së për kryeministër për zgjedhjet e 9 shkurtit (shih këtu)
Se Haradinaj po fliste për kandidaturën si kryeministër, e vërteton vazhdimi i videos që si e shkëputur u publikua tash në Facebook.
“Edhe nëse e udhëheqi Qeverinë e Kosovës, pra do të jetë hera e tretë, dy herë e kam udhëhequr shkurt”, është fjalia që e thotë menjëherë pas fjalëve të thëna në videon e shkëputur në Facebook.
Më pas ai jep premtime që janë çështje që varen nga posti i kryeministrit dhe jo nga ai i presidentit, përfshirë rritjen e pagave dhe të pensioneve. Haradinaj ka pranuar në këtë intervistë se është folur shumë se mund ta marrë edhe postin e presidentit, por ka përsëritur se “nuk ka rëndësi cilën punë e kryej”.
Haradinaj në këtë intervistë është pyetur edhe nëse mund ta hyjë në një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosjen (LVV) dhe Albin Kurtin me kushtin që Haradinaj të bëhet president.
“Mundem pa një punë. Deputet… pa kurrnjë. Mbajeni në mend këtë. U bë një Qeveri Hoti, s’kam marrë asnjë punë. Edhe tash jam deputet. Nëse mundemi të bashkëpunojmë me VV-në në interesat të Kosovës pse jo? Janë shqiptarë edhe ata, vëllezër e motra tona. Por jo Aleanca të bëhet sebep që me vazhdu Kurti si kryetar qeverie. Këta nuk e bëjmë. Pra Aleanca nuk e ndihmon një mandat të radhës të Kurtit. Nuk merr pjesë në çfarëdo pazari me vazhdu Kurti edhe një ditë kryeministër”, ka thënë Haradinaj teksa ka refuzuar se me Kurtin dhe LVV-në do të bashkëpunonte edhe për t’u bërë kryeministër.
Në bazë të komenteve që ka marrë videoja e publikuar në Facebook, kuptohet se disa komentues e kanë perceptuar si të mirëqenë pretendimin që Haradinaj po kërkon votë që të zgjidhet president.
Kjo ndërlidhet me periudhën në të cilën po hyn skena politike, atë të përfundimit të mandatit të presidentes Vjosa Osmani dhe zgjedhjes së presidentit në Kuvend.
Aktualisht pozitën e presidentes e mban Vjosa Osmani, e cila nisi detyrën më 4 prill 2021, kur edhe u zgjodh nga Kuvendi i Kosovës. Mandati i presidentit është pesë vjet, që do të do të thotë se Osmani është afër përfundimit të mandatit (shih këtu).
Zgjedhja e presidentit bëhet jo më vonë se tridhjetë ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Kandidati për president duhet të sigurojë nënshkrimet e të paktën tridhjetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për president të Kosovës (shih këtu).
Hibrid.info ka kërkuar edhe në “Google” me fjalët: “Ramush Haradinaj kërkon votën për president”. Gjetjet nuk rezultuan në ndonjë burim kredibil informacioni.
Analiza:
Pretendimi i llogarisë “Ndryshimi Vazhdon” në Facebook se Ramush Haradinaj po kërkon votë për president, është i rremë.
Videoja e publikuar nga kjo llogari, është e vjetër dhe pjesë e një interviste të tetorit 2024. Atëkohë Haradinaj fliste si kandidat i AAK-së për kryeministër në zgjedhjet e shkurtit 2025. Ai kërkonte votën për kryeministër dhe jo për postin e presidentit.
Në intervistën e plotë, madje Haradinaj pati refuzuar se do të bashkëpunonte me Lëvizjen Vetëvendosje për t’ia vazhduar qeverisjen Albin Kurtit, edhe kur u pyet nëse do të hynte në koalicion për ta marrë postin e presidentit.
Andaj, bazuar në metodologjinë e vlerësimit, hibrid.info e kategorizon këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve” dhe “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.