[email protected]
Audio-incizim me pretendim të pa-verifikuar se paraqet një bisedë telefonike mes Kurtit dhe Hovenier
shape
shape
shape

Është publikuar një audio-material që pretendon se paraqet një bisedë telefonike mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Autenticiteti i kësaj përmbajtje u kundërshtua nga zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Në këtë material, që fillimisht filloi së publikuari në median sociale “Telegram” dhe tashmë po qarkullon në media tjera sociale e online, pretendohet se paraqet përmbajten e një bisede mes Kurtit dhe Hovenier lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Shihet se ky material është i ilustruar edhe me fotografi të dy personazheve që zhvillojnë bisedën e pretenduar.

Nga ajo që dihet deri më tani, ky material është publikuar fillimisht nga një kanal në gjuhën serbe që mbanë emrin “БУНТ је стање духаi përkthyer në shqip “Bunt është gjendje shpirtërore”.

Vegëza e materialit të publikuar në БУНТ је стање духа:

http://t.me/buntcg

Në këtë video të gjatë 1 minutë e 20 sekonda, zhvillohet një bisedë në gjuhën angleze që nga autori i këtij materiali pretendohet se bëhet mes Hovenier dhe Kurtit.

Pjesë të bisedës së pretenduar e përkthyer në shqip:

Hovenier: Jam shumë i shqetësuar me situatën aktuale në veri dhe me gjithë këto arrestime të pabazua të serbëve, dhe më duhet t’ju them se kjo duhet të ndalohet sa më parë që është e mundur.

Kurti: Ju duhet ta kuptoni se ne do të arrestojmë serbë në veri të Kosovës, dhe nuk jemi të interesuar të dijmë a kanë përgjegjësi kriminale apo jo. Ne duhet ta përfundojmë këtë tregim.


Nga ajo që mund të kuptohet në këtë përmbajte, publikuesi pretendon që ta paraqes atë si një bisedë e ditëve të fundit, pasi në të përmendet edhe arrestimi në Leposaviq.  

Megjithatë, edhe vetë kanali që ka publikuar këtë audio-përmbajtje, në postim e potencon se autenticiteti i saj është i pa vërtetuar.

Në fakt, kjo është ajo që dihet. Nga hulumtimi i hibrid.info, nuk është arritur të gjendet autenticiteti i kësaj videoje.

Nga publikuesi nuk jepen detaje se nga është ardhur kjo përmbajtje, kush është publikuesi i parë dhe si ka arritur të sigurohet.

Autenticiteti i kësaj përmbajtje është kundërshtuar nga vet zyra e Kryeministrit të Kosovës. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter ka shpërndarë të njëjtën përmbajte, por të publikuar nga llogaria që mbanë emrin “Olgica Rajkoviq” (këtu), duke e quajtur atë si të rremë.

Reagimi i Përparim Kryeziut:

Një audio shqetësuese deepfake po qarkullon aktualisht në kanale dhe media të ndryshme sociale, duke përfshirë Twitter, me qëllim për të mashtruar publikun.

Edhe një herë na kujtohen rreziqet që përmbajtja e rreme dhe e manipuluar paraqet për të vërtetën, demokracinë dhe në fund të fundit paqen.

Pra, Kryeziu këtë përmbajte e quan si “deepfake”.

Reagimi i Përparim Kryeziut në gjuhën angleze

Përmbajtja “deepfake” bëhet duke përdorur aplikacione që arrijnë të klonojnë pamjen dhe zërin e një individi. Pra përmes përdorimit të aplikacioneve të bazuar në Inteligjencë Artificiale (AI), të specializuara në “mësim të thellë” (deep learning), arrijnë që të bëjnë manipulime me imazhe e zë, duke krijuar e bërë pretendime të rreme (shih definicione për deepfake këtu).

Shembuj të ngjashëm duke përdorë aplikacione me të mësuar të thellë për të krijuar përmbaje të rreme janë bërë disa herë (shih shembuj këtu dhe këtu).


Ndërsa, vlen të përmendet se artikuj me këtë pretendim (të pa verifikuar) janë publikuar edhe nga media në gjuhën serbe dhe në gjuhë tjera, kryesisht nga rajoni (shih median në gjuhën serbe këtu dhe maqedonase këtu).


Analiza:

Audio-materiali i publikuar nuk arsyeton në vetvete pretendimin se biseda e zhvilluar në përmbajtje është autentike, pra se është bisedë mes Kurtit dhe Hovenier.

Publikuesit e kësaj përmbajtjeje nuk kanë arritur ta bëjnë verifikimin e informacionit, duke e ditur se përmbajtje të tilla mund të manipulohen përmes aplikacioneve të bazuar në AI.

Dhe, për aq kohë sa autenticiteti i kësaj videoje me audio-material nuk vërtetohet nga personat që pretendohet se janë të përfshirë në bisedë telefonike, kjo përmbajtje mund të merret me dyshim.

Për këtë arsye, bazuar në metodologjinë e hibrid.info, postimi i kësaj përmbajtje merr vlerësimin si “përmbajtje e pa verifikuar”.



Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Share With Others